Ministry of Education and Sports

Deklarata e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla për testimin e aplikantëve të nismës “Mësues për Shqipërinë”

Deklarata e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla për testimin e aplikantëve të nismës “Mësues për Shqipërinë”

Përshëndetje!

Në kohë rekord ia dolëm të krijojmë një histori të re që do të kthejë meritën në arsim dhe do të ndërtojë një sistem të shëndetshëm vlerash në luftën që MAS dhe Qeveria shqiptare i ka shpallur korrupsionit.

“Mësues për Shqipërinë” është nisma jonë e re në arsimin paraunivesitar dhe unë jam krenare që kësaj nisme, për 17 ditë nga dita e nisjes së portalit i janë përgjigjur 8095 aplikantë.

Janë 8095 aplikantë që do të ndryshojnë historinë që në gjetëm në arsim, pas një inspektimi të realizuar në çdo shkollë të vendit, ku rezultoi se ishin 1984 mësues pa  arsim përkatës dhe 2065 jashtë profilit.

Janë 8095 arsye për të thënë që “Po”, mund të ndërtohet një sistem i shëndetshëm merite edhe në punësimet në arsim. Janë 8095 përgjigje për këdo skeptik në fillim të këtij aksioni të fortë që MAS ka ndërmarrë kundër korrupsionit.

Rezulton se 60% e aplikantëve janë të gatshëm të  shërbejnë edhe jashtë vendbanimit të tyre. Ndërsa 89 % e tyre janë diplomuar pas vitit 2000, pra janë mësues të rinj të gatshëm për të shërbyer në cilësinë e re për shkollat shqiptare.

Pas përpunimit të të dhënave rezultoi se nuk ka munguar interesi edhe nga aplikantë prej  vendeve si; Italia, Greqia, SHBA etj, të cilët kanë shprehur dëshirën për t’u bërë pjesë e trupës së madhe misionare të arsimit.

Testimi do të zhvillohet në 6 dhjetor, nga ora 11:00 deri në 13:00, në të 12 qarqet e vendit (në çdo qytet, qendër qarku), duke realizuar një proces model miradministrimi, sekretimi dhe transparence në 29 qendra testimi. Ky proces do përmbajë rregulla strikte sekretimi dhe mbikëqyrje nga MAS.

U bëj thirrje aplikantëve që ende nuk kanë dorëzuar dosjet ta kryejnë këtë pranë DAR-ve. Ndërkohë, prej datës 28 Nëntor ka filluar puna e Komisionit të ngritur në MAS, në bashkëpunim dhe me DAR/ZA, i cili deri më datë 04 dhjetor, ka për detyrë verifikimin e dokumentacionit të aplikantëve për të parë përmbushjen e kritereve ligjore që do të mundësojnë kalimin për në fazën e dytë, fazën e testimit.

Listat e aplikantëve që do të shkojnë në fazën e testimit, do të publikohen në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Testi do të jetë i ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë përbën 30 pikë të testit, nga totali me 70 pikë dhe do të ketë pyetje me përmbajtje nga formimi i përgjithshëm i mësuesit, (dokumentacioni), programi, drejtshkrimi i gjuhës shqipe, si dhe komunikimi dhe etika.

Ndërsa pjesa e dytë e testit përbën 40 pikë, dhe përmban pyetje profesionale, lidhur me profilin shkencor sipas fushës. Në mënyrë që aplikanti të jetë kalues, ai do të duhet të marri më shumë se 50 % të pikëve për çdo pjesë.

Korrigjimi/vlerësimi i testeve do të bëhet i qendërzuar në Tiranë nga një komision mësuesish dhe ekspertësh të përzgjedhur nga MAS. Vlerësimi i testit do të jetë i sekretuar.

Shpallja e rezultateve sipas ID-së  të aplikantëve do të publikohet deri më datë 22 dhjetor. Ndërkohë që fituesi sipas rankimit zgjedh edhe shkollën, në bazë të vendeve të lira që janë shpallur për çdo DAR/ZA.

Kjo dhe vetëm kjo listë publike do të jetë baza e çdo plotësimi të vendeve të lira në mësuesi edhe në vijim.

Më lejoni ta mbyll duke falënderuar të gjithë aplikantët dhe duke dëshiruar  suksesin  tyre, sepse suksesi i tyre është suksesi i shkollës shqiptare, i cilësisë së re dhe i asaj që realisht meritojnë fëmijët tanë dhe shqiptarët e gjeneratës tjetër.

Faleminderit!