Ministry of Education and Sports

Deklaratë për shtyp e zëvendësministres Malaj për Maturën Shtetërore

Të  nderuar prindër, nxënës dhe mësues,

Nesër do të zhvillohet provimi i detyruar i Maturës Shtetërore 2014, në lëndën “Matematikë”, sesioni i parë, në të gjithë vendin. Provimi do të zhvillohet në 212 qendra dhe në të do të marrin pjesë 45,032 maturantë të shkollave të mesme të vendit, për të gjitha profilet.

Ashtu si edhe provimi i detyruar në lëndën “Gjuhë shqipe dhe Letërsi”, ky provim duhet të shënojë një sukses tjetër të shkollës sonë, një standard tjetër të lartë në arritjen e cilësisë.

Që të realizohet kjo, nga të gjithë ne, aktorët e përfshirë në këtë proces, Posta Shqiptare, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Institucionet e vartësisë, DAR/ZA, shkollat, nxënësit etj, kërkohet një përgjegjshmëri e lartë dhe një korrektësi në menaxhimin dhe zhvillimin e provimit.

MAS ka marrë të gjitha masat për të realizuar një proces me standard të unifikuar dhe me shanse të barabarta për të gjithë nxënësit, pasi vetëm kështu do të mundësojmë një vlerësim objektiv dhe sigurojmë një cilësi të lartë.

Provimi i matematikës, si një provim i shkencave të sakta, në të vërtetë kërkon një menaxhim shumë të mirë dhe për specifikën e tij. Testi i matematikës është hartuar nga mësues ekspertë në fushën e matematikës, duke pasur për bazë programet orientuese të hartuara nga IZHA dhe të miratuara nga MAS, si edhe lëndën e zhvilluar në tre vitet e shkollës së mesme.

MAS dhe DAR/ZA kanë siguruar që gjendja fizike e qendrave të provimit dhe higjena e tyre të  jetë konform rregullores së MSH 2014. Është kryer inspektimi i mjediseve nga përfaqësuesit e DAR/ZA-ve dhe përfaqësuesit e MAS.

Për të evituar disa probleme që u shfaqën gjatë menaxhimit të provimit të letërsisë,  prindër dhe mësues të nderuar,  ju lutemi që:

  • Të merrni masat e duhura për paraqitjen e fëmijëve në kohë në qendrën e provimit dhe pajisjen  e tyre me mjete identifikimi. Në mungesë të mjetit të identifikimit nxënësi duhet të jetë i pajisur  me vërtetimet e firmosura nga drejtuesit e shkollave;
  • Mos lejoni fëmijët të futen  në provime me  mjete identifikimi të personave të tjerë, pasi do  pezullohen dhe ndëshkohen sipas rregullores së MSH 2014;
  • Mos lejoni fëmijët dhe nxënësit të marrin dhe të përdorin celular ditën e provimit, pasi do pezullohen konform rregullores.
  • Mësuesit administratorë dhe përgjegjës administrimi nuk do të përdorin celular ditën e provimit;
  • Të shmangen nga provimi mësuesit administratorë që kanë konflikt interesi;
  • Për nxënësit dhe administratorët që do të thyejnë rregulloren e MSH gjatë procesit të provimit do të merren masat e duhura në zbatim të akteve nënligjore në fuqi.
  • Nxënësit duhet të marrin 10 pikë (20%) për të qenë kalues.

 

Prindër të nderuar!

Ju lutemi, shmangni qëndrimin tuaj përreth qendrave të provimit, pasi kjo jo vetëm nuk përmirëson imazhin e procesit, por edhe e vështirëson atë. Në provimin e letërsisë, për shfaqje joserioze në disa qendra u  kërkua ndërhyrja e punonjësve të rendit,  për të vijuar procesi normalisht.

Shoqërimi i testeve nga AKP, DAR/ZA-të në qendrat e vlerësimit dhe anasjelltas do të kryhet nga Posta Shqiptare, MAS dhe MPB.

Në mbyllje do të theksoja se, MAS bashkë me institucionet e vartësisë, kanë marrë të gjitha masat për menaxhimin dhe zhvillimin korrekt të procesit të provimit deri në mbylljen e tij.
 
Përgjegjshmëria, serioziteti, korrektësia dhe bashkëpunimi për realizimin me efektivitet të lartë të provimit, duhet të karakterizojnë udhëheqjen e gjithë procesit. Vetëm kështu sigurojmë cilësi dhe garantojmë standarde në provim.

Gjithashtu, ju bëjmë me dije se procesi i korrigjimit të provimit të lëndës së “Gjuhës shqipe dhe Letërsisë” do të përfundojë ditën e mërkurë, ndërkohë që rezultatet do të publikohen nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, ditën e enjte.

Faleminderit dhe suksese të gjithë maturanteve!