Ministry of Education and Sports

Të ngujojmë gjakmarrjen

Në kuadrin e nismës “Të ngujojmë gjakmarrjen”, nismë e iniciuar nga studentët e Universitetit të Shkodrës, Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla, vizitoi dy familje të prekura nga ngujimi. Në këto 'vatra shkollimi', fëmijët e këtyre familjeve zhvillojnë, të izoluar pjesërisht dhe në kushte mjaft të vështira, orët e mësimit. 

E pranishme në një nga këto vatra, ministrja Nikolla, zhvilloj me fëmijët e tjerë të ngujuar një orë mësimi të drejtuar prej vetë asaj, ashtu sikurse pati premtuar në një takim më fëmijë të ngujuar prej gjakmarrjes gjatë një takimin në ambientet e MAS-it me rastin festave të fundvitit. Pas kësaj ore simbolike, ministrja u shpreh e tronditur për kushtet dhe gjendjen në të cilën këta fëmijë do duhet të ndjekin orët e mësimit. Nga ana tjetër, duke vlerësuar lart rolin dhe punën fisnike të atyre mësuesve që shkojnë shtëpi në shtëpi, ku ky fenomen është i pranishëm, ajo garantoi se do të bëjë gjithçka për t’i dhënë fund kësaj plage të shoqërisë dhe për të bërë maksimumin që këta fëmijë të jetojnë si gjithë bashkëmoshatarët e tyre. 

“Duhej të isha vetë,  sot, mësuese e programit të shansit të dytë, për të kuptuar sesa e vështirë është që të japësh mësim në kushte të këtilla e njëherësh më duhet të përgëzoj ata mësues që e bëjnë, pasi kjo kërkon aftësi të mëdha pedagogjike. Por nuk është kjo arsyeja më e madhe që unë jam këtu sot. Jam këtu që t’i shikoj në sy këta fëmijë të mrekullueshëm, këta miq të mi të mirë dhe të mbaj një fjalë të dhënë. Kur ishin në zyrën time, djali që ndodhet këtu, më tregoi që e kishte shumë qejf matematikën dhe unë ju zotova që do vija vetë këtu për t’i dhënë një orë mësimi. Unë dua t’ju them që e ardhmja e tyre do të jetë si e ardhmja e gjithë fëmijëve të tjerë të Shqipërisë dhe në këtë rrugëtim, jam edhe me ju mediat e shoqërinë civile, që mësimi të mos bëhet në këto kushte, por në shkollat e qytetit dhe të zonës. Kjo nuk mund të jetë historia e këtyre fëmijeve, nuk mund të jetë historia e Shqipërisë që na bën të ndihemi krenarë. Me vullnetin e një nënë dhe me vullnetin e një qeverie, ne do të bëjmë gjithçka për ta ndryshuar këtë gjendje” – tha ministrja Nikolla.

Nga ana tjetër, sipas ministres Nikolla, projekti i shansit të dytë për këta fëmijë me nevoja speciale, nuk është një zgjidhje përfundimtare për këtë çështje. Ndonëse ky program po pasurohet edhe me projekte të tjera, siç është teknologjia e mësimdhënies në këto vatra shkollimi, shqetësimi kryesor për MAS është që këta fëmijë nuk janë të lirë të jetojnë si të gjithë të tjerët.