Ministry of Education and Sports

 

Me rastin e 1-vjetorit të themelimit të tij, “Parlamenti i Nxënësve” të Shqipërisë është mbledhur në ambientet e parlamentit shqiptar.

 

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi, në fjalën e saj theksoi se gjatë muajit të parë në detyrë i ka prekur nga afër të gjitha ato punë të shkëlqyera që përfaqësuesit e “Parlamentit të Nxënësve” kanë bërë.

 

“Komunikimi me ju ka qenë shumë intensiv sidomos gjatë muajve të parë të pandemisë kur na u desh që të izoloheshim dhe mësimin ta zhvillonim në kushte nga shtëpia. Ju na keni ndihmuar në shumë drejtime për të marrë vendime sa më të drejta dhe për të ndërhyrë aty ku duhet me vendimet tona”.

 

Ministrja Kushi nënvizoi se shfaqjen e fenomenit të ri të bullizmit ndaj nxënësve që ishin të prekur nga koronavirusi, ishin anëtarët e “Parlamentit të Nxënësve” ata që e konstatuan të parët.

 

“Na e sollët dhe ne ndërhymë në mënyrë të menjëhershme në komunikim me drejtuesit e shkollave, me mësuesit, me punonjësit psiko-social dhe arritën ta ndalnim në kohën e duhur përhapjen e këtij fenomeni. Natyrisht, tani e kemi shumë në vëmendje pikërisht falë insistimit dhe konstatimit tuaj.” – tha ajo.

 

Edhe për vlerësimin se si po shkonte mësimi online, ishin këta përfaqësues që ndihmuan që të kuptohej më mirë nga këndvështrimi i tyre se cilat ishin vështirësitë konkrete.

 

“Cilat ishin lëndët që mund të zhvilloheshin online, dhe cilat ishin ato ku ju kishit më shumë vështirësi. Çfarë vështirësie kishin mësuesit tuaj gjatë komunikimit me ju. Këto na ndihmuan që të ndërhyjmë dhe të marrim vendime të drejta”- u shpreh ministrja.

 

Në lidhje me vendimin për hapjen e shkollave në 14 shtator, ministrja Kushi tha se ishte një vendim që u konsultua jo vetëm me kolegë, ekspertë dhe vendet e tjera nga Evropa e bota, por më parë u konsultua në mënyrë intensive me përfaqësuesit e Parlamentit të Nxënësve.

 

“Për ne ishte një vendim i vështirë, por falë jush ne e morëm vendimin e duhur për kushtet tona. Për ne është shumë e rëndësishme që nxënësit të shkojnë në shkollë, ta bëjnë mësimin në bankat e shkollës, të kenë komunikim me njëri-tjetrin dhe mësuesit”- tha Ministrja Kushi.

 

Ajo shtoi se nxënësit përfaqësues po ndihmojnë shumë për ndërgjegjësimin e bashkëmoshatarëve për respektimin e rregullave.

 

“Ne do ta forcojmë akoma më shumë këtë bashkëpunim. Ky parlament i nxënësve do të vazhdojë gjatë të jetë këshilluesi më i mirë i MASR. Zëri juaj është gjithmonë zëri im. Sfidat që keni ju çdo ditë në shkollë, janë sfidat e mia në këtë detyrë.” – theksoi ministrja Kushi.

 

Gjatë mbledhjes së Parlamentit të Nxënësve u bë prezantimi i disa nismave e projekt-ideve të veçanta si “Digjitalizo 1 Nxënës”, “Panairi i punës online”, nisma “Pastro Qytetin Tënd”, “Parandalimi i Bullizmit për Shkak të Prekjes nga Covid-19”, projekti “Informatikanët e Rinj” dhe projekti “Katalogu për Universitetin”.

 

“Parlamenti i Nxënësve” të Shqipërisë u krijua si një organ përfaqësues i qeverive të nxënësve në nivel kombëtar, me qëllim forcimin e pjesëmarrjes aktive të qeverisë së nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të Shqipërisë në proceset e vendimmarrjes dhe në rritjen e cilësisë së procesit arsimor.

 

140 anëtarët mblidhen së bashku tre herë në vit, për të diskutuar çështjet e rëndësishme për ta dhe bashkëmoshatarët e tyre, si dhe për iniciuar aktivitete në nivel kombëtar.

https://www.facebook.com/103464624802314/posts/145877143894395/?d=n