Ministry of Education and Sports

Shqipëria dhe Kosova në rrugët që përshpejtojnë integrimin evropian

Në kuadër të bashkëpunimit midis dy vendeve tona në fushën e arsimit, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Ramë Buja vizitoi sot për një vizitë zyrtare Ministren e Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, znj. Lindita Nikolla.

Ministri Buja vjen sot në një moment shumë të rëndësishëm, pas mbledhjes së qeverive të vendeve tona, në janarin e këtij viti, në shënimin e një momenti historik, në konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona dhe hapjes së rrugës së përbashkët të integrimit në familjen evropiane.

Në takimin midis dy delegacioneve, të dyja palët u shprehën entuziaste dhe mjaftë të kënaqura për shtrirjen dhe forcimin e bashkëpunimit të dy vendeve në të gjitha fushat dhe veçanërishtë atë të arsimit. Në këtë tryezë u disktua për tre pika të rëndësishme, siç është ajo e unifikimit të kurrikulave të dy vendeve për arsimin parauniversitar, diplomat për arsimin e lartë privat dhe njohjen e diplomave të përbashkëta Shqipëri-Kosovë. Në këtë takim, të dy ministrat e vunë theksin tek rëndësia e vendimit për unifikimin e strukturës dhe kurrikulës së sistemit të arsimit parauniversitar i cili vjen në një moment kur të dy shtetet kanë filluar të zbatojnë një qasje të re pedagogjike, qasjen e bazuar tek kompetenca. Ky koncept është një qasje bashkohore që po zbatohet si në kontekstin evropian edhe në atë global. 

Pas takimit kokë më kokë, dhe atë mes të dy delegacioneve, të dy ministrat, znj. Nikolla dhe z. Buja, dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku iu përgjigjën edhe pyetjeve të gazetarëve në lidhje me çështjet e diskutuara midis dy zyrtarëve të lartë.

 
Fjala e plotë e Ministres së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, znj. Lindita Nikolla.

Sot jam me një mik të veçantë që e kam nderuar që ditën e parë të punës, një bashkëpunim profesional, por edhe vëllazëror në të gjitha kuptimet, në mënyrë që pas kësaj Kosova dhe Shqipëria të ecin në të njëjtat rrugë që përshpejtojnë integrimin evropian të dy vendeve tona. E ku ka më mirë, më të vlefshme dhe më afatgjatë, sesa kur rrugët tona për të ndihmuar në cilësinë e formimit të qytetarëve të rinj, të gjeneratës së re të shqiptarëve dhe të kosovarëve, do të bëjnë të mundur që përmes shkollës dhe dijes, përmes tërë cilësisë që sistemi ynë arsimor në Shqipëri dhe në Kosovë ofron që shprehitë, qëndrimet konceptet, të jenë ato që ofrojnë një të ardhme të sigurt evropiane për dy vendet tona dhe së pari të  mundësojnë një qytetari të re, edukuar përmes shkollës.

Jam këtu për t’ju bërë me dije që ndihem tejet e lumtur që ne po ecim shpejt në ndërtimin e kësaj rruge të re, në ndërtimin e një kurrikule zyrtare me parametra evropiane, duke ndarë eksperiencën me Kosovën dhe duke përfituar prej saj. Unë e falënderova për këtë dhuratë që Kosova na bën duke dhënë  eksperiencën e saj nën ekspertizën dhe vëzhgimin e Bashkimit Evropian. Kjo vjen si një rrugë në këtë qasjen tonë të re të shkollës shqiptare, në konceptimin e reformës kurrikulare në qasje me bazë kompetencën. Ekspertët kanë punuar dhe kanë bërë një punë të shkëlqyer, jo vetëm në kalendarin e ndërtimit të veprimtarive, por edhe në produktet e para të punës. 

Ne diskutuam këtu se si do të jetë gjithë ardhmëria për të gjithë dokumentet e tjerë që lidhen me kornizën e re kurrikulare, me programet e reja, me shkëmbimin dhe me gjithë filozofinë e re që ne duhet ta ndajmë me  grupet e interesit këtu në Shqipëri, por padyshim duke e garantuar ekspertizën që ne në këtë vullnet që vjen nga dy qeveri, nga dy kryeministrat, Z. Rama dhe Z. Thaçi të mundësojmë jo vetëm lehtësimin e ekspertizave, por  të jetë realisht kushtet e nevojshme për të thënë fjalën e saj kundrejt këtyre kushteve të reja të BE-së. Nga ana tjetër, ne këtu në Shqipëri duhet të mundësojmë ndryshimet e nevojshme ligjore për të bërë të mundur unifikimin dhe për të ecur më pas me gjithë dokumentet e tjera dhe me transformimin që  do t’i bëhet sistemit parauniversitar në këtë qasje të re të formimit me bazë kompetencat.

