Ministry of Education and Sports

Deklaratë për shtyp e zëvendësministrit të Arsimit dhe Sportit, Redi Shtino

Zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Redi Shtino ditën e sotme zhvilloi një konferencë për shtyp, për te sqaruar procesin e fazës së parë të shpalljes së listave për studime në IAL duke theksuar se skema aktuale mbështetet në një sistem elektronik, transparent dhe konkurrues.

Zëvendësministri Shtino nënvizoi se Ligji i ri i Arsimit të Lartë është ‘një metër për të gjithë" maturantët dhe njësoj për të gjitha shkollat publike dhe private, duke ruajtur specifikat dhe kriteret e pranimit nga do IAL të përcaktuara nga vetë ato.

 

Fjala e plotë e zëvendësministrit së Arsimit dhe Sportit, Redi Shtino

Sot, Partia Demokratike, hodhi sërish baltë mbi arsimin e lartë dhe universitetet, duke tentuar të krijojë panikun e radhës te të rinjtë shqiptarë, që janë duke vendosur për të ardhmen e tyre.

Sërish të zellshëm për të gatuar gënjeshtrën e radhës, pasi ndërtuan për vite me radhë piramidën e universiteteve, pasi gënjyen e vodhën ëndrrën dhe xhepat e shqiptarëve.

Ne kemi zgjedhur që në ditën e parë të punës tonë të flasim me të vërteta duke besuar se vetëm nëpërmjet saj, ne mund të qeverisim mirë dhe për te çdo shqiptar.

E vërteta, sigurisht, nuk është ajo që gatuhet në kuzhinën e padijes së SHQUP-it, por ajo që është e shkruar dhe e sqaruar në aktet nënligjore të publikuara nga Ministria e Arsimit.

Skema e re, bazuar në ligjin e ri të arsimit të lartë, është një skemë që mbështetet në një sistem elektronik, transparent, konkurrues, "një metër për të gjithë" maturantët dhe njësoj për të gjithë shkollat publike dhe private: natyrisht duke ruajtur specifikat dhe kriteret e pranimit nga njëra shkollë në tjetrën, të përcaktuara nga vetë ato.

Nëpërmjet kësaj skeme, sot, të gjithë mund të bëjnë parashikime, analiza dhe të nxjerrin konkluzione mbi të dhënat e aksesueshme.

Skema garanton deri në dhjetë alternativa zgjedhje për maturantet dhe po aq mundësi pranimi në IAL për ta.

Në ndryshim nga vitet e kaluara vendimin e maturantit për t’u regjistruar në një IAL fituese, nuk e bën sistemi elektronik, por vetë maturanti.

Në ndryshim nga vitet e kaluara kuotat, tarifat dhe përzgjedhjen nuk e bën qeveria, por universitet.

Kjo nuk është të kalosh barrën mbi universitetet, por të mundësosh për ta më shumë autonomi e përgjegjësi dhe më pak politikë.

Gjithashtu kjo skemë krijon kushtet dhe mundësitë që aplikantët jo fitues të raundit të parë, të rishohin zgjedhjet e tyre dhe të riaplikojnë mbi bazën e një panorame të qartë që krijohet pas regjistrimeve në raundin e parë.

Sistemi ofron raundin e dytë për këtë.

Mesazhi ynë për të gjithë maturantët dhe prindërit e tyre është që nuk ka asnjë vend për tu shqetësuar. Ky është vetëm momenti  i parë i një procesi që vijon dhe garanton pa asnjë mëdyshje transparence maksimale, konkurrencë të ndershme bazuar në parimin meritë-preferencë dhe "një metër për të gjithë" IAL publike apo private.

Ky nuk është favorizim, por garanci për të rinjtë shqiptare dhe familjet e tyre për një arsim cilësor.

Gishtin që tregon zëdhënësja e SHQUP, shqiptarët tashmë dinë se ku ta drejtojnë, sepse dinë të dallojnë ata që e zhyten sistemin e arsimit të lartë në një batërdi diplomash dhe letrash pa vlerë.

Sepse dinë të zgjedhin midis një sistemi që shkollon për tregun e punës dhe sistemit që shkollonte për të papunë të rinj.

Sepse dinë të zgjedhin midis Universiteteve cilësore e të akredituara në BE dhe universiteteve që ishin zhytur në konflikte interesash.

Të nderuar bashkëqytetar reforma që ne bëmë në arsimin e lartë sjell rregulla që e transformojnë sistemin aktual të arsimit te lartë, në një sistem modern të gjeneratës tjetër.

Aplikimi për të hyrë në IAL, është hapi i parë në rrugën e këtij transformimi.

Të dashur maturante garantojmë se një sistem që bazohet mbi parime të forta të meritës, transparencës, autonomisë dhe përgjegjshmërisë nuk mund të kufizojë të drejtat tuaja, përkundrazi i jep vlere kohës dhe financave tuaja.

Falënderojmë të gjithë ju dhe prindërit tuaj që po ndiqni udhëzimet në ketë proces, si dhe IAL-të për gjithë bashkëpunimin dhe evidencën e treguar.