Ministry of Education and Sports

5 Maji: ëndrra për liri në imagjinatën e të rinjve

Sot ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, mori pjesë në aktivitetin e zhvilluar në ambientet e “Galerisë së Arteve”, ku gjimnazistë të talentuar nga shkollat e Tiranës zgjodhën një mënyrë alternative të përcjelljes së historisë dhe vlerave të vendit tonë nëpërmjet një aktiviteti kreativ, në ditën e 5 Majit.

Nxënësit kishin zgjedhur që përtej vizatimeve dhe pikturave të cilat synonin të përcillnin tematikën e kësaj date, të shpjegonin për të pranishmit, edhe përmbajtjen e frymëzimin nga buronte krijimtaria e tyre në këtë ditë të shënuar.

Nga ana e saj, e pranishme në këtë aktivitet, ministrja Nikolla, duke falënderuar dhe shprehur mirënjohjen për punën e këtyre nxënësve, vlerësoi këtë aktivitet jo vetëm për tematikën që përkon me ditën e dëshmorëve të kombit, por edhe me faktin se aktivitete të tilla do të jenë gjithmonë në vemendje të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Kjo si një politikë e vazhdueshme e kësaj Ministrie në kuadër të zhvillimit dhe inkurajimit të pjesmarrjes të sa më shumë të rinjve në këto aktivitete, duke i kthyer nisma të tilla në traditë të përhershme.

“Sot padyshim është një ditë e veçantë, sot është 5 Maj, pjesë e një memorie historike që secilin prej nesh e bënë të ndihet krenar për të gjithë atë sakrificë sublime që dëshmorët dhe heronjtë e luftës antifashiste nacional- çlirimtare bënë për ta parë Shqipërinë të lirë. Ndiehem akoma më krenare që mësues dhe nxënës të gjimnazeve të Tiranës, janë bërë pjesë e një kremtimi të kësaj dite historike në një mënyrë kaq të bukur dhe kaq pasionante. Krahas falënderimit për punën që ju bëni, lejomëni t’ju garontoj që jo vetëm Ministria e Arsimit, por edhe me Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, e Ministrinë e Kulturës, do të jemi bashkë për t’ju mbështetur në aktivitete të tilla. Unë do t’ju ftoja që kësisoj aktivitetesh t’i kthejmë në një traditë, duke ndërtuar plane konkrete pune dhe të ftojmë jo vetëm këto shkolla që janë këtu por të gjitha shkollat anë e mbanë vendit. Ndiehem mirë që shkollat shqiptare, janë pëfshirë edhe në një projekt tjetër të rëndësishëm që lidhet pikërisht me një koncept të ri përmes kulturës, që çdo  i ri në shkollë është bërë një mik i një monumenti, jo vetëm duke u kujdesur për monumentin por edhe duke mundësuar që këto vepra të mëdha të kthehen në një vend të rëndësishëm ku zhvillohet mësimi kreativ, mësimi ndryshe, një eksperiencë që të bënë të prekësh drejtpërdrejtë veprën shqiptare të gdhendur në këto galeri e monumente.” – u shpreh ministrja Nikolla.

Në javët në vazhdim, aktiviteti do të vazhdojë me punime të tjera, ku nxënësit do të kenë mundësi të votojnë për punimet më të mira të shokëve të tyre. Ndërkohë, që këto ditë, në ambientet e MMSR do të shfaqen dhe tre filma me tematikën e kësaj dite.