Ministry of Education and Sports

Një standard i ri komunikimi me Universitetet jopublike

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, zhvilloi një takim me rektorët e universiteteve jopublike. Gjatë këtij takimi konsultativ u diskutuan shqetësime dhe kërkesa të drejtuesve të institucioneve arsimore jopublike. Për zgjidhjen sa më parë të probleme që u ngritën, znj. Nikolla u zotua personalisht dhe institucionalisht.

Gjatë takimit, ministrja e Arsimit dhe Sportit garantoi rektorët e pranishëm për përfshirjen e tyre në reformën e domosdoshme në sektorin e arsimit të lartë publik dhe privat. “Ne ju konsiderojmë pjesë të rëndësishme të punës sonë dhe të përmbushjes së misionit për një sistem arsimor të lartë me cilësi dhe rezultat. Rritja e cilësisë së arsimit universitar është kryefjalë e punës sonë të përbashkët, për të cilën do t’ju nxisja të përfshiheshit maksimalisht. Takime si ky, në të ardhmen e afërt do të konvertohen në tryeza institucionale, që të pasohen me politikëbërje objektive”, u shpreh znj. Lindita Nikolla.

Duke u ndalur te çështja e cilësisë së programeve, standardeve bashkëkohore dhe punës kërkimore, ministrja e Arsimit dhe Sportit deklaroi përpara rektorëve se MAS do të mirëpresë të gjitha propozimet e institucioneve të arsimit të lartë publik dhe jopublik, por gjithçka do të jetë e barabartë dhe do të aplikohet një standard i njëjtë për të gjithë.

Gjatë këtij takimi, znj. Lindita Nikolla u bëri të ditur rektorëve se Këshilli Britanik (British Council) dhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar i ka dhënë përgjigje pozitive kërkesës së MAS-it për gjetjen dhe financimin e ekspertëve ndërkombëtarë për vlerësimin paraprak të sistemit të sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë në vend dhe për të hartuar modalitetin e pajtimit të një agjencie ndërkombëtare për akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë në Shqipëri. “Kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme për ne, por edhe për ju. Kjo praktikë, e pazbatuar më parë, synon rritjen e cilësisë përmes plotësimit të standardeve bashkëkohore për akreditimin e universiteteve”, u shpreh ministrja Nikolla.

Asnjë ligj i ri për sistemin e arsimit të lartë nuk do të hyjë në fuqi pa u diskutuar fillimisht me grupet e interesit, me përfaqësuesit dhe rektorët e universiteteve, garantoi të pranishmit ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla.

Nga ana e tyre, rektorët përshëndetën nismën e MAS-it për akreditimin e IAL-ve përmes një kompanie anëtare të ENQA-s dhe vlerësuan maksimalisht frymën dhe mesazhet që MAS po ofron, nën drejtimin e ministres Nikolla, duke mundësuar një standard të ri komunikimi me ta.