Ministry of Education and Sports

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Lindita Nikolla në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Fakultetit të Shkencave të Natyrës

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Lindita Nikolla mori pjesë dje në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, të Universitetit të Tiranës. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Rektori i Universitetit të Tiranës, dekanë, pedagogë, prindër dhe studentë të këtij fakulteti. Në një atmosferë festive, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Lindita Nikolla, në fjalën e saj përshëndetëse falënderoi studentët, pedagogët dhe prindërit e pranishëm.

Ministrja Nikolla u shpreh se ndihej dyfish e nderuar, së pari si një ish-studente e këtij Fakulteti dhe së dyti, sepse merrte pjesë si Ministre e Arsimit dhe Sportit. “Besomëni, nuk kam ndjerë në jetën time emocione kaq të mëdha. Zemra po më rreh fort si 23 vite më parë kur isha studente e Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Është një mall i pashoq kur shoh, në fakt profesorët e mi të nderuar, të cilëve u përulem me respekt. Është një respekt që në vite të përkushtimit tim si mësuese e matematikës e më pas në politikë u përkthye në përgjegjësi, në ndershmëri, në punë të palodhur për të arritur sukses”, -tha ajo duke falënderuar profesorët e nderuar që me përkushtim punuan për të përgatitur studentët e tyre. 
Ministrja Nikolla u shpreh se ndihej e sigurt që ka ardhur koha që të thyhen barrierat e së shkuarës dhe të punohet fort për përforcimin e aftësive dhe shtimin e njohurive, të shoqëruara nga toleranca dhe respekti ndaj tjetrit si qytetarë të Evropës.

Duke u ndalur në programin e Qeverisë së re, ministrja Nikolla, theksoi se politika ekonomike është një faktor përcaktues për zhvillimin e vendit dhe se së pari do të investohet për kapitalin njerëzor, duke nisur me rritjen e buxhetit për arsimin, për një arsim cilësor dhe të aksesueshëm nga të gjithë. 

“Sot, që flasim, ne kemi nevojë për mësues të profilit shkencor. Sot na mungojnë mësues të matematikës, fizikës, kimisë, biologjisë, prandaj kjo është arsyeja se pse qeveria jonë do të ketë në fokus arsimimin e të rinjve në shkencat natyrore, teknike dhe bujqësore, përmes aplikimit të burimeve dhe incentivave të nevojshme, si një fushë paraprijëse e zhvillimit shoqëror, ekonomik dhe kulturor”- tha Ministrja.

Ministrja Nikolla i siguroi studentët se Ministria që ajo drejton dhe gjithë Qeveria, në bashkëpunim me partnerë të tjerë ndërkombëtarë, me shoqërinë civile, do të bëjnë maksimumin për ta, si e ardhmja e këtij vendi, si e ardhmja e gjeneratës së Shqipërisë tjetër. “Duke larguar njëherë e përgjithmonë politikën nga shkollat dhe universitet dhe duke i kthyer këto institucione të dijes, tempull të shprehjes hapur dhe lirshëm të mendimit dhe të debatit konstruktiv, pasi vetëm kështu ne mund të ecim përpara”, – nënvizoi Ministrja.

Znj. Lindita Nikolla së bashku me pedagogët, në përfundim të ceremonisë, shpërndau diplomat për studentët më të mirë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës.