Ministry of Education and Sports

Deklarata për Formularin A3 e Zëvendësministres së Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj

Në bazë të Udhëzimit të MAS, Nr. 41 datë 14.10.2014, maturantët/kandidatët mund të aplikojnë on-line për plotësimin e kuotave të parealizuara pas përfundimit të raundit të parë, vetëm për programet e studimit dhe kuotat  e shpallura nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, prej datës 16.10.2014, ora 09:00 deri 20.10.2014 ora 24:00.

 

Kanë të drejtë të konkurrojnë në raundin e dytë të pranimeve (Formulari A3):
 

Maturantët/kandidatë që nuk kanë konkurruar më parë me formularin A2, por që në këtë raund do të konkurrojnë për herë të parë me formularin A3. Në këtë grup përfshihen kandidatët që:

a)kanë rezultuar kalues në provimet e Maturës Shtetërore, sesioni i parë, por nuk kanë plotësuar formularin A2;           
b) kanë rezultuar kalues në provimet e Maturës Shtetërore, në sesionin e vjeshtës 2014;
c) kanë përfunduar arsimin e mesëm jashtë vendit dhe, mbi bazën e ekuivalentimit të rezultateve të shkollës së mesme, kanë fituar të drejtën të aplikojnë për vazhdimin e studimeve universitare të ciklit të parë në IALP e vendit tonë; Aplikimin me këtë formular mund ta bëjnë vetëm kandidatët e këtij grupimi që kanë plotësuar formularin A1Z në sesionin e dytë të muajit shtator 2014.         
 

Përjashtohen nga konkurrimi në raundin e dytë, maturantët /kandidatët:     

a) fitues në preferencën e parë të shprehur në formularin A2 dhe që janë regjistruar në atë program studimi në raundin e parë të pranimeve;  
b) fitues që kanë konfirmuar regjistrimin përfundimtar në preferencën e shpallur në fazën e  parë të A2,  nëpërmjet  regjistrimit on-line, dhe që janë të regjistruar në atë program studimi në raundin e parë të pranimeve në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, në programet e studimeve jouniversitare, profesionale, si dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë.

Klasifikimi i kandidatëve fitues në programe të ndryshme studimi, të ofruara nga institucionet publike të arsimit të lartë në raundin e dytë (formulari A3), bëhet në mënyrë të informatizuar, duke u mbështetur në Parimin e Meritës, pikët e grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, të provimeve të Maturës Shtetërore, ndërsa për programet e veçanta të studimit të parashikuara me konkurs, edhe nga rezultatet e konkursit te zhvilluara, , si dhe Parimit të Preferencës,  përzgjedhjes së programeve të studimit, të kryer nga vetë kandidati/ja.

 

AKP të shpallë listën e fituesve të raundit të dytë, më datën 23.10.2014, të ndarë sipas programeve  përkatëse të studimit, në përputhje me kuotat e rishpërndara nga MAS.

Sekretaritë mësimore të fakulteteve në datat 24.10.2014 deri 26.10.2014, prej orës 08:00 deri në orën 18:00, të pranojnë dokumentacionin për të gjithë kandidatët fitues.

Kandidatët paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:

a)Dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja e një prej dokumenteve;

b)2 fotografi personale;

c)Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1,600 lekë, paguar pranë zyrave të Postës Shqiptare ose bankave të nivelit të dytë për llogari të IALP-ve përkatëse, nga të gjithë kandidatët e shpallur fitues në këtë raund;

d)Deklaratën e paraqitur në shtojcën 1, e cila plotësohet dhe firmoset nga kandidati në prani të punonjëses së sekretarisë mësimore dhe kundërfirmoset nga kjo e fundit. 

 

Kandidatët e shpallur fitues në programet e studimit me kohë të plotë nuk mund të regjistrohen për të ndjekur njëkohësisht studimet, në dy programe studimi në IAL publike dhe/ose private.

Duke iu uruar të gjithë kandidatëve suksese, lutemi që për çdo informacion të më tejshëm të drejtoheni në faqen zyrtare të MAS, www.arsimi.gov.al dhe të AKP-së, www.akp.gov.al