Ministry of Education and Sports

DEKLARATË PËR SHTYP E MINISTRISË SË ARSIMIT DHE SPORTIT MBI GREVËN E 32 STUDENTËVE

Në respekt të qytetarëve shqiptarë, ndjejmë të nevojshme të shpjegojmë pesë gjëra të rëndësishme mbi grevën e 32 studenteve.

Së pari grupi i yshtur politikisht, tashmë edhe publikisht, janë studentë të institucioneve që i’u hoq licenca në korrik të vitit 2014. Ndërsa këta që u vunë në korr për ti qarë hallin, janë të njëjtët që i licencuan kundër ligjit, dhe i lanë të funksionojnë jo vetëm kundër ligjit por kundër çdo lloj arsyeje minimale. Këta që i qajnë hallin janë ata që i lanë institucionet të ndërrojnë diploma me këpucë të përdorura, apo dru zjarri. Sot i dalin në mbrojtje sistemit që vetë kishin ngritur. Ky është vizioni i tyre për arsimin, ky është vizioni i tyre për Shqipërinë.

Së dyti, këtyre studentëve ju dha një shans i dytë për të vijuar studimet e tyre edhe në Universitet Publike. Jashtë sistemit të meritës, pa konkurrim si studentet e tjerë. Një shans që i’u dha në emër të përgjegjshmërisë shtetërore, përgjegjësi që ishte e atyre që sot janë bërë për tu qarë hallin. Por kjo mundësi nuk mund të vinte me kosto ekstra për taksapaguesin shqiptarë. Këta studentë paguanin një tarifë të lartë në IAL-të private dhe s’kishte arsye pse këtë tarifë tani ta mbarte qytetari Shqiptar. Do ishte e padrejtë edhe ndaj qindra studentëve ekselentë që për pak pikë nuk kanë mundur të regjistrohen në këto degë, ndër më të kërkuarat në vend.

Së treti studentët në fjalë, i kanë ditur shumë mirë kushtet me të cilat do të transferoheshin që nga viti i kaluar dhe kanë shprehur falënderimin ndaj MAS për gjithë ndihmën e dhënë.

Pse kjo grevë tani? Pse gjatë sezonit të provimeve dhe sezonit të reformës në arsimin e lartë?

Së katërti, ashtu siç kemi bërë në çdo hap gjatë dhe pas mbylljes së universiteteve të paligjshme, ashtu siç bëmë gjatë debateve për kuotat dhe tarifat, ashtu siç bëmë dhe do vazhdojmë të bëjmë gjatë gjithë reformës, Ministria i është gjendur pranë çdo studenti. Kemi komunikuar me çdo kënd, për ti shpjeguar në detaje dhe me durim çdo vendim. Kemi takuar dhe komunikuar edhe me studentët në fjalë.

Por thënë sa më lart, dhe së fundmi, MAS dhe Qeveria Shqiptare mbeten të vendosur në rrugën e reformës së arsimit në vend dhe nuk do të lejojmë që askush të marrë peng zhvillimin. 170 mijë studentët shqiptarë dhe familjet e tyre, meritojnë një sistem arsimor cilësor që ofron dije të mirëfillta, që përgatit të ardhmen e vendit, që ofron cilësi. E mbi te gjitha, procesi mësimor në Universitetin Publik nuk mund të mbahet peng nga askush. As nga partitë politike, as nga ata që përdoren nga partitë politike. Në universitetet publike studiojnë mijëra studentë, të cilët kanë të drejtën e tyre për mësimdhënie cilësore dhe të pandërprerë. E drejta e protestës është e drejtë e çdo kujt, por ajo nuk mund të ushtrohet duke cenuar të drejtat e të tjerëve.

Shqiptarët nuk meritojnë sistem si ai që trashëguam e për fat të keq që ripropozohet nga të njëjtët njerëz, një sistem që shpërndante diploma e padije. Ndaj asgjë e askush nuk do të na kthejë mbrapsht në rrugën e reformës, as humbësit e së shkuarës e as hijet tyre të së sotmes.