Unë falënderova z. Buja për faktin që ne kemi gjetur padyshim gatishmërinë nga gjithë ekspertiza dhe jo vetëm, për të ofruar gjithë rrugën që ato kanë përshkruar tashmë në këto këndvështrime. Njëherësh kanë ofruar tek ne edhe dilemat që i kanë shoqëruar në rrugën e tyre, por sot nuk vijnë  në trajtën e dilemave, por në trajtën e zgjidhjeve. Në këtë këndvështrim është sërish një dhuratë që rruga jonë të jetë jo vetëm më e sigurt, por edhe më e shpejtë pasi ne kemi disa zgjidhje që vijnë nga eksperienca shumë e mirë e Kosovës.

Diskutuam gjithashtu edhe në planin tjetër që ne kemi, të të gjithë këndvështrimit dhe bashkëpunimit në fushën e arsimit për mundësinë që studentët shqiptarë dhe ata që vijnë nga Kosova të kenë për njohjen e diplomave dhe të universiteteve shqiptare dhe nga ato kosovare. Në vijim publiku do të njihet me marrëveshjet  që do të nënshkruhen me universitetet përkatëse të Kosovës, në mënyrë që universitetet shqiptare të kenë mundësinë jo vetëm të ndarjes së eksperiencës, të ndjekjes në afate të caktuara kohore siç ata e dëshirojnë, por edhe të marrjes së produktit final, pra që diploma të jetë e njohur nga dy universitetet respektive.

Një fushë e rëndësishme bashkëpunimi do të jetë edhe përsa i përket shkëmbimit të profesoratit dhe një formatimi krejtësisht të ri qe do t’i bëjmë kërkimit shkencor, ku kërkuesit dhe akademikët e dy shteteve tona Kosovës dhe Shqipërisë do të kenë habitatin e tyre për ta orientuar zhvillimin e kërkimit shkencor konform projekteve dhe interesave të përbashkëta që vijnë nga kjo dëshirë për të kontribuar dhe t’u integruar me njëri-tjetrin në mënyrë që ne të zhvillojmë të gjitha ato aftësi dhe cilësi që realisht janë prezentë në gjithë aktivitetet që lidhen qoftë me arsimin parauniversitar dhe atë të lartë.

Diskutuam gjithashtu edhe për një moment të veçantë që ndoshta përbën shqetësim për shumë familje dhe studentë nga Kosova që ndjekin studimet në universitetet private në Shqipëri, porsa i përket njohjes së këtyre diplomave. Një shqetësim që u përcoll tek unë edhe nga z. Buja dhe stafi i tij. Unë do të doja të ndaja me ju atë që garantova ministrin e Kosovës për një vendosmëri dhe dëshirë të Qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit që në këtë moment në ketë moment të rëndësishëm që lidhet me njohjen e diplomave të këtyre studentëve, ne të njohim publikun dhe çdo familje në Shqipëri dhe në Kosovë për cilësinë e këtyre universiteteve. Është i rëndësishëm informimi, por shumë i rëndësishëm për ne është  që të garantojmë realisht cilësinë e diplomave konform standardeve evropiane. Për ta qartësuar më thjeshtë, ne besojmë se deri në muajin qershor do të kemi një tablo të qartë që vjen nga investigimi që do të kryeje një agjenci e pavarur, anëtare e ENKA-s (Organizata evropiane e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë), për akreditimin e universiteteve publike dhe jopublike në Shqipëri. Ky do të jetë momenti i parë me interes publik për të parë sa dhe si këto universitete në Shqipëri mundësojnë garantimin e parametrave të cilësisë sipas standardeve evropiane dhe sigurisht hap pas hapi ne do të ndërtojmë gjithë vëmendjen e nevojshme në mënyrë që  të operojmë me këto kërkesa të studentëve dhe problematikat që kanë ardhur nga  vështirësitë që lidhen me akreditimin e këtyre  universiteteve. Është një proces që ka filluar dhe po operohet shumë shpejt. Ka përfunduar ekspertiza e parë dhe më pas do të vij agjencia e huaj, kështu brenda qershorit ne do të mundësojmë një pamje të plotë transparente të gjithë situatës. Faleminderit edhe njëherë ekspertëve të këtij delegacioni, por edhe më tej. Ne jemi sot këtu për të ndarë edhe momentet e punës së tyre që më rezultojnë të suksesshme. Një bashkëpunim i mbarë është edhe takimi në Kosovë dhe Tiranë i bërë nga grupet e ekspertizës. Falë qëndrimeve dhe vullnetit të përbashkët politik  ne do të ndërtojmë një pamje krejtësisht të re bashkëpunimi dhe unifikimi në sistemin arsimor parauniversitar, ne do të kemi shumë shpejt për publikun, për shkollat shqiptare dhe në Kosovë një situatë me kah nga  këto parametra që janë të formimit të qytetarisë evropiane demokratike. 

