Ministry of Education and Sports

Detyrimi ndaj Arkeologjisë, është detyrim ndaj qytetërimit tonë

Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla mori pjesë në hapjen e punimeve të “Kongresit Ndërkombëtar të Studimeve Arkeologjike Shqiptare”, organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike.

Ministrja Nikolla pasi i uroi suksese  punimeve të Kongresit, siguroi organizatorët dhe të pranishmit se do të ndjekë me shumë kënaqësi dhe vëmendje zhvillimet dhe konkluzionet e tij. Gjithashtu shprehu konsideratën për shkencën e arkeologjisë si një vlerë e çmuar dhe e pazëvendësueshme, e cila mundëson njohjen e  rrënjëve të historisë së një kombi.

“Përmes këtij Kongresi, të gjithë ne, por dhe mbarë publiku duhet të marrim njohuritë mbi zhvillimin e këtij arti të kërkimit multidisiplinor do ta quaja unë, gjurmët  e të cilit kanë një ndikim të jashtëzakonshëm në evoluimin e fakteve që vulosin prejardhjen dhe lashtësinë e qytetërimit tonë. Fakte të cilat sot mund të duken minimaliste por me hapjen e rrugëve drejt integrimit të plotë të vendit në familjen Evropiane sigurisht që kanë një ndikim shumë objektiv dhe të ndjeshëm në qasjen e kulturës sonë me atë të vendeve të zhvilluara Evropiane. Arkeologjia në këtë rast është jo vetëm element studimor dhe faktues, por ajo kthehet në levën e përballjes krenare me kulturën evropiane të qytetërimit tonë”, deklaroi znj. Nikolla.

Ministrja Nikolla e cilësoi hapjen e studimeve master dhe doktoraturë për arkeologji pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike,  si një hap që ka ngjallur një interes të veçantë për këtë shkencë kërkimore. Transmetimi i përvojës së Profesoratit të arkeologjisë tek gjenerata e re studioze, tha Ministrja,  spikat në mënyrë të dukshme në këtë sallë dhe të gjithë ne jemi dëshmitarë të zhvillimit të këtij profesioni kaq fisnik.

Duke e cilësuar  Arkeologjinë si një profesion që ka gjithmonë hapësira përmirësimi, Ministrja Nikolla siguroi me bindje të plotë, mbështetjen  e pashoq si politikë-bërëse,  për çdo nisme që promovon, zhvillon dhe modernizon sektorin e arkeologjisë.