Ministry of Education and Sports

Arsimimi si garanci për mbrojtjen e gruas nga margjinalizimi

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla mori pjesë sot në konferencën “Gruaja shqiptare dhe integrimi evropian", organizuar nga Forumi i Pavarur i Gruas Shqiptare.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Nikolla u ndal në rëndësinë që ka arsimimi, si garanci për të realizuar mbrojtjen e gruas nga margjinalizimi dhe dhuna, por, gjithashtu, edhe si një garanci për integrimin evropian të vendit.

Ministrja tha se sot, arsimi ka probleme që lidhen me edukimin, ku shpeshherë përmes teksteve dhe orëve të mësimit, përmes aktiviteteve ekstrakurrikulare, etj.  ndërtohen stereotipat e ndara mes vajzave dhe djemve.

“Ne po orientojmë në një mënyrë të re kurrikulën e arsimit parauniversitar, e cila fillon që në moshë të hershme, kur fëmija është tre vjeç, sepse siç tregojnë dhe studimet evropiane, shumë shprehi, aftësi dhe cilësi, formësohen qysh në këtë moshë të hershme. Kurrikula e re i largohet standardit që i orienton nxënësit vetëm drejt objektivave të lëndës, por kemi orientuar kurrikulën e re, sipas direktivave të BE-së, drejt kompetencave për të mundësuar që të gjithë djemtë dhe  vajzat e Shqipërisë të jenë të aftë për tregun e punës”, tha ministrja Nikolla.

Ndër të tjera, ministrja iu referua edhe projektit “Shkolla si Qendër Komunitare”, i cili synon që të rinjtë dhe të rejat shqiptare të kenë mundësi të shprehin aftësitë, talentin, energjitë, jo vetëm për atë që ndodh në orët e mësimit, por edhe në atë që ndodh më pas, duke evidentuar atë çfarë ndodh në komunitet dhe problemet që hasin të rinjtë dhe të rejat shqiptare.

“Që në ditën e parë kur kam hyrë në politikë, kam besuar fort se me gjithë përgjegjësinë tonë politike, ne duhet të ofrojmë një model suksese, jo vetëm për gratë, por edhe për burrat në mënyrë që të kuptohet se ia vlen të mbështetet një grua për nivelin e ri të përgjegjësisë që ajo përcjell”, tha Lindita Nikolla.

Në lidhje me drejtuesit e drejtorive arsimore, ministrja tha se ka një barazi të plotë gjinore dhe po e njëjta situatë po ndiqet edhe për drejtimin e shkollave.