Ministry of Education and Sports

Arsimi i gjeneratës tjetër

Në kuadër të zbatimit të reformës së re kurrikulare, Ministria e Arsimit dhe e Sportit dhe Instituti i Zhvillimit të Arsimit vijon takimet me aktorët e jetës shkollore: drejtues, mësues, nxënës dhe prindër, në thelb të së cilave është diskutimi i risive që ka sjellë kurrikula e re e lëndës  së  Matematikës, e cila  synon  të  pajisë  nxënësit  me  modelet  e  të  menduarit matematik, me idetë bazë dhe strukturat matematikore, si dhe t’u zhvillojë atyre aftësitë llogaritëse dhe të zgjidhjes së problemit në jetën e përditshme. Një numër gjithnjë e më i madh i problemeve dhe situatave të ndeshura në jetën e përditshme pikë së pari i adresohet një niveli të mirë të të kuptuarit të matematikës, arsyetimit matematikor si dhe mjeteve të teknologjisë. Detyra e Matematikës si lëndë shkollore është t’u transmetojë nxënësve, krahas njohurive konkrete matematikore, edhe pikëpamje më të përgjithshme për proceset e të menduarit dhe marrjes së vendimeve, të cilat janë me rëndësi për një organizim aktiv dhe të përgjegjshëm të shoqërisë. Nëpërmjet lëndës së Matematikës, zhvillohet elasticiteti intelektual, aftësia për të gjykuar nga këndvështrime të ndryshme, përqendrimi, aftësia krijuese dhe fantazia. Gjatë takimit të zhvilluar në shkollën “Arben Broci” në kryeqytet u vu theksi tek hartimi i programeve, të cilat synojnë mësimin e matematikës, jo vetëm thjesht me zotërimin e koncepteve dhe të shprehive bazë, por edhe me përftimin e një aparati logjik dhe të një mjeti konciz të fuqishëm komunikimi. Gjithashtu temë kryesore e diskutimit me drejtuesit, mësuesit, nxënësit dhe prindërit ishin edhe sfidat që sjell zbatimi i kurrikulës së matematikës, si dhe mbështetja që do t’u jepet shkollave gjatë këtij procesi, përputhja e qasjes së re kurrikulare të lëndës matematikës me tekstet e reja, të cilat krijojnë kushte: për ndërtimin e njohurive nga vetë nxënësit; për zbatimin e njohurive matematikore në situata të jetës së përditshmë apo në fusha të tjera; për hulumtim, krijimtari dhe zhvillim talenti, përjetime dhe perceptimet e nxënësve, të mësuesve dhe të prindërve në lidhje me kurrikulën e matematikës si dhe rrugët që do të ndiqen për të përmirësuar në vazhdim kurrikulën, në klasat XI dhe XII.