Ministry of Education and Sports

Bashkë kundër dhunës në familje

Sot Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla morri pjesë në tryezën e rrumbullakët me temë “Një burrë i vërtet kurrë nuk lëndon një grua”, organizuar nga zyra e Linjës së Këshillimit për Burra.

Në fjalën e saj Ministrja Nikolla u shpreh për një ndërhyrje urgjente në parandalimin e dhunës në familje. Në këtë kuadër Ministrja tha se është e rëndësishme jo vetëm përfshirja e të gjithë faktorëve politikë, por dhe angazhimi i gjithë shoqërisë.

“Kjo plagë që vetëm thellohet çdo ditë kërkon një ndërhyrje urgjente, të gjithë faktorëve politikë-bërës dhe politikë-zbatues. Duhet të rizgjojmë ndërgjegjen kombëtare dhe duhet ta bëjmë sa më parë. Një jetë e humbur për mungesë të përgjegjësive mbrojtëse dhe parandaluese, është një sfidë e humbur për të gjithë ne.” – tha Ministrja Nikolla.

Znj. Nikolla e vuri theksin tek nevoja e ndihmës për një trajtim të specifikuar për fëmijët, viktima të dhunës në familje. Gjithashtu, Ministrja u shpreh se MAS dhe institucionet arsimore do të jenë promotorë të fushatave sensibilizuese për parandalimin e krimit në familje, por dhe se kjo sfidë kërkon një bashkërendim forcash ndërinstitucionale.

“Duhet dhe do të nisim sa më parë një trajtim të specifikuar për fëmijët të cilët janë rritur pa prindër si rrjedhojë e krimit brenda familjes, ku janë bërë dëshmitarë të akteve brutale, dhe jo vetëm. Duhet ti themi ndal me çdo forcë dhe kapacitet këtij virusi të frikshëm që përhapet brez pas brezi dhe duhet ta bëjmë përmes politikave arsimore në çdo shkollë dhe institucion arsimor të vendit tonë. 

Ministria e Arsimit dhe Sportit do të jetë promotore e fushatave sensibilizuese por dhe politikave në zbatim për ç'rrënjosjen e patriarkalizmit, analfabetizmit dhe dhunës verbale për brezat e rinj.

Ne mbetemi të angazhuar, të gjithë së bashku si një skuadër, të rivendosim rendin në ambientet pranë institucioneve arsimore, të zgjerojmë diapazonin e kulturës së brezave të rinj, duke i dhënë jetës vlerën e merituar.

Pa diskutim që situata ekonomike, e vështirë tashmë për vendin tonë, është një ndikues aspak i vogël në rritjen e kriminalitetit, por ne kemi detyrimin prindëror dhe shoqëror që të kontribuojmë për parandalimin e transmetimit të "virusit" të dhunës familjare te brezat e gjeneratës së re” – u shpreh znj. Nikolla.

Tryeza u mbyll me një diskutim të hapur rreth ideve sesi shoqëria civile së bashku me institucionet qeverisëse të mund të hedhin piketat për një plan efektiv dhe te suksesshëm i cili do të ndihmonte vendimmarrjen në parandalimin e këtij fenomeni.