Ministry of Education and Sports

Së bashku për ti dhënë shkollës një fytyrë të re dhe larg dhunës

Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla, ishte sot e pranishme në tryezën e rrumbullakët me temë: “Zgjidhja e konflikteve ndërmjet nxënësve, përmes ndërmjetësimit dhe dialogut restaurues”.

Kjo tryezë mblodhi së bashku  MAS-in, organizatat “Unicef”, “Save the Children”, “SACP Programe” dhe Fondacionin e Pajtimit të Mosmarrëveshjeve, me qëllim gjithëpërfshirjen në zgjidhjen e konflikteve dhe identifikimin e strategjive të posaçme në parandalimin e dhunës në shkolla.

Ministrja Nikolla nga ana e saj, duke vlerësuar mbështetjen dhe partneritetin e këtyre organizatave kaq të rëndësishme në këtë tryezë, siguroi mbështetjen e saj të plotë në betejën për uljen e dhunës në shkollat tona. Në të njëjtën kohë ajo siguroi se partneriteti ndërinstitucional, por edhe ai i përfshirjes së komunitetit dhe aktorëve të shkollës, do të mundësojë një situatë krejtësisht të re.
 
“Ndonëse është e vërtetë që dhuna në shkolla është pranishme, si një fenomen i mbartur në kohë, planet e veprimit me ministritë e linjës po vihen në zbatim. Është e rëndësishme të vihet theksi tek bashkëpunimi dhe gjithpërfshirja, për të mundësuar dhe orientuar përgjegjësi të reja që synojnë të prodhojnë një partneritet strategjik. Unë jam e bindur se partneriteti prindër-mësues-nxënës-komunitet dhe qeveria, do të mundësojë një komunikimi të ri dhe do të përfshijë e angazhojë të gjithë aktorët e shkollës në zgjidhjen e këtij fenomeni. Sa më shumë tryeza dhe projekte të organizohen, aq më shumë  do të rritet puna e partnereve dhe angazhimi i gjithë aktorëve për uljen e dhunës në shkolla”.
 
Më tej  Znj. Nikolla shtoi se është e domosdoshme, që qysh në moshë të hershme të zhvillohet edukimi për një sjellje dhe shprehi të standarteve të qytetarisë.
 
“Unë do të jem institucionalisht e angazhuar për të ndjekur jo vetëm sugjerimet e partnerëve, por edhe shembullin e eksperiencave më të mira të Bashkimit Evropian dhe në botë. Gadishmëria dhe vullneti ynë për të patur një situatë gjithmonë e më të mirë në shkollat shqiptare, së bashku  me partneritetin nxënës-mësues-prindër dhe aktorë të tjerë të shkollës, do të kontribuojë  në përparimin dhe zhvillim e jetës qytetare qysh në brezat e rinj në vend, duke i dhënë kështu shkollës një impuls dhe një fytyrë të re. Ndërkohë, fëmijëve do t’u mundësojmë një edukim dhe shërbim arsimor cilësor, duke kontribuar që në hapat para të formimit të personalitetit të tyre, në mënyrë formimin e një qytetari të ri me vlera dhe standarte demokratike.”