Ministry of Education and Sports

Forcimi i sportit përmes qeverisjes së mirë

Ministrja e  Arsimit dhe e Sportit znj. Lindita Nikolla, mori pjesë ditën e hënë në seminarin e zhvilluar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) dhe Organizatat Evropiane Joqeveritare të Sportit me temë: “Forcimi i sportit përmes qeverisjes së mirë”.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit garantoi të pranishmit për angazhimin e saj personal dhe institucional për të bërë më shumë për sportin në vendin tonë.“Futja e konceptit të qeverisjes së mirë në sport, është një përforcim i mëtejshëm i faktit që vizioni dhe filozofia jonë qeverisëse bazohen tek disa prej parimeve themelore të një qeverie demokratike, siç janë: përgjegjshmëria, transparenca, demokracia e brendshme, përfaqësueshmëria, llogaridhënia dhe bashkëpunimi gjithëpërfshirës”, u shpreh ndër të tjera znj. Nikolla.

 

Më poshtë gjeni të plotë fjalën e mbajtur nga Ministrja Lindita Nikolla në seminarin në fjalë.  

 

Lejomëni që të shpreh kënaqësinë dhe njëkohësisht të falënderoj Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe përfaqësuesit e Bashkimit Europian që më ftuan sot për të qenë pjesëmarrëse në këtë seminar, kryefjala e së cilit është mirëqeverisja në sport.

Ndjehem njëkohësisht krenarë që pikërisht ky seminar sot ofron një koncept, i cili është fryma e vizionit tonë politik, atë të prezantimit të publikut me një element të ri, konceptin e “qeverisjes së mire”. Në këto dy dekadat e fundit, ky koncept i ri po merr gjithmonë e më shumë një rol kyç në teoritë qeverisëse.

Futja e konceptit të “qeverisjes së mire” në sport, është një përforcim i mëtejshëm i faktit që vizioni dhe filozofia jonë qeverisëse bazohet tek disa prej parimeve themelore të një qeverie demokratike, siç janë; përgjegjshmëria, transparenca, demokracia e brendshme, përfaqësueshmëria, llogaridhënia dhe bashkëpunimi gjithëpërfshirës.

Në fakt, këto janë parime shumë të rëndësishme për të gjitha funksionet qeverisëse në vend dhe sigurisht ato janë shumë të rëndësishme edhe ne qeverisjen e sportit.

Ministria e Arsimit dhe Sportit preferon ta fillojë punën nga parimi i “bashkëpunimit dhe gjithëpërfshirjes. Ne besojmë, se ka shumë për të bërë për të përmirësuar bashkëpunimin mes nesh dhe federatave sportive, por nga ana tjetër ka akoma edhe më shumë për të bërë në bashkëpunimin mes federatave dhe akoma më tej në bashkëpunimin mes organizmave anëtare të federatave. Sot, gjendemi shpesh here, në mënyrë paradoskale, në situata ku duhet të negociojmë, apo dëgjojmë palë të ndryshme që pretendojnë se janë përfaqësuesit e ligjshëm të së njëjtës federatë. Nuk dua të zgjatem me historira të këtyre lloj konflikteve, por dua të nënvizoj faktin se këto mosmarrveshje janë tregues të qartë që ka shumë punë për të bërë në përmirësimin e bashkëpunimit mes aktorëve dhe nevojës për komunikim të vazhdueshëm.

Ne synojmë të motivojmë federatat që ato të bashkëpunojnë mes vetes, dhe pastaj të rrisin bashkpunimin mes njëra-tjetrës.

“Përfaqësueshmëria” e aktorëve në sport ka vend për t’u përmirësuar. Sot që flasim, shumë federata sportive janë të paregjistruara në gjykatë e për rrjedhojë nuk kanë një status ligjor. Kjo do të thotë që anëtarët e tyre nuk mund të verifikojnë dhe kontrollojnë ligjërisht funksionimin e organizatës që kanë krijuar.  Sigurisht, nuk është faji vetëm i federatave. Shteti është bërë në të shkuarën, për fat të keq, pjesë aktive për ta ngatërruar edhe më shumë situatën, në vend që të luaj rolin e aktorit kryesor për zgjidhjen e këtyre mosmarrëveshjeve të krijuara.

