Ministry of Education and Sports

Deklaratë për Shtyp

Sot, nga  selia e Partisë Demokratike doli një tjetër deklaratë që provon sërish ndarjen e madhe të dy botëve. Të gënjeshtrave që çuan në 1 milion shuplakat e 23 qershorit dhe politikës së përgjegjshme. Ndarjes mes politkbërjes me kuotat me lojë kungulleshkash dhe ndarjes së kuotave të bazuar në analizë profesionale që kujdeset dhe per mundësinë e të rinjve për t’u aftësuar, por po aq edhe për cilësinë e këtij aftësimi. 

Ashtu si dhe në të gjitha politikat e tjera të realizuara me frymën e bashkëpunimit  dhe të bashkërendimit, MAS i ka vendosur kuotat dhe tarifat në përputhje me kërkesat e universiteteve publike duke qëndruar në krahun e studentëve, e duke miratuar kuota në përputhje me kërkesat dhe tarifa ndjeshëm më të ulëta se kërkesat.

PD thotë se Qeveria ka pakësuar kuotat e masterit profesional në masën 40% kurse ato të masterit shkencor në masën 30%.  Gënjeshtër e padenjë për një grup njerëzish që paguhen me taksat e qytetarëve për të bërë opozitën. 

E vërteta është se për vitin akademik 2014-2015 janë miratuar 6,393 kuota për Masterat Profesionalë, ndërkohë që një vit më parë janë regjistruar në total 5,559 studentë. Në këtë shifër të fundit  përfshihen dhe jokaluesit që vijnë nga vitet e mëparshme e që janë një numër i konsiderueshëm.  Ndërsa për Masterin Shkencor këtë vit janë miratuar 6,547 kuota, ndërkohë rezulton se vitin e kaluar janë regjistruar në total 5,890 studentë ku edhe këtu janë bashkuar jokaluesit.

Pra, siç edhe mund ta shikoni nga statistikat e mësipërme, e vërteta është se kuotat e miratuara për këtë vit akademik tejkalojnë mjaftueshëm numrin e të regjistruarve vitin e kaluar, ndryshe nga sa propagandohet nga selia e Shqupit.

Ndërsa për sa i përket tarifave, sërish MAS është udhëhequr nga parimi i politikbërjes së përgjegjshme jo sikundër vepronte paraardhësi ynë, që i la shtetit dhe shqiptarëve një faturë mbytëse borxhesh mbi supe.

Bazuar në këto nevoja është vendosur që në fillim të vitit akademik të paguhet 30% e tarifës së shkollimit, ndryshe nga vendet e tjera, madje dhe vendet e rajonit ku ajo paguhet nga 50%-100% në fillim të vitit akademik.

Këto të ardhura për universitet shkojnë për të mbuluar shpenzimet e personelit, sigurimet shoqerore dhe shëndetsore të tyre dhe po kështu detyrimet për energjinë elektrike, materiale, shërbime interneti, punë në laboratore e të tjera shërbime. Ligjërisht të gjitha shpenzimet duhen likujduar në fund të çdo muaji dhe jo duke krijuar borxhe siç bëhej nga qeveria e mëparshme. Ndaj për sa më lart kjo masë parapagimi prej 30% e tarifës së shkollimit nuk është aspak diskriminuesve, por e mbështetur në standardet ligjore. 

Përmes reformës së ndërmarrë, MAS e ka vendosur arsimin e lartë në binarët e cilësisë,  por pa cënuar mundësinë e sa më shumë të rinjve për t’u arsimuar.

Arsimi është një ndër sektorët më të rëndësishëm që na përket të gjithëve dhe të gjithë duhet të jemi pjesë për të mundësuar reforma, që të kthejmë realisht cilësinë në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor shqiptar, e jo ta përdorim atë për qëllime klienteliste e elektorale ashtu siç përdoreshin në të kaluarën kuotat dhe tarifat.