Ministry of Education and Sports

Me sindikatat, për një cilësi më të mirë në arsim

Me kërkesë të Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës dhe Sindikatës së Pavarur te Arsimit, Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla, priti sot në një takim në ambientet e MAS përfaqësuesit e këtyre sindikatave. Në kuadër të dialogut social me sindikatat dhe nevojës për dëgjimin dhe bashkëpunimin me grupet e interesit, znj. Nikolla shprehu angazhimin e saj personal dhe të institucionit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për thellimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me këto sindikata partnere, në funksion të zbatimit të politikave arsimore të Qeverisë.

Zbatimi i reformës arsimore dhe veçanërisht arritja e objektivit për përmirësimin e cilësisë së arsimit në vendin tonë zuri një pjesë të konsiderueshme të takimit të Ministres së Arsimit dhe Sportit, znj. Nikolla me përfaqësuesit e këtyre sindikatave. Ministrja Nikolla, theksoi gjithashtu se marrëdhëniet ekzistuese midis MAS-it dhe sindikatave do të vazhdojnë të konsolidohen edhe në nivelin e dytë ndërmjet DAR/ZA-ve, si dhe seksioneve sindikale të sindikatave partnere, bazuar në dispozitat ligjore.

 
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e sindikatave vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehën angazhimin e tyre për trajtimin e problemeve madhore me të cilat përballet sistemi arsimor. Ftesa për bashkëpunim midis MAS-it dhe sindikatave, u prit me entuziazëm nga përfaqësuesit e sindikatave, të cilët mbështetën programin politik të Qeverisë Rama, si dhe reformat që ky program synon të zbatoj në këtë fushë. Arsimi cilësor, trajtimi i figurës së mësuesit, roli dhe personaliteti i tij, bashkëpunimi me prindërit dhe komunitetin, dhe vënia e shkollës në funksion jo vetëm të arsimimit por dhe të përçimit të edukatës qytetare dhe vlerave demokratike në mbarë vendin ishin ato tema për të cilat u vu theksi i të dyja palëve për nje bashkëpunim dhe kontribut gjithëpërfshirës.