Ministry of Education and Sports

Ceremonia e ndarjes së çmimeve “Ora e Kodimit”

Në kuadër të "Javës së Inovacionit 2016”, Ministrja e Arsimit e Sportit, Lindita Nikolla dhe   Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito  ishin të pranishme në ceremoninë  e ndarjes së çmimeve të konkursit “Ora e Kodimit”, për punimet më të mira të nxënësve si pjesë e implementimit të modulit mbi kodimin në Shkollat Qendër Komunitare.

Në kuadër të nismës ndërkombëtare "Ora e Kodimit" të iniciuar nga MIAP në bashkëpunim me MAS është futur në kurrikulën e arsimit 9-vjeçar moduli me zgjedhje “Orët e Kodimit”, i cili është pilotuar në 10 shkolla gjatë muajve mars – qershor 2016 për nxënësit e klasave 6 – 9, me qëllim rritjen e kapaciteteve të tyre në kodim interaktiv p.sh në ndërtimin e një faqeje interneti të thjeshtë duke përdorur një platformë online falas.

Duke falënderuar Ministren Harito, mësuesit pjesëmarrës si dhe nxënësit e pranishëm, Ministrja Nikolla tha se “Ora e Kodimit” do të jetë një pjesë integrale e kurrikulës në arsimin parauniversitar.

“Ne filluam me 10 shkolla të para për të pilotuar orën e kodimit. Janë 10 shkolla qendra komunitare të cilat kanë dhënë në një kohë të shkurtër, rezultatet e para. Arsyeja e rezultateve të tilla është për faktin e një investimi të mirë dhe cilësor që Instituti i Zhvillimit të Arsimit i ka kushtuar këtij procesi”, tha Nikolla.

Gjatë fjalës së saj ministrja tha se aktiviteti i sotëm do të jetë një garanci për më shumë ndërhyrje në gjithëpërfshirje të orëve digjitale në kurrikulën e arsimit parauniversitar.

“Kjo kurrikul synon të rrisë aftësitë digjitale të nxënësve që në moshë të hershme me qëllim rritjen e kapaciteteve të tyre në kodim interaktiv. Është verifikuar që investimi në moshë të hershme në cilësinë e dijes është një investim i rëndësishëm për të ardhmen kur ata të përballen me tregun e punës, ku kryefjala është teknologjia”, tha Nikolla

E pranishme në ceremoni  ishte edhe Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito e cila vlerësoi hartimin e modulit për “Orën e Kodimit”.