Ministry of Education and Sports

Çdo fëmijë rom në kopsht

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla sot ishte e pranishme në forumin “Çdo fëmijë rom në kopsht”, organizuar në kuadër të politikave përfshirëse që kopshtet dhe shkollat duhet të ndjekin për integrimin e fëmijëve rom në arsimin parashkollor.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja theksoi se  institucioni që ajo drejton ka ndryshuar sjellje në drejtim të pranimit të fëmijëve të komunitetit rom në kopshte, në mënyrë që të krijohen kushte lehtësuese për integrimin dhe gjithëpërfshirjen e tyre në sistemin arsimor.

“Çdo fëmijë rom do të regjistrohet në kopsht, pavarësisht nëse në momentin e regjistrimit e ka certifikatën e lindjes dhe certifikatën e vaksinimit. Kjo nuk do të thotë se do të heqim dorë nga ky detyrim, ai do t’i kalojë MAS-it”, deklaroi Ministrja Nikolla.

Ministrja deklaroi se do të ndryshojë sjellja edhe në drejtim të qasjes së institucioneve përballë komunitetit rom, që do të thotë se do të jenë kopshtet dhe shkollat që do të trokasin në shtëpitë e fëmijëve rom, për t’i integruar ata në sistemin arsimor.

“Ne nuk do të presim që nënat rome të trokasin në dyert e institucioneve, por do të jenë edukatorët, mësuesit, do të jem unë që do të trokas pranë familjeve të komunitetit rom për të sqaruar se sa e rëndësishme është pjesëmarrja dhe regjistrimi i fëmijëve në kopshte. Është e rëndësishme sepse ua lehtëson detyrën nënave për edukimin e fëmijëve si dhe lehtëson pjesëmarrjen e tyre në punë. Çka është më e rëndësishmja edukimi që në moshë të hershme, është  domethënëse për fëmijët, për të ardhmen e tyre dhe për integrimin në tregun e punës”, tha Ministrja Nikolla.

Gjatë takimit me komunitetin rom në shkollën “Bregu i Lumit”, pranë Njësisë 11-të Tiranë, Ministrja tha se janë parashikuar në bashkëpunim me institucione të tjera, një sërë masash lehtësimi për të mundësuar mirëdukimin dhe integrimin e fëmijëve rom në jetën sociale të vendit.

“Ne e dimë që komuniteti rom përballet me vështirësi ekonomike, ndaj kemi përgatitur një sërë masash lehtësuese, në mënyrë që ju të keni lehtësi në arsimimin, punë etj. Duke treguar në këtë mënyrë se arsimi është gjithëpërfshirës dhe se kemi filluar të investojmë që në moshë të hershme për fëmijët tanë, pa bërë dallim”, tha Lindita Nikolla.

Ministrja shtoi se do të bëhet gjithçka që kopshtet të jenë mjedise ku fëmijët romë të jenë të barabartë dhe të kenë të njëjtat mundësitë për t’u integruar dhe për të mësuar si gjithë të tjerët, në mënyrë që dhe ata të kenë një të ardhmen të garantuar.

“Çdo fëmijë rom në kopsht” është një nismë e UNICEF-it në Shqipëri, mbështetur nga MAS dhe donatorë të tjerë që synon ndërtimin e praktikave të suksesshme për integrimin e fëmijëve rom në kopshte.