Ministry of Education and Sports

Të angazhuar për një realitet më të mirë për të ardhmen e fëmijëve të ngujuar

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, priti në mjediset e Ministrisë një grup fëmijësh të cilët vuajnë ngujimin për shkak të fenomenit të gjakmarrjes.

Të shoqëruar nën masa të rrepta sigurie nga forcat e Policisë së Rendit, fëmijët u pritën në MAS me rastin e festave të fundvitit.

Ministrja Nikolla shpërndau disa dhurata simbolike për ta. “Nuk jam ndier ndonjëherë kaq mirë sa sot, pasi kjo zyrë nuk ka qënë ndonjëherë më e bukur dhe më e plotë sesa sot që jeni ju këtu. Së bashku me mësues të tjerë, ne do të bëjmë aktivitete të përbashkëta dhe shumë takime të tjera si këto. Unë do të vij shumë shpejt t’ju vizitoj dhe në shtëpitë tuaja. Unë jam mësuese matematike dhe me çdonjërin prej jush që ka qejf matematikën, do të mësojmë së bashku”, u shpreh znj. Nikolla.

Duke shprehur ndjeshmërinë personale dhe institucionale, ministrja e Arsimit dhe Sportit premtoi në emrin e saj dhe të Kryeministrit Edi Rama se e ardhmja e fëmijëve të ngujuar duhet dhe do të jetë krejtësisht ndryshe, si e çdo bashkëmoshatari të tyre. “Jua kemi borxh si prindër, në radhë të parë, por edhe si qeveritarë, që e ardhmja juaj të jetë krejtësisht ndryshe, ashtu siç është dhe e gjithë bashkëmoshatarëve të tjerë. Në këtë detyrim të përbashkët, ne do të kemi përkrah në ecjen tonë edhe prindërit tuaj dhe ndihmën tuaj për t’i dhënë fund kësaj plage të madhe dhe të turpshme që ndodh në Shqipëri. Përtej kësaj, ne jemi në një prag festash dhe unë do të doja t’ju uroja një vit të ri të gëzuar, edhe pse duket pak e vështirë për situatën që ju kaloni. Do t’ju uroja që të jetë dhe viti i dhënies fund të ngujimit në shtëpitë tuaja. Ju jap fjalën si nënë që do të bëjmë gjithçka mundemi së bashku që të mundësojmë një realitet të ri për të ardhmen tuaj”, deklaroi ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla.

Pas takimit, fëmijët e ngujuar vizituan mjediset e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, të shoqëruar nga vetë ministrja.