Ministry of Education and Sports

Universitetet e Gjeneratës Tjetër: Reforma e Arsimit të Lartë

Fjala e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Znj. Lindita Nikolla në prezantimin zyrtar të Komisionit të Pavarur për Reformën në Arsimin e Lartë:

 

 

Secili prej jush ndan shqetesimin për situaten në të cilën ndodhet Arsimi i Lartë duke përcjellë në fakt edhe arsyet  e shumë pyetje frekuente se PSE duhet reforma në arsimin e larte. E secili prej jush do vijonte përgjigjen.

Sepse ju duhet  dhënë fund zhvillimeve të paplota, kontradiktore e kaotike ne Arsimin e Lartë!

Sepse duhet vlerësuar, standartizuar në menyrë që të krijohet shtrati i qëndrueshmërisë pas dekades së parë të aplikimit të sistemit të Bolonjës!
Sepse duhen rregulluar ekuilibrat midis profileve të mbipopulluara dhe degëve me interes publik.

Sepse duhet të vendoset drejtesi sociale  dhe akses në AL dhe për ato që nuk kanë mundësi financiare, por e meritojnë.

Sepse me këtë skemë financimi që kemi sot buxhetit të shtetit i duhen të paktën edhe 10-15 vite të ardhshme që  të kap standartet e financimit që ka sot Rumania apo Bullgaria në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.
Sepse i duhet dhënë vlerë cilësie diplomave pas procesit te masivizimit.
Sot Shqiperia ka rreth 162 mijë studentë dhe 1,350 programe mësimore që zhvillohen në 59 Institucione të Arsimit të Lartë, 44 private dhe 15 shtetërore.

Standartet e mësimdhënies , kërkimit shkencor, laboratoret e bibliotekat, tekstet e botimet akademike etj, reflektojnë “varfëri cilësie” dhe universitetet fatkeqesisht janë kthyer në formacione të një mësimdhënieje formale.

Të gjitha këto, por edhe shumë e shumë tregues të tjerë flasin për nevojën e një konceptimi të ri  dhe ndryshimi të rëndësishëm në mënyrën e organizimit dhe financimit të arsimit të lartë, po aq sa dhe për nevojën e një rrugë të re komunikimi për të pasur një REFORMË TË QËNDRUESHME.

Kjo qasje bëri që ne të zhvillonim një sërë takimesh me Rektorët e Universiteteve Publike dhe Private, me ekspertë të fushës, me të cilët diskutuam parimet mbi të cilat duhet domosdoshmërisht të bazohet kjo reformë.

Arsimi në përgjithësi dhe ai i lartë në veçanti, është një shërbim publik që i ofrohet qytetarëve si përmbushje e një detyrimi kushtetues, përmbushje e një të drejtë të pamohueshme e çdo njërit prej nesh, këtu në këtë sallë e jashtë saj, bashkëkohës dhe pasardhës. E si i tillë, është një çështje që na prek duke na përfshirë të gjithëve pa përjashtim.

Ndaj që në hapat e parë, ne e bëmë të qartë parimet mbi të cilat nuk do të mund të bëhet asnjë lëshim apo kompromis. Parimi i pjesëmarjes dhe i gjithëpërfshirjes i të gjithë aktorëve pa asnjë përjashtim në këtë reformë e cila nuk është, nuk ka sesi të jetë vetëm e jona, e Qeverisë dhe e Ministrisë që unë drejtoj.

Kjo reformë dhe produkti i saj, na përket të gjithëve sepse na prek të gjithëve.

Nuk mund të mos e ndaj me ju gëzimin që ndjeva kur me ftesë te z. Kryeministër, Prof. Arjan Gjonçaj vendosi të ngrinte dhe drejtonte Komisionin për Reformën në Arsimin e Lartë.
Gezimi im sigurisht jo thjesht dhe vetëm per ate qe përfaqëson Arjani, por për rrugën e re nëpër të cilën ne do të ecim, përmes punës së një komisioni të pavarur e gjithëpërfshirës.

Po! U gëzova se Arjani duke jetuar e punuar jashtë vendit është imun nga disa sjellje që e shmangin debatin për reformën nga debati i shëndetshëm dhe vizionar. Faleminderit Arjan që e bëre të qartë që në takimin e parë.
Por gëzimi dhe besimi u rrit kur u njoha dhe me personalitetet e tjerë te Komisionit. Profesionistë, përfaqësues dhe njohës te mire te arsimit të lartë ne vendin tone.

Faleminderit emër per emër.

Jam shpresëplotë se do jeni shembulli më i arrirë për: ‘Politika duhet te lere profesionistin te flasë’.

Produkti i këtij komisioni do të sjellë pra një stadart të ri në politik-bërje dhe një reformim të thellë të arsimit të lartë. Ky komision, i cili vepron i pavarur, do të prezantojë shumë shpejt një draft të parë të punës së tij. Ky dokument do të diskutohet më pas me grupet e interesit. Ne do të garantojmë që të dëgjohet zëri i përfaqësuesve të Universiteteve Publike dhe Private, zëri i ekspertëve, i Akademisë dhe i studentëve shqiptarë.
 
Produkti i kësaj faze konsultimesh, do të jetë një dokumet i cili do t'i dorëzohet Qeverisë dhe më pas do të shndërrohet në ligj, pasi të ketë marrë miratimin, me konsensus të gjerë  synimi, në Kuvendin e Shqipërisë.
Nisur nga ky moment, ne do të ndërmarrim një reform e cila do të jetë një rrugëtim i  gjatë disa vjeçar me fokus një qëllim të madh.

Njëkohësishtë me këto hapa, ju kujtoj, se po vijon puna me vlerësimin e situatës dhe bërjen e trasparencës mbi cilësinë e institucioneve të arsimit të lartë, publike dhe jo publikë. Nga tetori 2013, moment kur ne pezulluam, nisur nga sinjalizimet dhe ngjarjet që tronditën besimin publik në sistemin e arsimit të lartë, punën e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, janë hedhur hapa të rëndësishëm në këtë drejtim.

Shumë shpejt ne do të plotësojmë dhe në këtë sektor një nga detyrimet kushtetuese dhe ligjore që çdo Qeveri ka ndaj qytetarëve dhe familjeve shqiptare atë të hedhjes dritë mbi gjendjen e cilësisë në arsimin e lartë.

Para fillimit të vitit të ri akademik, agjencia anëtare e ENQA-s  që ka marrë përsipër akreditimin dhe rankimin e shkollave të larta, do të bëjë publike gjetjet. Ne jemi zotuar që do të jemi roje e kufirit që kjo agjenci do të vendose se cilat janë ato universitete që do të vijojnë funksionin, e cilat do të jenë ato institucione të arsimit të lartë që duhet të të mbyllen.

Ky është rasti në fakt, kur politika nuk duhet të hesht por të veproj duke jetësuar vendimin që ka marrë profesionisti i pavarur. 

Theksova më sipër, detyrim i çdo Qeverie, sepse këtë detyrë kishin dhe parardhësit, një detyrim ndër të shumtit që lanë të paplotësuar pas.

Qëllimi i madh i kësaj reforme është një, dhe vetëm një: cilësi në arsimin e lartë. Një sistem i reformuar me synimin kryesor cilësinë e diplomave dhe ndarjen e arsimit të lartë si shërbim publik nga biznesi, duke e kthyer arsimimin dhe edukimin e brezave në dimensionin natyral si politika më e mirë ekonomike për një zhvillim të qendrueshëm dhe afatgjatë të vendit.