Ministry of Education and Sports

Komisioni për Reformën në Arsimin e Lartë, standard i ri në politik-bërje

Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla ishte e pranishme pasditen e së hënës në tryezën e diskutimit mbi themelimin për herë të parë të Komisionit për Reformën në Arsimin e Lartë. Veçantia e kësaj tryeze është se për herë të parë synohet të krijohet një komision i këtij niveli në vendin tonë. Nga ana tjetër ky komision i pavarur, përbëhet nga një staf teknikësh, personalitetesh nga bota akademike, që do të merren me Reformën e Arsimit të Lartë në vend. Qëllimi i krijimit të këtij komisioni është që sugjerimet për Reformën tërësore në Arsimin e Lartë të vinë nga teknicienë, të cilët pasi të jenë konsultuar dhe të kenë prodhuar një debat të gjerë me të gjithë sferën e botës akademike, universitetet, profesoratin dhe grupeve të interesit, do të dalin në një projekt-draft final, i cili do t'i dërgohet si Qeverisë ashtu edhe legjislativit. 

Fjalën e hapjes së kësaj tryeze e mbajti Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla, e cila shprehu entuziazmin dhe kënaqësinë për këtë ditë të veçantë në arsimin e lartë shqiptar.

Ministrja Nikolla garantoi të pranishmit dhe mbarë opinionin publik për  pavarësinë e plotë gjatë procesit të punës së komisionit, por mbi të gjitha mospërfshirjen qoftë edhe minimale të politikës në procesin aq shumë të rëndësishëm të reformimit të sistemit të arsimit të lartë në vendin tonë. “Ne të gjithë jemi këtu aktorë dhe përfitues të këtij shërbimi kaq shumë të rëndësishëm. Në mjediset tona, bisedat dhe tryezat e përbashkëta shprehemi se arsimi i lartë përballet me një moment vuajtjeje të pashembullt. Shpesh, lëvizjet kaotike apo të ashtëquajturat reforma të kryera nuk kanë mundësuar që sistemi i arsimit të lartë të jetë i qëndrueshëm dhe me standarde cilësore. Arsimi i Lartë ka një papërputhshmëri  në raport me zhvillimin e arsimit profesional.  Zhvillimi i profesioneve të ndryshme, apo mbipopullimi i disa profileve ka probleme. Kemi folur bashkarisht që në arsimin e lartë ka probleme me cilësinë e diplomave. Ne nuk e kemi problem masivizimin, por ai duhet të eci i integruar me cilësinë e diplomave”, deklaroi znj. Nikolla.

Kjo tryezë, vijoi më tej Ministrja Nikolla, është një qasje e re, një kthesë historike e cilësisë dhe modernizimit të sistemit të arsimit të lartë në vendin tonë, ku padiskutim asnjë vendimarrje nuk do të kryhet pa miratimin e grupeve të interesit dhe akademikëve të nderuar të Shqipërisë. “Më lejoni t’ju garantoj që është një standard i ri jo vetëm  për faktin që është hera e parë që vjen ky komision me një ekip të njerëzve të ditur të këtij vendi, por do t’ju garantoj se i gjithë procesi që do të vijojë dhe pasojë do të jetë i hapur dhe transparent, do të përfshijë edhe grupet e tjera të interesit, universitete, rektorë, profesorë, pedagogë dhe akademikë të shquar”, deklaroi Ministrja e Arsimit dhe Sportit. 

Më pas fjalën e mori prof. Arjan Gjonçaj, eksperienca e të cilit është e çmuar dhe vlerësuar nga institucionet më prestigjioze arsimore britanike. Z. Gjonçaj e vlerësoi unike nismën për krjimin e komisionit për cilësinë e arsimit të lartë. Z. Gjoncaj shpjegoi disa nga hapat që komisioni do të ndjekë deri në finalizimin e reformës për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë për brezat e gjeneratës së re. “Produkti i këtij komisioni do të sjellë standarde të reja në politik-bërjen dhe reformimin e thellë të arsimit të lartë. Ky komision i përbërë nga akademikë dhe teknicienë do të operojë me gjithëpërfshirje dhe pavarësi të plotë. Ky komision pas draftit të parë të reformës së arsimit, do të diskutojë me grupet akademike dhe grupet e interesit. Pas hartimit të draftit, qëllimi tjetër është kthimi  tij në ligj. Reformimi do të zgjasë disa vite, pasi situata në të cilën jemi nuk është fort e kënaqshme dhe puna jonë duhet të nisë fillimisht duke analizuar dhe pranuar situatën aktuale”, deklaroi Prof. Arjan Gjoncaj.

Të gjithë anëtarët e komisionit vlerësuan mbledhjen e këtij komisioni të pavarur dhe iniciativën e Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, nismë që synon të trajtojë thellë nga ana profesionale reformimin e sistemit të arsimit të lartë duke e larguar atë përfundimisht nga varësia politike.