Ministry of Education and Sports

Deklaratë për shtyp e Zëvendësministrit

Përshëndetje dhe ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj sot. Jemi këtu për të komunikuar me ju, në lidhje me mbarëvajtjen e procesit të aplikimeve për pozicionet e Drejtuesve të Drejtorive Arsimore Rajonale. Siç jeni në dijeni janë 13 Drejtori Rajonale për të cilat është hapur një proces konkurrimi.

Së pari do të doja të falënderoja të gjithë ata kandidatë që deri në këto momente kanë aplikuar.

Kemi marrë një numër jashtëzakonisht të lartë kërkesash për këtë pozicion nga e gjithë Shqipëria. Deri pak minuta më parë numri i aplikimeve i ka kaluar të 100-at dhe po vazhdojnë aplikimet. 

Numri më i madh i kërkesave i referohet pozicionit të Drejtorit të DAR Tiranë, me mbi 30 aplikantë dhe pasohet nga DAR Tirana-Qark, DAR Durrës, DAR Fier, DAR Berat, DAR Shkodër e kështu me rradhë.

Ministria e Arsimit  shpreh vendosmërinë sërish për të përzgjedhur kandidatët në mënyrën më rigoroze dhe transparente, bazuar në meritë dhe ligj. Këto do të jenë kushtet e vetme  për përzgjedhjen e Drejtuesve të rinj të DAR-ve.

Në këtë frymë i bëjmë thirrje të gjithë atyre të cilët kanë kontribuar me devotshmëri dhe integritet në arsimin shqiptar, atyre që mendojnë se vlerat dhe eksperienca e tyre në fushën e edukimit do të mund ti vënë në shërbim të cilësisë së arsimit tonë kombëtar, të aplikojnë për këto pozicione.

Ftoj të konkurrojnë te gjithë ata arsimtarë e ekspertë të fushës, qe besojnë se ka ardhur momenti që politikat dhe vendimmarrjet për zhvillimin e cilësisë së arsimit në Shqipëri, të mundësohen nga individë me përgjegjësi dhe me kapacitetet e duhura intelektuale dhe profesionale.

Pak fjalë për procesin më pas. Pas verifikimit paraprak, më datë 05 Nëntor 2013 në selinë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit do të shpallet lista e konkurrentëve, të cilët kanë plotësuar kërkesat e paraqitura në rubrikën “Kërkesat e veçanta të kandidatit” . 

Më pas aplikantët do të marrin pjesë në një testim me shkrim.  Aplikantët me rezultatet më të larta do të vazhdojnë më tej konkurrimin në një finale publike përballë mësuesish, prindërish, intelektualë të qarqeve respektive, si dhe një jurie prestigjioze.

Ky standard mund të duket i ri për publikun, por në fakt është thjesht aplikimi rigoroz i ligjit, që për fat të keq nuk është aplikuar më parë.

Ky proces është shënjuesi i një ere të re, të denjë për Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër ku institucionet arsimore, drejtohen nga njerëzit më të aftë dhe me vizon, të lirë nga presioni për tu bërë vegla të politikës së mbrapshtë. 

Ju Faleminderit!