Ministry of Education and Sports

Deklarata për shtyp e Ministres së Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, datë 21 tetor 2013 në ambientet e MAS

Jam sot këtu për të lajmëruar fillimin e fundit të militantizmit dhe korruptimit të shkollës përmes emërimesh pa kriter gjatë gjithë këtyre viteve.

Jam këtu për të rikonfirmuar vullnetin e fortë të Qeverisë që unë përfaqësoj dhe të institucionit që unë drejtoj, se për ne, dija dhe arsimimi i fëmijëve tanë është një vlerë kombëtare që u mbivendoset interesave politike, si çelësi i suksesit për të ardhmen tonë Europiane.

Nga dëshmi prindërish, histori mësuesish e ngjarje të treguara nga nxënësit, e dinim që situata në sistemin tonë arsimor ishte e rëndë. Por, as në makthin tonë më të keq, nuk e imagjinonim dot që gjërat ishin aq keq sa i gjetëm përmes monitorimit që u realizua në Drejtoritë Arsimore Rajonale.

Gjetjet janë tejet shqetësuese dhe unë shpreh keqardhjen time. Qytetarët shqiptarë nuk e meritojnë këtë.

Të dashur mësues, nxënës e prindër,

Ju nuk meritoni Drejtori Arsimore që ishin kthyer në çerdhe paaftësie, ku politika e korrupsioni vendosnin në emër të gjithçkaje dhe ku mungojnë të gjitha sistemet rregullatore dhe procedurat menaxhuese, madje edhe dokumentet themelore të mbarëvajtjes së punës.

Vendimet/urdhrat e drejtorëve të DAR-ve, në shumicën e rasteve, janë të paargumentuara.

Nuk ka urdhra për ngritje të komisioneve të vlerësimit të punonjësve, nuk ka vlerësime mbi bazë të dosjes personale; nuk ka proces-verbale të mbajtura për këtë qëllim, duke shkelur kështu parimin e barazisë për kandidatët, sepse kriteri i vetëm përzgjedhës ka qenë militantizmi dhe jo profesionalizmi. Ndaj dhe mësuesi i letërsisë emërohet në detyrën e përgjegjësit të IT-së, apo, diku tjetër, një specialist me diplomë për gjuhë–letërsi emërohet inxhinier ndërtimi.

Në vetëm 26 shkolla të monitoruara konstatuam se 119 mësues ishin të emëruar mbi normën e përcaktuar.

Gjenerata e re e shqiptarëve nuk meriton një sistem arsimor që menaxhohet nga drejtorë e specialistë që nuk kanë arsimin e duhur.

Në të gjitha DAR-et nuk ka raporte monitorimi apo vlerësimi, relacione apo studime për zëvendësim e ndryshim të numrit të punonjësve në institucione të ndryshme arsimore.

Specialistët, në shumë raste, nuk kanë përshkim pune. Ata, ose nuk kanë produkt, ose punojnë tërësisht jashtë funksioneve apo sektorit të tyre.

Nuk ekziston një procedurë standarde e vlerësimit të arritjeve (performancës) të punonjësve.

Këto janë vetëm disa prej të dhënave që na shqetësojnë dhe që na bëjnë të mendojmë që është pikërisht për shkak të abuzimeve dhe shkeljeve të ligjit, korrupsionit që shumë prej këtyre drejtuesve kanë arritur majat e arsimit parauniversitar prej nga dhe janë shndërruar në antenat e përcjelljes së valëve të partisë, dikur në pushtet.

Kjo situatë nuk mund të vazhdojë më.

Nisur nga rekomandimet e grupit të inspektimit të bazuara në gjetjet e këtij procesi, ju komunikojmë se janë marrë masat disiplinore: “zgjidhje e menjëhershme e kontratës për 59 persona të implikuar në shkelje të hapur të ligjit”, përfshi 12 drejtues të DAR-ve, “vërejtje me paralajmërim” për 13 punonjës; “vërejte” për 5 punonjës.

Për shkelje të konstatuara, drejtorët që shkarkohen si dhe ata që nxituan të japin dorëheqjen, pasi u përballën me faktet e keqmenaxhimit dhe shkeljet e konstatuara nga ekipi auditues, sigurisht do të përballen edhe me forcën e ligjit.

Gjithashtu, në ditët në vazhdim, do të publikojmë raportet e inspektimit të grupit të monitorimit për çdo qark, në respekt të parimit të transparencës dhe informimit të publikut.

Të dashur mësues, prindër e nxënës,

Sot lajmërojmë fillimin e procedurave të konkurrimit, sipas dispozitave ligjore për pozicionin e Drejtor në Drejtoritë Arsimore Rajonale në të gjitha qarqet e vendit.

Lajmërimet do të bëhen në shtyp dhe në faqen online të MAS.

Seleksionimi do bëhet duke u bazuar në kritere të qarta të shpallura publikisht dhe në transparencë publike të plotë.

Do ketë 13 finale publike mes 3 deri në 5 kandidatë, përballë një jurie prestigjioze të përbërë nga personalitete të arsimit.

Si një ish mësuese dhe si nënë, Ju drejtohem Juve mësues, prindër e nxënës: jam e vendosur dhe e palëkundur për të çliruar njëherë e përgjithmonë arsimin shqiptar nga mediokriteti, paaftësia dhe propaganda politike.

Në detyrën e lartë që më është caktuar, ndiej përgjegjësinë dhe ndaj me ju, vështirësitë e mëdha, sfidat dhe betejat që kemi përpara për rivendosjen e dinjitetit të mësuesit, çlirimin e shkollave nga politika dhe garantimin e arsimit cilësor për fëmijët dhe të rinjtë tanë.

Bashkarisht, me mish e me shpirt e angazhuar që, nëpërmjet një partneriteti të ri strategjik, mes mësuesve, prindërve dhe shtetit, të ndërtojmë modelin e ri të shkollave si qendra të komunitetit; t'i japim shkollës një rol që shkon përtej mësimdhënies, formimin e qytetarisë së re europiane; ta bëjmë shkollën, pikë referimi të komunitetit dhe pikë rëndese të bashkëjetesës demokratike.

Pasi për ne, ngritja e cilësisë së arsimit në standardet europiane dhe mbrojtja e tyre janë parakushte që do të garantojnë cilësinë e gjeneratës tjetër.

Ju Faleminderit!