Ministry of Education and Sports

100 Vjetori i themelimit të shkollës së Trebishtit

Fjala e ministres Nikolla, me rastin e festimit të 100-vjetorit të themelimit të shkollës së Trebishtit, Gollobordë:
 
Të dashur mësues dhe nxënës të shkollës 9-vjeçare “10 Dëshmorët”, Trebisht!
 
Të dashur të pranishëm dhe të ftuar të tjerë!
 
Ndihem e lumtur sot, në këtë ditë të madhe feste për qytetarët e Trebishtit, por edhe për krahinën e Gollobordës dhe më gjerë, që jam bashkë me ju për të kujtuar dhe përjetuar bashkërisht një ngjarje me rëndësi historike për zhvillimin e arsimit në qarkun e Dibrës, hapjen e shkollës shqipe në prill 1914 në Trebisht, në të njëjtën kohë me simotrën e saj, shkollën shqipe në Peshkopi.
 
Vëndimi i Qeverisë së Vlorës për hapjen e këtyrë dy shkollave nuk ishte i rastësishëm. Duke qenë dy nga kryqendrat më të populluara në qarkun e Dibrës, prej kohësh kishin filluar të shquheshin në gjallërimin e lëvizjes patriotike, në kuadër të shpërbërjes së perandorisë Osmane. Ndërkaq, ndikim të posaçëm pati organizimi i Kongresit të njohur të Dibrës, mbajtur më 23 korrik 1909, dhe sidomos shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 1912, ngjarje madhore këto, të cilët vunë në rend të ditës zgjimin e vetëdijes kombëtare, ndër të tjera edhe me përhapjen e ideve iluministe të Rilindjes, sipas devizës Naimiane “Dhe drita e diturisë përpara do të na shpjerë”.
 
Prej shumë kohësh, populli i Trebishtit e ka bërë traditë që të përkujtojë këtë datë të shënuar në çdo përvjetor, duke e bërë atë pjesë të pandarë të ndërgjegjes historike, kulturore dhe arsimore. Këtë vit, që kjo ngjarje përkon me 100- vjetorin e hapjes së kësaj shkolle, na jep rastin që, nga lartësia njëshekullore, të zgjatim vështrimin 10 dekada më parë, në mugëtirën e fillimit të shekullit XX, kur nisi rrugëtimin shkolla e parë shqipe në Trebishtin e Gollobordës, e cila, përmes sakrificash e pengesash të shumta, u rrit dhe u zhvillua me mbështetjen e pakursyer të brezave të mësuesve të përkushtuar, nxënësve shembullorë të etur për dije dhe kulturë dhe të prindërve të devotshëm.
 
Të shumtë janë protagonistët që meritojnë nderim të veçantë për atë që ditën dhe arritën të bëjnë; Mes tyre nuk janë të paktë edhe mësuesit e spikatur, që me kontributin e tyre u bënë përfaqësues të brezit të mësuesve, të kohës së tyre. Të tillë janë: Ramiz Qatja, mësuesi i parë i shkollës së Trebishtit, mësuesit e tjerë dibranë: Ramadan Sefedini, Aqif e Nazmije Pasholli, Xhevat Sadiku, Selim Alliu “Mësues i Popullit”, Islam Hoxha etj. Histori të veçantë përbën kontributi i normalistëve nga qytete të ndryshme të vendit, përfshirë këtu dy normalistët nga fshati Trebisht, Mehmet Çadri dhe Mustafa Shahinaj, të cilët pjesën më të madhe të veprimtarisë së tyre arsimore ia kushtuan zhvillimit dhe konsolidimit të shkollës së Trebishtit. Me njohuritë e gjera që fituan si në fushën e mësimdhënës dhe drejtimit në shkollat e qarkut të Dibrës, ata e shndërruan shkollën e Trebishtit në një qendër të shkëmbimit të përvojës pedagogjike për mësuesit e rinj që patën rastin të shërbejnë në këtë shkollë. Prandaj mësuesit, komuniteti dhe ish-nxënësit e shkollës së Trebishtit nuk kanë kursyer mirënjohjen e tyre për përkushtimin e këtyre mësuesve  shembullorë.
 
Qëndrimi që ka mbajtur populli i Trebishtit në vite dhe dekada ndaj shkollës dhe gjuhës shqipe, me betejat e fituara për zhdukjen e analfabetizmit, zgjerimin e rrjetit të shkollave, zbatimin e arsimit të detyruar, masivizimin e arsimit 8 e 9-vjeçar, si dhe rritjen e cilësisë në shkolla, e ka konfirmuar gjithnjë e më shumë Trebishtin dhe Gollobordën si një nga zonat më arsimdashëse.
 
Përvoja jetësore i ka bindur gollobordasit brez pas brezi se puna dhe dija janë binom i pandarë që sjell sukses dhe siguri në jetë. Shkolla mbetet tempulli më i lakmuar dhe më i frekuentuar, ku fëmijët prekin ëndrrat e tyre për të ardhmen. Për më tepër, këto ëndrra bëhen akoma më të bukura, kur zenë fill në një shkollë të re, plot dritë e jetë, që po inagurohet për nxënësit e Trebishtit në këtë 100-vjetor.
 
Progresi për një të ardhme më të sigurtë ka nevojë për idetë dhe energjitë e të rinjve dhe të rejave. Ne presim shumë edhe nga të rinjtë e të rejat e zonës së Gollobordës. Këto energji që shkolla gjeneron do të jenë fokusi i gjithë punës sonë në arsimimin e brezave të rinj.
 
Sot ne vetëm sa dëshirojmë të shprehim urimin e zemrës për festimin e përvjetoreve të tjerë më të bukur dhe më të gëzuar, për këtë shkollë  njëshekullore, vatër drite, burim diturie dhe prosperiteti.
 
Gëzuar 100-vjetorin! Gëzuar ndër vite dhe dekada!