Ministry of Education and Sports

Universitetet qendra të rëndësishme të projektimit të zhvillimit rajonal

Në vijim të monitorimeve, të shërbimeve dhe nevojës për të parë në vend problematikat, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla zhvilloi sot disa takime në qytetin e Korçës.

Znj. Nikolla, e nisi axhendën e monitorimeve në një takim me pedagogë dhe studentë të mësuesisë së Universitetit të Korçës “Fan S. Noli”.

Në këtë komunikim, ministrja Nikolla vuri theksin në vendosjen e një standarti të ri të politikbërjes përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës.

Auditori u njoh me dy momente të rëndësishme për arsimin e lartë:

Me startimin e punës për reformën në arsimin e lartë, të komisionit të ekspertëve të pavarur, si dhe me vijimin e procedurave për akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë publike dhe private nga një kompani e pavarur anëtare e ENKA-s.

“Nuk mund të jetë atribut vetëm i qeverisë ky proces i madh transformues i cilësisë në arsimin e lartë. Arsimi si një e mirë publike, dhe një e drejtë për të gjithë, na prek po ashtu të gjithëve. Ndaj është detyrimi dhe përgjegjësia e të gjithëve ne ,që të kontribuojmë në një proces debati gjithëpërfshirës rreth reformës arsimore në tërësinë e saj. Nga ana tjetër ju bëj me dije se ekspertët e huaj  janë duke përgatitur një draft mbi përcaktimin e modaliteteve dhe kritereve mbi të cilat Agjencia britanike e akreditimit do të vijojë më pas punën për akreditimin dhe rankimin e të gjitha universiteteve, publike dhe jo publike.”– u shpreh ministrja Nikolla.

Ministrja u ndal edhe tek nevoja që duhet t’i jepet profileve bazuar në kërkesat që ka tregu, por gjithashtu dhe tek rëndësia që profili i mësuesisë duhet të ketë në prioritetet e universitetit. “Universitet duhet të funksionojnë si qendra të rëndësishme të projektimit të zhvillimit rajonal. Në këtë këndvështrim ato duhet të kthehen jo vetëm në pika fokusuese të kualifikimit të specialisteve, por  njëherësh të zhvillojnë ato profile e programe që janë më të kërkuara dhe në funksion të zhvillimit rajonal.”