Ministry of Education and Sports

Sporti i Gjeneratës Tjetër: Një epokë e re për kulturën sportive

Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla mori pjesë në tryezën e organizuar nga Drejtoria e Sportit, në MAS, me tematikë: “Zhvillimi i kulturës sportive te brezi i ri me qëllim integrimin e kësaj kulture në të gjitha  shkollat e vendit”. Në tryezë u trajtuan tema që lidhen me sportin e gjeneratës tjetër, ku të gjithë të pranishmit theksuan rëndësinë e përfshirjes së kulturës sportive në shkollat tona.

 “Jemi të orientuar për të parë realitetet në sy, jo vetëm për të evidentuar ?farë nuk është bërë mirë në sportin shqiptar, por edhe për ta tejkaluar këtë situatë, duke u bashkuar të gjithë me një arsye më shumë për ta ndryshuar këtë realitet dhe për ta transformuar gjendjen e sportit elitar shqiptar”, deklaroi znj. Lindita Nikolla.

Duke theksuar disa nga arritjet e Qeverisë dhe të MAS-it në 100 ditët e para të qeverisjes, Ministrja e Arsimit dhe Sportit u ndal  tek gjendja aktuale e terreneve sportive “të katandisura si mos më keq”. Më tej znj. Nikolla duke prezantuar strategjinë që do të ndjekë Drejtoria e Sportit në MAS, kërkoi përfshirjen e sportistëve më të mirë në programet e zhvillimit dhe modernizimit të sportit elitar në vendin tonë.  

“Drejtoria e Sportit që funksionon në MAS do të jetësojë programe të qarta pune, por ajo që do të përbëj bazën e kësaj pune, është fryma e re që ne kërkojmë nga të gjithë ju,  jo vetëm nga ata që kanë përgjegjësinë si funksionarë të shtetit, por për të ndërtuar mes nesh një partneritet duke filluar nga unë e para, pasi Ju keni ekspertizën e nevojshme që ndërhyrjet të jenë efiçente, afatgjata dhe  me impakt të rëndësishëm”, u shpreh Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla. 
 

 

Fjala e plotë e Ministres Nikolla:
 
Të nderuar pjesëmarrës, lejomëni t’ju shpreh mirënjohjen e plotë, por të plotë fare, nga zemra për gjithçka që keni bërë këto vite për sportin shqiptar. Unë shoh këtu personalitete të shquara dhe të nderuara të shoqërisë që krahas  sportit kanë dhënë shumë nga profesionalizmi , energjia  dhe përkushtimi i tyre në shumë e shumë aspekte të shoqërisë shqiptare, ndaj lejomëni t’ju them me sinqeritet të thellë dhe të plotë edhe në funksion të detyrës që kam si Ministre e Arsimit dhe Sportit, sepse gjithësecili prej jush në këtë sallë është një arsye më shumë që unë të punoj fort si një sportdashëse dhe një politikëbërëse për të transformuar njëherë e mirë gjithçka që ndodh në sportin shqiptar të atdheut tonë. Muhamed Ali thoshte: “Kam urryer çdo moment të stërvitjes por i kam thënë vetes sime mos u dorëzo. Vuaj tani dhe jeto pjesën tjetër të jetës si një kampion”. Unë do të doja këtë thënie të këtij kampioni të madh ta kthenim në një aksiomë përkushtimi të përbashkët me secilin prej jush për t’i dhënë mundësinë çdo të riu dhe të reje të pasionuar, çdo talenti të sportit shqiptar për të jetuar realisht si një kampion. Lejomëni, të nderuar pjesëmarrës, të shpreh respektin për punën plot pasion që është bërë nga hartuesit e programit të kësaj Qeverie për sportin. Jemi të orientuar për të parë realitetet në sy, jo vetëm për të drejtuar gishtin drejt punëve që nuk janë bërë mirë për sportin shqiptar, por për të tejkaluar këtë moment për të qenë të gjithë bashkë, si një arsye më shumë për ta ndryshuar këtë realitet dhe për ta transformuar atë që sot sillet në Shqipëri, jetohet në Shqipëri, jo thjesht si pjesë e sportit elitar, por për të formëzuar një frymë të re të të rinjve dhe fëmijëve shqiptarë, madje që në kopsht për një edukatë të shëndetshme, pasionante dhe suksesi, një edukatë gare, shpirti skuadre, që askush më mirë se sporti nuk e edukon. Të vetëdijshëm për diçka që ndoshta është bërë keq, apo jo në lartësinë e duhur ndër vite, por duke e parë gjithmonë e më shumë si një përgjegjësi të re për të ndryshuar këto realitete, jam me zemër e shpirt e vendosur si një sportdashëse, ashtu sikurse dhe ju, plot pasion për të mundësuar shumë tryeza si kjo në mënyrë që ne të bëjmë të mundur  jetësimin e atij programi që gjeti jehonë kudo në Shqipëri, programit për sportin. 

