Ministry of Education and Sports

Cilësi në arsim, kryefjala për qytetet inteligjente

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishte sot, e pranishme në Forumin e parë ndërkombëtar në Shqipëri për “Qytetin inteligjent”.

Gjatë fjalës së saj përshëndetëse, Ministrja Nikolla u shpreh se nuk është rastësore që qytetet inteligjente dhe ekonomitë e zhvilluara, kanë të gjitha një koncept të përbashkët, i cili adreson investimin e tyre në sistemet arsimore, ku kryefjala është cilësia në mësimdhënie.

“Edhe statistika tona sikurse ato të vendeve më të zhvilluara, tregojnë se jo gjithmonë, investimet në infrastrukturë shkollore apo rritjet e pagave, kanë ndikuar domosdoshmërish në rritjen e cilësisë të mësimdhënies. Ndaj ka shumë rëndësi fakti se si është cilësia e atyre që edukojnë brezat e ardhshëm, si është cilësi e mësuesve”, tha Nikolla, duke shtuar se investimi në drejtim të rritjes së cilësisë së burimeve njerëzore në sistemin arsimor hap kapitullin e ri të reformës në arsim.

Ministrja tha gjithashtu se po punohet drejt një vizioni të ri që e kthen shkollën në institucionin ku çdo nxënës, mësues, prind të ketë fatin të praktikojë demokracinë që të gjithë duam të ndërtojmë në qytetin tonë, në vendin tonë.

“Implementimi i projektit “Shkolla Qendër Komunitare”, projekti më madhor që ne kemi filluar tashmë prej pothuajse një viti, po jep frytet e tij të para. Sot, në ato 66 shkolla, ku është pilotuar ky projekt, nuk ka më ndarje informacioni vetëm mes disa klasave, por ato shkolla gjithnjë e më shumë janë të hapura drejt komunitetit”, tha Lindita Nikolla.

Forumi në të cilin mori pjesë Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Z.Edi Rama, ka për qëllim të hedhë themelet për iniciativat e ardhshme dhe bashkëpunimet për krijimin e qytetit inteligjent.

“Qyteti inteligjent”, i cili zhvillohet në datat 3 dhe 4 nëntor në Hotel Adriatik Durrës, synon të mbledhë dhe të shkëmbejë ide, dije, eksperienca dhe praktikat më të mira nga kërkues, autoritete publike dhe profesionistë, të cilat do të shkrihen me vizionin e qytetit inteligjent për një zhvillim të qëndrueshëm.