Ministry of Education and Sports

Ceremonia me studentët fitues të bursave studimore nga "Erasmus +"

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishte sot e pranishme në ceremoninë përshëndetëse të 15 studentëve shqiptarë që kanë fituar bursa studimi, për vitin akademik 2014-2015, në kuadër të programit “Erasmus +”.

Gjatë ceremonisë, organizuar nga Delegacioni i Komisionit Evropian në Shqipëri, Ministrja Nikolla tha se qeveria shqiptare është dhe mbetet e angazhuar për të krijuar mundësi për  shkëmbime eksperiencash ndërmjet studentëve shqiptarë dhe atyre të huaj, përmes përfshirjes në programe evropiane.

“Ju do të keni mundësi të përjetoni  një eksperiencë mjaft të dobishme shkëmbimi. Padyshim, kjo më bën që dhe unë të ndihem krenare që studentë si ju përmbushin denjësisht standardet e kërkuara nga institucionet evropiane të arsimit të lartë. Por sukseset tuaja nuk duhet të mbeten individuale. Ato do të transformohen në standarde, si garanci të cilësisë institucionale të universiteteve shqiptare”, tha Ministrja Nikolla.

Studentët janë diplomuar si në vijim: 6 nga Universiteti i Tiranës, 6 Universiteti Politeknik i Tiranës, 1 nga Universiteti i Mjekësisë, 1 nga Universiteti Europian i Tiranës dhe 1 nga Universiteti Epoka.

Bursat janë për studime në shtete si, Franca, Gjermania, Spanja, Anglia, Hollanda, Suedia, Norvegjia, Italia. Studimet janë të gjitha në fushat e avancuara të inxhinierisë dhe të shkencave të natyrës përveç një në juridik/ekonomi. MAS ka nënshkruar në 19 qershor marrëveshjen me Komisionit Evropian për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin “Erasmus+”, programi i BE-së për arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin.

Më poshtë, fjala e plotë e Ministres Lindita Nikolla

I nderuar Z. Clive Rumbold

Të dashur studentë

Jam shumë e kënaqur që marr pjesë në këtë event ku po ndajmë së bashku suksesin e arritjeve tuaja. Presim shumë nga ju dhe e dëshirojmë shumë suksesin tuaj. Shpresojmë që shumë nga ju që do të përfitojnë nga këto programe të rëndësishme të KE-së, të mundësoni ecjen tonë më të shpejtë drejt integrimit evropian. Personalisht dhe në emër të Ministrisë që unë drejtoj, më lejoni t’ju përgëzoj për arritjet tuaja.

Në sajë të punës suaj të palodhshme dhe të rezultateve të shkëlqyera, arritët të përzgjidheni mes  shumë aplikantëve të tjerë dhe të fitoni bursa studimi, në kuadër të programit “Erasmus +”

Orientimi drejt një ekselence akademike do të jetë baza e të ardhmes suaj, por edhe e kontributit tuaj të vyer që do të jepni pas mbarimit të studimeve dhe kthimit në Shqipëri. Ashtu sikurse studentët e mëparshëm që kanë realizuar këtë eksperiencë akademike në programin “Erasmus +” edhe ju do të bëheni pjesë e rëndësishme e promovimit të standardeve evropianë, në arsimin e lartë shqiptar.

Ju do të keni mundësi të përjetoni  një eksperiencë mjaft të dobishme shkëmbimi. Padyshim, kjo më bën që dhe unë të ndihem krenare që studentë si ju përmbushin denjësisht standardet e kërkuara nga institucionet evropiane të arsimit të lartë. Por sukseset tuaja nuk duhet të mbeten individuale. Ato do të transformohen në standarde, si garanci të cilësisë institucionale të universiteteve shqiptare. Pikërisht, edhe për këtë arsye ne kemi iniciuar Reformën e Arsimit të Lartë. Me këtë reformë, do të garantojmë që diploma e çdo studenti që do të lëshohet nga çdo IAL shqiptare, të jetë dëshmi e aftësive dhe cilësive sipas standardeve evropiane. Në kontekstin e mobilitetit, nëpërmjet reformës, ne synojmë që Shqipëria jo vetëm të dërgojë, por edhe të bëhet atraktive si pritëse për studentët dhe kërkuesit evropian.

Duke pasur parasysh edhe atë që thashë më sipër, dëshiroj që të theksoj përpara jush se qeveria shqiptare është dhe mbetet e angazhuar për të krijuar mundësi për  shkëmbime eksperiencash ndërmjet studentëve shqiptarë dhe atyre të huaj, përmes përfshirjes në programe të tilla evropiane.

Nënshkrimi i marrëveshjeve ndërmjet Komisionit Evropian dhe Shqipërisë për  programet “Erasmus +” dhe “Horizon 2020”,  do të krijojë hapësira dhe mundësi më të mëdha për studentët e kërkuesit tanë. Mbështetja fillon që nga niveli bachelor, duke përfunduar në nivelin post-doktoraturë dhe në kërkim shkencor.

Një tjetër lajm i mirë për studentët dhe kërkuesit shqiptarë është se programet “Erasmus +” dhe “Horizon 2020”, dyfishojnë mundësitë për shkëmbim duke mbështetur mobilitetin, por edhe përmes projektesh që universitetet tona do të hartojnë me homologët e tyre perëndimorë për rritjen e kapaciteteve.

Prandaj, ne përulemi sot me respekt përpara jush që keni mundësuar falë arritjeve tuaja të prezantoni standardet e arsimit të lartë shqiptar të krahasueshme me ato evropiane. Gjithë shoqëria shqiptare do të jetë përfituese e cilësive të reja, falë jush që do t’i vini në jetë ato në Shqipëri.

Duke e mbyllur, do të dëshiroja të shpreh se Ministria e Arsimit dhe Sportit mbetet maksimalisht e angazhuar për t‘ju mbështetur në vazhdimësi juve dhe kolegët tuaj për të nxitur dhe për të promovuar mobilitetin e studentëve shqiptar.

Ju uroj suksese në studimet tuaja!

{:}