Ministry of Education and Sports

Deklaratë për Shtyp e Këshilltarit për Median në MAS, Gjergji Hamiti

Ministria e Arsimit dhe Sportit vlerëson se, mbi procesin e përzgjedhjes së librave jashtëshkollorë shumëçka është thënë është produkt i paragjykimeve të së kaluarës, qoftë ky produkt nga disa media, shtëpi botuese, apo edhe nga të tjera grupe interesi, të pakujdesshëm  për vërtetësinë e informacionit.

Nisur nga ky konstatim, MAS shpreh angazhimin e plotë për rishikimin e të gjitha procedurave dhe mekanizmave për ta bërë këtë proces sa më transparent dhe gjithëpërfshirës, duke marrë përgjegjësi të reja në administrimin rigoroz të çdo qindarke të taksapaguesve shqiptarë.

Që në hapat e para të këtij procesi, MAS është kujdesur të mbrojë procesin nga çdo ndërhyrje, si nga administrata ashtu edhe nga politika.

Ministrja e Arsimit, falënderon veçanërisht bordet e ekspertëve të zgjedhur për të ndjekur procesin. Por nga ana tjetër, duke konstatuar mungesën e dakordsisë nga subjektet e tjera të përfshira në këtë proces, të cilat me keqinformim tentuan të ndikojnë në opinion publik, Ministrja e Arsimit, vendosi që fondi prej 35 milion lekë i parashikuar për pasurimin e bibliotekave të shkollave të alokohet në fondin për investim në infrastrukturën shkollore dhe, veçanërisht, për rikonstruktimin e atyre shkollave që janë në vështirësi.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit do të vijojë punën në dy drejtime:

Së pari, do të vijohet me inspektemin e bibliotekave dhe fondit të përdorur në çdo shkollë në vitet e shkuara.

Së dyti, MAS fton Shtëpitë Botuese, autorët, aktorët dhe grupet e interesit në një diskutim publik, në mënyrë që të gjithë së bashku të mund të adresojmë më së miri vijueshmërinë e procesit të pasurimit të bibliotekave dhe të përzgjedhjes së librave jashtëshkollorë për nxënësit, duke përcaktuar rregulla të reja.

Ne, shprehim vendosmërinë për të mundësuar një proces me rregulla të pranueshme dhe gjithëpërfshirëse për të gjitha palët dhe grupet e interesit e që realisht i shërbejnë shkollës, rregulla që mundësojnë vërtetë  procese në dobi të nxënësit dhe të shkollës dhe jo sikundër ka ndodhur më parë, për përfitime dhe interesa të X apo Y botuesi.