 

Fjala e plotë e ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës, z. Ramë Buja.

Faleminderit Znj. Ministre, përshëndetje  dy delegacioneve të ministrive, përshëndetje të përzemërt për mediat. Unë sot jam në një gëzim të veçantë, jo vetëm që jam tek homologia ime e Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, por edhe për faktin shumë të rëndësishëm që ne ia mbërritën në një cak marrëveshjeje që e kemi ëndërruar dhe tani mbi bazën e raportimit të dy palëve të ekspertëve për afrimin e kurrikulës së dikurshme, tashmë drejt njehsimit të saj. Ne të politikës, shpesh na thonë që zgjedhim rrugën e shkurtër, por analizojmë gjatë. Me znj. Ministre biseduam edhe në sfondin politik, në atë profesional si edhe në sfondin institucional arsimor që synimet tona të ecjes drejt Evropës të mos jenë me ngërçe dhe as me paterica, por të jenë të mirëfillta, ecje të kuptimshme të dy shteteve, që të paktën ky synim i yni i përafrimit dhe njehsimit të kurrikulës sonë të synojë cilësinë e nivelit më të lartë evropian dhe unë besoj që kjo do të arrihet. Këmbimi ynë, i ekspertëve, i hulumtuesve edhe i dydiplomësisë, ose dhënies së diplomave dyshe të universiteteve tona dhe bashkëpunimin e profesorëve andej e këtej kufirit do të jetë në vijimësi dhe i pandërprerë. Unë nuk mund të mos falënderojë këtu të dy kryeministrat, që na kanë hapur portat për të vepruar lirshëm dhe pa u penguar fare për të realizuar këto shënime që janë në rrugë të mbarë për të ardhur deri këtu. 

Pyetjet nga gazetarët:

 

1.   Çfarë do të ndodhë me studentët kosovarë që kanë përfunduar universitetet private shqiptare?

Ministrja Nikolla: Përgjigja është ajo që ndodh me të gjithë studentët, që zgjedhin të studiojnë në këto universitete, ndërkohë që ju thashë edhe pak më parë që ne kemi përgjegjësinë dhe padyshim këtu është edhe dëshira e vullneti i Qeverisë së Kosovës që ne t’u japin vlerën e vërtetë këtyre diplomave, në kuptimin e leximit të gjithë situatës që garanton parametrat e cilësisë në këto universitete, në bërjen transparente me publikun dhe më pas hap pas hapi ne do të ndërtojmë gjithë situatën tjetër që lidhet edhe me pyetjen që ju bëtë. Pra kapërcen faktin e vetëm që njihen apo s’njihen ato diploma, kjo besoj se e zgjidh edhe këtë dilemë që ju shprehët. Ky moment i rëndësishëm me të cilin qeveria shqiptare ka treguar vullnetin dhe po ecën shumë shpejt drejt një reference krejtësisht të re në mënyrë që  qoftë punëmarrësi, apo punëdhënësi të mos kenë dilemën a duhet njohur, apo s’duhet njohur kjo diplomë në momentin kur ne themi që ky apo ai universitet ofron këtë cilësi diplome. Në lidhje me këtë ne po ecim shumë shpejt në mënyrë që jo vetëm për  studentët të kemi një zgjidhje të qartë e të plotë, por edhe për ata që vijojnë më pas ne të kemi një zgjidhje që garanton suksesin e tyre në tregun e punës në Shqipëri, Kosovë, Evropë e kudo tjetër përmes transparencës, llogaridhënies dhe garantimit të parametrave të cilësisë. Kjo nuk vjen nga politika, por nga një agjenci e pavarur e specializuar evropiane anëtare e ENKA-s.

