Ministry of Education and Sports

Dëgjesë publike për Projektligjin e Arsimit të Lartë dhe Kërkimin Shkencor

Ministria e Arsimit dhe Sportit zhvilloi sot, një maratonë diskutimesh për Projektligjin e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor me gjithë aktorët dhe grupet e interesit.

Pas një pune të gjatë të Komisionit për Arsimit e Lartë dhe Kërkimin Shkencor, për shqyrtimin e të gjitha sugjerimeve të ardhura nga institucionet e arsimit të lartë publik e privat, u prezantua projektligji me ndryshimet përkatëse dhe pikat kryesore që ai prek.

Anëtarët e Komisionit për Arsimit e Lartë dhe Kërkimin Shkencor prezantuan secili sugjerimet e çdo institucioni të arsimit të lartë, publik e privat dhe arsyet se përse disa prej sugjerimeve u përfshinë në projektligj e pse të tjera jo.

Gjatë moderimit të diskutimit publik, Zëvendësministri Arbjan Manziku tha se për të ardhur deri në prezantimin e projektligjit është kaluar përmes një procesi të gjatë, me disa faza, sipas filozofisë së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për të diskutuar çdo gjë me grupet e interesit.

Kryetari i Komisionit për Arsimit e Lartë dhe Kërkimin Shkencor, Arjan Gjonça tha se procesi për hartimin e ligjit të ri ka respektuar gjithëpërfshirjen duke dëgjuar çdo zë.

“Një nga kritikat që i është bërë këtij projektligji ka qenë ajo se autonomia e universiteteve nuk ishte reflektuar aq sa duhej siç ishte prezantuar në raportin përfundimtar të reformës në arsimin e lartë. Ju garantoj se në këtë version që keni sot liria akademike shprehet përmes së drejtës për të organizuar veprimtarinë  e mësimdhënies, atë kërkimore shkencore, për të hartuar dhe zhvilluar programet, për të menaxhuar procesin e dhënies së titujve. Këto reflektohen qartë në këtë projektligj”, tha Gjonça.

Deri ditën e premte, 06 mars 2015, Komisionit për Arsimit e Lartë dhe Kërkimin Shkencor do të pres sugjerime të tjera nga Senatet Akademike të IAL-ve.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule vlerësoi gjuhën e bashkëpunimit të Komisionit për Arsimit e Lartë me grupet e interesit që krijon sipas tij, një ligj më të mirë që do ti mbetet brezave për një arsim cilësor.

Që prej fillimi të reformës në sistemin e arsimit të lartë, i gjithë procesi është zhvilluar përmes dëgjesave publike me grupet e interesit. Një politikë gjithëpërfshirëse e ndjekur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit me qëllim përfitimin e një produkti sa më cilësor.

Projektligji për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor