Ministry of Education and Sports

Gjuha dhe Teknologjia, një qasje e re për një arsim cilësor

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, mori pjesë në konferencën e organizuar nga “British Council” me temë “Shqipëria, gjuha angleze, një përqasje e re”. Gjatë fjalës së saj, znj. Nikolla i cilësoi gjuhën dhe teknologjinë një perspektivë të re në njohjen e gjuhës angleze, një binom që shënon horizontin dhe edukimin e brezave të rinj në mbarë vendin tonë. “Ne kemi sot nevojë që të rinjtë, fëmijët tanë, të ndihen aktorë aktivë në ndryshimet globale, të jenë përkrah bashkëmoshatarëve të tyre kudo që ata ndodhen, në sfidat me të cilat do t’i përballë e nesërmja e tyre e afërt, e ardhmja jonë e shumëpritur. British Council mbetet një prej partnerëve kryesorë në sfidën e edukimit të brezave në vendin tonë. Gjuha angleze dhe njohja e saj gjithnjë e më e thelluar, gjithnjë e më e konsoliduar, ndërthurur me përdorimin e teknologjisë, përfaqësojnë një dritare, një mundësi të mirëfilltë që duhet kapur e pranuar në sfidën tonë për një edukim cilësor, për një arsimim cilësor të gjeneratës tjetër, si e vetmja mundësi për të garantuar shanse të barabarta për të gjithë”, u shpreh ministrja e Arsimit dhe Sportit.

Arsimi dhe edukimi i gjeneratës tjetër janë në vizionin e Ministrisë së Arsimit dhe të Qeverisë si një e mirë publike që i përket komunitetit, një sfidë që kërkon përfshirjen aktive të të gjithë aktorëve në kuadrin e një partneriteti të ri të shtrirë në të gjitha nivelet, u shpreh znj. Nikolla.

“Ne synojmë projektimin e shkollës shqiptare jashtë kufijve materialë të një godine apo të një kurrikule, jashtë kufijve territorialë të vendit. Ne synojmë një shkollë të hapur ndaj komunitetit, një shkollë të hapur ndaj përvojave bashkëkohore më përparimtare, sepse qartësisht ne kemi projektuar brezat dhe të nesërmen tonë në gjirin e familjes europiane. Ju do të jeni partnerë aktivë në zbatimin me ritëm energjik të njërës prej nismave tona si Ministri, nismë që prezantuam vetëm pak ditë më parë dhe ku ftuam të gjithë partnerët tanë të bëhen aktorë kryesorë në realizimin e projektit “Shkolla si Qendër Komunitare”, deklaroi znj. Nikolla.

Duke e cilësuar gjuhën angleze një dritare drejt një bote informacioni, njohurish dhe arritjesh në të gjithat fushat e studimit dhe kërkimit mbarëbotëror, ministrja Nikolla deklaroi se reforma e Maturës Shtetërore dhe gjuha angleze si pjesë e provimit shtetëror duhet të shikohen më në thelb dhe në brendësi. Është e rëndësishme të identifikohet fakti nëse shkolla shqiptare është e përgatitur mjaftueshëm për ta bërë gjuhën e huaj pjesë të provimit të Maturës Shtetërore. Në këtë konferencë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Këshilli Britanik, mësues dhe drejtorë të pranishëm ndanë së bashku mendimet e tyre për një zgjidhje sa më të mirë. Kjo do të pasohet nga tryeza dhe grupe të tjera pune, me qëllim krijimin e frymës së bashkëpunimit për një arsim cilësor.