 

2.   Paraardhësit tuaj kanë firmosur një marrëveshje respektive për njohjen e diplomave, ku qëndron problemi, çfarë mund t’u thuhet këtyre që janë grumbulluar para ministrisë dhe kanë këtë problem?

Ministri Buja: Kemi pasur një protestë para Ministrisë së Arsimit në Kosovë, pikërisht nga këta studentë që janë edhe këtu sot kryesisht të diplomuar në SHLUJ “Universiteti Kristal”. Ne jemi përpjekur të bëjmë një zgjidhje duke i parë diplomat e tyre një për një dhe krejt rrugën që ata kanë bërë në këtë studim. Megjithëse e dimë të gjithë bashkë se edhe mediat, sikurse ne, që ka patur ca lajthitje, që na kanë vënë në dyshim, por dilemë kryesorë është ajo që ju e dini e Agjencisë së Akreditimit në Shqipëri dhe të paqenët e kësaj agjencie në ENKA. Ky është defekti kryesor. Por ministria e tha që deri në qershor do të ndodhë edhe akreditimi i agjencisë. Një nga temat për të cilat biseduam sot ishte kjo.

 

3.   Znj. Ministre unë doja të flisja për njehsimin e teksteve. Pas abetares, kur do të jemi gati për të filluar njehsimi i gjuhës shqipe dhe historisë.

Ministrja Nikolla: Ne do të kalojmë sigurisht tek ajo që lidhet më unifikimin e teksteve, duke ruajtur padyshim edhe parametrat që ekspertiza thotë për diferenca, por hap pas hapi duke mos nxituar në emër të arsyeve që në fakt nuk janë arsyet e vërteta që çojnë tek një qasje e re e shkollave tona. Prandaj po fillon unifikimi që lidhet me sistemin tonë arsimor pra jo 6+3+3, por siç Kosova e ka 5+4+3. Ka filluar puna dhe jemi drejt fundit për sa i përket kornizës zyrtare në këtë qasje të re. Ju e dini se arsimi shqiptar ndryshe nga Kosova ka një kurrikul që bazohet tek objektivat. Ne po kalojmë tek kjo përvojë dhe kjo eksperiencë e Kosovës që dhe vetë ajo e ka ndërtuar me një bashkëpunim dhe ekspertizë të fortë nga ekspertë të Bashkimit Evropian. Me hartimin e këtij dokumenti do të pasohet me kurrikulën e re, me programet lëndore për të finalizuar me momentin që ju pyetet, me tekstet. Qasja jonë është duke shkuar drejt këtij unifikimi as të stisur dhe as të ngadalësuar me zor, por duke parë realisht në sy të ardhmen e gjeneratës tjetër të të rinjve Shqipëri-Kosovë, për t’i bërë ata përmes shkollës qytetarë të suksesshëm BE-së, ku dy vendet tona do të integrohen.

Ministri Buja: Kemi avancuar në këtë drejtim. Përveç se kemi kurrikulën- formim, kemi bërë dhe kurrikulat bërthamë. Në këtë vit kemi dhe pilotimin në 10 shkolla të kësaj kurrikule dhe do të shohim në vijimësi ku janë defektet. Kjo kurrikul do të jetë një këmbim i përvojave të mira që do të kemi bashkë, sepse kjo kurrikul nuk është as bibël e as kuran, ajo do të pësojë ndryshime gjatë procesit.

 

4.   A do të jetë ky unifikim dhe në trojet shqiptare në Mal të Zi dhe Maqedoni? 

Ministrja Nikolla: Janë diskutime gjithmonë të hapura me dëshirën e integrimeve rajonale. Shembulli i përbashkët i aktiviteteve të dy qeverive dhe i mbledhjes së përbashkët e tregoi këtë vullnet. Ne po diskutojmë jo vetëm me Maqedoninë, por me këdo tjetër të rajonit që vjen me këto vullnete dhe në këto perspektiva integruese, janë të mirëpritur për t’u bërë pjesë e debateve dhe diskutimeve, por gjithmonë me qëllimin e mirë që shkolla të ketë një cilësi krejtësisht të re.

Ministri Buja: Ne do të jemi krejtësisht të hapur, nëse të tjetër nuk kanë pengesa ligjore.