Ministry of Education and Sports

Austria një vend mik, me kontribute për arsimin shqiptar

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Lindita Nikolla, priti sot në një takim kortezie, ambasadorin e Republikës së Austrisë në vendin tonë, Z. Thomas Schnoll.

Ministrja Nikolla vlerësoi kontributin që shteti austriak ka dhënë në fushën e arsimit në Shqipëri, veçanërisht në arsimin profesional dhe shprehu angazhimin e saj që marrëdhëniet midis dy vendeve  do të vijojnë të zgjerohen dhe konsolidohen më tej në këtë fushë.

Nga ana e tij, ambasadori Schnoll duke i uruar ministres Nikolla suksese në detyrën e saj, siguroi se qeveria austriake shpreh interes të lartë për intensifikimin e marrëdhënieve dhe mbështjetjen me asistencë, si në zhvillimin e kapaciteteve dhe programeve në arsimin profesional, ashtu edhe në fushën e teknologjisë së mësimdhënies në shkollat shqiptare.

Në takim u diskutua gjithashtu për ndërmarrjen e reformave që qeveria shqiptare është angazhuar të zbatojë në fushën e arsimit, si dhe për mundësinë e një vizite të afërme të znj. Nikolla në shtetin austriak.