Ministry of Education and Sports

Dita e sotme në RTSH-Shkollë ishte diçka krejtësisht ndryshe, ku në një prej orëve mësimore të gjuhës angleze u shfaqën Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Besa Shahini dhe Ambasadorja e SHBA Sh. S. Znj. Yuri Kim duke zhvilluar një bashkëbisedim interesant e prezantues, i cili kishte në fokus përdorimin e pyetjeve në anglisht.

Në fillim të bisedës, Ministrja Shahini nënvizoi se momentalisht po punohet shumë për organizimin e mësimit online dhe leksioneve arsimore në televizion. Në lidhje me këtë, Ambasadorja Kim u shpreh se ka dëgjuar mbi programin RTSH-Shkollë dhe kjo ishte edhe arsyeja pse donte t’i bashkohej.

Më pas, biseda ka vijuar lirshëm ku ministrja dhe ambasadorja kanë zhvilluar në anglisht prezantimet e tyre dhe kanë folur për hobet e tyre personale.

Gjatë bashkëbisedimit, Ministrja Shahini është shprehur se hobi i saj është piktura, ndërsa Ambasadorja Kim tha që pëlqen më së shumti leximin dhe të luajë në piano.