Ndaj, ne jemi të angazhuar që ta zgjidhim këtë çështje, në mënyrë të menjëhershme, duke u ofruar ndihmë ligjore federatave që kerkojnë  të regjistrohen në gjykatë dhe jo të bëhemi pengesë për regjistrimin e tyre si qeveria e mëparshme.

Mungesa e demokracisë dhe e transparencës është një shqetësim që duhet zgjidhur, pasi është detyrimi ynë i përbashkët që komuniteti sportiv, por dhe publiku i gjerë të jetë i mirë informuar rreth politikave, vendimarrjes, financimeve, objektivave dhe projekteve të federatave në lidhje me sportin e fushës që përfaqësojnë, dhe pse jo edhe pjesë e konsultave gjithëpërfshirëse në debate për një vendimarrje sa më të mirë. Gadishmëria jonë është maksimale për të qenë pjesë e një komunikimi të ri dhe gjithëpërfshirës, për një forcim të sportit përmes qeverisjes së mirë.

Nga ana tjetër duhet të jemi realist që ka probleme dhe me votimet për zgjedhjen e autoriteteve drejtuese brenda federatave. Fakti që publiku nuk i sheh si aktorë transparent është një tjetër element shqetësues që tregon mungesën e demokracisë dhe transparencës brenda këtyre subjekteve. Ndaj, unë ju nxis që të jemi sa më transparent dhe gjithëpërfshirës në të gjitha aspektet e vendimarrjes dhe të përçimit të vizionit tonë të përbashkët në fushën e sportit, duke qenë sa më shumë transparent dhe demokratik ndaj publikut të gjerë dhe grupeve të interesit.

Aktualisht, ne kemi ngritur grupin e punës për ligjin e ri për sportin, ligj ky i cili do të vendos standarte të reja për demokracinë e brendshme dhe transparencën ndaj publikut.

Procesi i financimit të federatave në të shkuarën, ka lënë shumë për të dëshiruar,  duke lënë shpesh herë vend për abuzime. Shumë nga vet sportistët janë ankuar për mënyrën se si janë shpenzuar fondet, ndërkohë që ne jemi të ndërgjegjshëm që finacimi për sportin ka nevojë të rritet. Por që kjo të ndodhë duhet që më parë të fillohet  puna për transparencën, që publiku të kuptojë përse dhe për kë duhet të shpenzojë më shumë para, pasi ne besojmë se e vetmja mënyrë e mirë për të shpërndarë fondet në vendin e duhur, është financimi mbi bazën e meritave dhe performancës, por duke mos lënë mbrapa dhe sportet tradicionale  që dikur kanë pasur arritje dhe rezultate.

Nga ana tjetër si një detyrim madhor ndaj publikut dhe ligjit, ne do të finacojmë vetëm ato federata që janë të regjistruara pranë gjykatës dhe që kanë status ligjor, duke u kërkuar atyre hartimin e një raporti të detajuar për shpenzimet financiare dhe të aksesueshëm nga publiku.

Lejomëni të nderuar pjesëmarrës, miq, ju autoritete që i keni dhënë cilësi, rezultate e spektakël sportit tonë me angazhimin tuaj publikut shqiptar, ta mbyll fjalën time, duke shprehur angazhimin dhe vullnetin tonë të palëkundur se ministria që unë drejtoj dhe qeveria që përfaqësoj, do të bëj gjithçka duhet për t’i dhënë sportit shqiptar një fytyrë të re dhe imazh të ri, duke qenë gjithmonë mbështetëse ndaj sportit në tërësi dhe talenteve tanë në veçanti. Qasja jonë për një qeverisje të mirë frymëzohet nga vizioni ynë për të përfshirë të gjithë ju në vendimarrje, duke dëgjuar çdo sugjerim dhe kritikë, duke dëgjuar me vëmendje dhe vullnet të mirë, çdo projekt e inisiativë, duke u bërë kështu të gjithë zotër, por edhe përgjegjës për të ardhmen e sportit të gjeneratës tjetër.

 

Faleminderit!