Ju i dini hallet dhe shqetësimet, por  ne, në këto 100 ditë të para të qeverisë, padyshim e kemi parë edhe këtë pjesë të detyrës sonë, veshur me përgjegjësi të reja do të thoja. Kam një arsye të krenohem, pasi kam firmosur Statutin e Komitetit Olimpik Shqiptar. Kishte vite që kjo gjë nuk realizohej, për arsye që sigurisht nuk ishin arsye. Firmosja e këtij statuti është vetëm një moment i parë që do të pasohet padyshim me më shumë projekte dhe vendimarrje të reja jo vetëm për Komitetin Olimpik, por për sportin në tërësi.

Kemi gjetur terrene sportive të shkatërruara, burime njerëzore të lëna në harresë, apo dhe vetë organizma sportivë të ç’organizuar. Në të gjithë kontaktet që unë kam pasur me njerëz të talentuar të sportit, sikurse edhe me  profesionistë të fushave të ndryshme, kam konstatuar krahas  këtyre mangësive edhe një mangësi tjetër të madhe e cila është si ai tharmi na pengon  të përparojmë në gjithë programin tonë për sportin. Kjo ka të bëjë me ligjin për sportin. Duke degjuar këto talente, këto njerëz që për vite i kanë dhënë sportit shqiptar ne po procedojmë nisur edhe nga këshillat dhe vëmendjet e këtij takimi të sotëm, me gjithë referencat profesioniste që kanë të bëjnë me një ligj të ri për sportin. Duke rishikuar masën e ndryshimeve që duhen bërë në ligjin ekzistues për të shkuar drejt një ligji të ri për sportin që do të rivitalizojë situatën, por dhe do të jetësojë ndryshimet që secili nga ne i pret. Në këtë prespektivë të re ndihma juaj është e vyer. Drejtoria e Sportit që funksionon në MAS do të jetësojë programe të qarta pune, por ajo që është e dhëna bazë është fryma e re që ne kërkojmë nga të gjithë dhe jo vetëm nga ata që kanë përgjegjësinë si funksionarë të shtetit, por për të ndërtuar një partneritet duke filluar nga unë e para. Duke dëgjuar realisht dhe jo vetëm duke u dashuruar pas ideve tona, por duke investiguar dhe duke degjuar specialistët më të mirë të fushës ku jeni ju, ata që  keni dhënë pasionin dhe vitet e rinisë duke i sjellë këtij vendi përmes talentit tuaj, krenarinë e të qenurit shqiptar. Ju keni ekspertizën e nevojshme që ndërhyrjet të jenë efiçente, afatgjata dhe me impakt të rëndësishëm.

Doja të ndaja me ju edhe një moment tjetër të ri që ne kemi startuar në këto 100 ditë të parë të qeverisjes. Ka të bëjë me filozofinë e re që programi ynë për sportin mëton të sjellë në mjedisin shqiptar. Në fakt nuk është e re, pasi ne vijmë nga një traditë goxha e vyer në këtë fushë, atë të sportit në shkolla. Është e patolerueshme që në shkollat shqiptare të arsimit tonë parauniversitar, të kemi këtë situatë që lidhet me edukimin fizik, qoftë në kuptimin e orëve mësimore që zhvillohen në arsimin parauniversitar që nuk e justifikojnë filozofinë që sporti ofron dhe mundëson tek të rinjtë tanë, por edhe në një kuptim tjetër në dekadencën dhe humbjen e plotë të gjithë atij sistemi të vlerave që ne kishim në arsimin tonë të ngritjes së ekipeve zinxhir, apo klasave sportive. Ndaj kemi filluar jo vetëm me një studim të plotë të situatës në çdo shkollë të Shqipërisë, duke investiguar terrenet sportive dhe situatën që lidhet me burimet njerëzore përsa i përket mësuesve të edukimit fizik që është shumë domethënëse, por edhe me masat e para që ne fillojmë në janar përmes një ekspertize në 13-të  DAR-et në gjithë Shqipërinë, duke çuar një ekspert të edukimit fizik për të mundësuar gjithë qasjen që kemi për sportin në shkolla. 

