Ministry of Education and Sports

Dëgjesat publike për arsimin parauniversitar

Prej disa ditësh MAS ka nisur zbatimin e platformës të dëgjesave publike në të gjitha Drejtoritë dhe Zyrat Arsimore rajonale në vend. Në këto dëgjesa të organizuara nga DAR/ZA-të rajonale janë ftuar të marrin pjesë të gjithë aktorët dhe grupet e interesit të përfshirë ne sistemin arsimor parauniversitar; përfaqësues nga njësitë vendore, deputetë të zonës, kryetarë të bordeve të shkollave të DAR/ZA-ve, kryetarë të këshillit të prindërve, drejtues të shkollave, mësues, nxënës dhe prindër.

Qëllimi i kësaj nisme është informimi dhe dialogimi mes këtyre aktorëve dhe drejtuesve të DAR/ZA-ve në lidhje me zhvillimet dhe politikat e ndërmarra në sistemin arsimor parauniversitar nga Drejtoritë Rajonale dhe Ministria Arsimit dhe Sportit, për vitin 2014.

Temat e përfshira në këto aktivitete kanë nisur me analizën për fillimin e vitit shkollor, organizimin e maturës shtetërore, problematikat e rezultuara nga studimi për gjendjen e burimeve njerëzore në nivel DAR/ZA, reforma në arsimin parauniversitar, nisma “Mësues për Shqipërinë”, projekti “Shkolla si Qendër Komunitare”, por edhe shumë prej sfidave të tjera në këtë sektor.

Marrëdhënia prindër-mësues-nxënës ka qenë kryefjala e këtyre dëgjesave publike, ku është vendosur theksi tek bashkëpunimi i këtyre aktorëve me institucionet arsimore, duke u bërë pjesë e shkëmbimit të ideve dhe bashkëpërgjegjës në jetësimin e politikave më të mira për shkollën shqiptare.