Ministry of Education and Sports

Bashkëpunimin mes institucioneve arsimore të Shqipërisë e Maqedonisë

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla dhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë, Abdilaqim Ademi nënshkruan sot, gjatë Ministerialit që po zhvillohet në Vlorë, marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe shkencës, duke synuar të përforcojnë marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet dy shteteve.

Sipas kësaj marrëveshjeje, dy vendet do të nxisin bashkëpunimin midis institucioneve arsimore e shkencore të të dy vendeve si:

Bashkëpunimin në fusha të ndryshme shkencore, përfshirë edhe shkëmbimin e ekspertëve dhe punonjësve shkencorë; Nisma për projekte të përbashkëta kërkimore-shkencore rajonale dhe ndërkombëtare; Ofrimin e  bursave për studime pasuniversitare dhe ato të doktoratës në bazë të reciprocitetit dhe në fusha me interes të ndërsjellë, Shkëmbimin e përvojave, materialeve informative dhe didaktike në fushën e planifikimit dhe administrimit të sistemit arsimor; etj.

Në kuadrin e bashkëpunimit rajonal Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia janë pjesë e nismave rajonale në fushën e arsimit, si ajo e platformës rajonale për bashkëpunim të ngushtë në fushën e arsimit dhe trajnimit, “Educational Reform Initiative of South East Europe”, (ERI SEE)

Serbia ka marrë përsipër të krijojë selinë e Sekretariatit të ERI SEE në Beograd dhe për këtë qëllim i ka propozuar një marrëveshje qeverive të vendeve anëtare të ERI SEE (Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë, Malit të Zi, Moldavisë, Maqedonisë), e cila u nënshkrua sot, edhe nga vendi ynë.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë nismë rajonale është e rëndësishme dhe paraqet vlera të veçanta, pasi ERI SEE shërben si forum i përbashkët për të ndërmarrë masa të përbashkëta rajonale në fushën e arsimit.

Në përshtatje me zhvillimet e shpejta globale, kjo platformë mbështet reformat kombëtare në arsim dhe trajnim, përmes aftësimit dhe trajnimit të vazhdueshëm të institucioneve hartuese të politikave arsimore, përshtatjes së njohurive sipas kërkesave të tregut të punës dhe bashkërendimin  e tyre me kuadrin evropian për zhvillimin e arsimit.