Kemi ngritur një grup pune, i cili po punon për një kategorizim të sporteve mbi bazën e cilësisë së tyre, bazë mbi të cilën do të bëhet dhe kategorizimi i investimeve buxhetore. Eshtë shumë e rëndësishme që ne të adresojmë buxhetin për sportin drejt cilësisë duke punuar fort me rezultatet, duke stimuluar fort talentet dhe duke stimuluar fort edhe projektet që sjellin një impakt gjithnjë e më të madh  në jetën e të rinjve shqiptarë. Është një operacion i vështirë dhe ne jetojmë në një situatë të vështirë edhe buxhetore, por lejomëni t’ju them që kam zgjedhur që për aq sa ditë do të jem në këtë detyrë si Ministre e Arsimit dhe Sportit, të mos fshihem pas vështirësive dhe gabimeve të së shkuarës për të justifikuar atë që unë kam për detyrë të bëj. Ndaj duke parë secilin prej jush në sy, lejomëni t’ju garantoj dhe të zotohem që vullneti dhe dëshira është dhe kur këto janë  duke punuar me përkushtim padyshim gjenden edhe buxhetet. 

Në tryeza të caktuara ne do të flasim edhe se si do të çelim shtigje të reja dhe  mundësi të reja që do t’u vijnë pikërisht investimeve buxhetore në sport. Në të njëjtën kohë do të vijojmë të punojmë edhe për privatizimin e klubeve sportive. Drejtoria e Sportit në bashkëpunim me grupin e punës së programit, ka arritur të ndërtojë një rreth funksional për të drejtat televizive, shfrytëzimin e stadiumeve dhe sponsorizimin, pa të cilat nuk mund të arrihet ky qëllim i rëndësishëm. Ne jemi në një komunikim të vazhdueshëm me federatat sportive për të mundësuar një startim të ri. Nuk dua ta përmend, por është e patolerueshme që ne të jemi në këtë lloj vakumi në të cilën është Federata,  ku sot takoj një president dhe nesër më duhet të takoj një tjetër, përsëri për të njëjtën federatë. Do të japim përmes një komunikimi të vazhdueshëm qartësie dhe qetësie në vendimmarrje edhe një formëzim të ri. Për këtë, të nderuar pjesëmarrës, unë kërkoj gjithë vëmendjen dhe ndihmën tuaj të vyer dhe të çmuar. Në 36 shkolla pilot që janë zgjedhur për të filluar të parat projektin, “Shkollat, qendrat komunitare” do të jenë modele për zhvillimin dhe më tej të sportit në shkolla.

Ne mundësuam çlirimin e hapësirave të shkollave tona nga aktivitete që ato kanë me të tretët, sepse nga një monitorim i yni rezultoi që shumë territore të shkollave që mund të funksiononin për aktivitetet sportive, ishin të dhëna në mënyrë të padrejtë. Falënderoj të gjithë ata drejtues të arsimit që iu përgjigjën këtij momenti për të patur sot një mjedis të çliruar të shkollave. Jemi të vendosur dhe po e institucionalizojmë këtë marrëdhënie duke mundësuar një kontratë të re dhe një partneritet të ri midis prindërve, drejtorive të shkollave dhe qeverisë. Aktivitetet dhe talenti këta të pasionuar të sportit do t’i vijojnë  në shkolla në këtë kuadër të ri të përmirësuar në një proces transparent që lidhet me projektin tonë të madh “Shkollat qendra komunitare”. Ne po fillojmë punën për çeljen e klasave sportive, qasjen e llojit të sportit me territorin, me traditën e komuniteteve të caktuara në mënyrë që të kemi një kombinim midis pasionit të të rinjve dhe mundësisë që ne kemi për mbështetje në burime njerëzore. 

Në këtë proces është shumë i rëndësishëm partneriteti që ne do të ndërtojmë me universitetet, posaçërisht me Universitetin e Sportit. Falënderoj Rektorin e Universitetit të Tiranës për gadishmërinë, por njëherësh edhe për partneritetin në vijimësi për të mundësuar që Federata Universitare e Sportit të funksionoj realisht, për të patur në universitetet shqiptare, ashtu sikurse në Europën që ne duam të integrohemi,ato kampionate që kultivojnë një cilësi tjetër të kohës së lirë që lidhen me një edukatë të shëndetshme për jetën.

Më lejoni ta mbyll fjalën time, duke ju siguruar se do të jem një dëgjuese e mirë e sugjerimeve, kritikave dhe ideve tuaja, ashtu sikurse jam dhe një sportdashëse e mirë. Ju zotohem të gjithëve ju, se nuk i duhet ministres të dominojë komisionin antidoping, aty do të jenë mjekët profesionistë. Nuk i duhet politikës të dominojë komitete në të cilat flitet për specifika që lidhen sportin. 

Faleminderit!