Ministry of Education and Sports

Matura Shtetërore në një diskutim të hapur

Ministrja Nikolla, mori pjesë, ditën e hënë në një aktivitet organizuar me maturantë të qytetit të Korçës në shkollën e mesme “Themistokli Gërmenji”, ku zhvilloi një bashkëbisedim me nxënësit e maturës rreth procesit të administrimit të provimeve të maturës shtetërore për këtë vit, si edhe perspektivës për ta bërë Maturën Shtetërore një provim vetëm dalës.

Në këtë aktivitet, Ministrja e Arsimit dhe Sportit informoi nxënësit mbi programet orientuese të maturës shtetërore, si dhe për politikat për të cilat MAS është angazhuar të ndërmarrë në kuadër të reformës së arsimit parauniversitar, të tilla si unifikimi i kurrikulave me Kosovën dhe orientimi  drejt një kurrikule bazuar në kompetenca.

Gjithashtu, vend në diskutime zuri dhe nevoja për rishikimin e altertekstit, duke filluar së pari me heqjen nga procesi i mësimdhënies së atyre teksteve që janë jashtë standarteve të cilësë, për të cilët mësues e nxënës dëshmuan gabime e deformime në procesin e dijes.

Takimi vazhdoi me pyetje të nxënësve dhe mësuesve drejtuar znj. Nikolla rreth reformës në arsim  në përgjithësi dhe politikave në arsimin parauniversitar në veçanti.