Ministry of Education and Sports

Përsosja e kulturës së mjedisit, duke filluar nga edukimi në shkolla

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla ishte  e pranishme sot në aktivitetin e organizuar nga Ministria e Mjedisit me temë: “Edukimi për zhvillimin e qëndrueshëm”. Ky aktivitet konsistonte në diskutimin e sfidave dhe mundësive për fuqizimin dhe kordinimin e Sektorit të edukimit mjedisor me sistemin arsimor dhe veprimtaritë mjedisore në Shqipëri.
 
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, ministri i Mjedisit, z. Lefter Koka, Ambasadori i BE-së z Ettore Sequi, zv.Ambasadori amerikan z. Henry Jardine, drejtori i Institutit të Zhvillimit Arsimor z. Gerti Janaqi dhe përfaqësues nga trupa diplomatike në vend.
 
Në fjalën e saj ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla duke falënderuar ministrin Koka dhe partnerët ndërkombëtarë e kombëtar për angazhimin dhe mbështetjen e tyre pa rezerva ndaj mbrojtjes dhe zhvillimit të kulturës për  mjedisin  u shpreh se kultura e mbrojtes së mjedisit fillon nga edukimi. "Është shumë e rëndësishme përsosja e kulturës së mjedisit, që fillon nga edukimi në shkolla, shoqëria në tërësi, komuniteti dhe familja. Së bashku duhet të jemi përgjegjës për një qasje të re zhvillimi të një mentaliteti që mbron mjedisin ku ne jetojmë, pasi kjo është një domosdoshmëri për të mos kompromentuar të ardhmen e brezave të rinj” – u shpreh ministrja Nikolla.
 
Më tej ministrja Nikolla shtoi se qasja e re ndaj mjedisit është një axhendë e orës së parë, dhe për ta bërë edukimin mjedisor pjesë të pandarë të arsimit shkollor, duhet filluar nga integrimi i kësaj disipline edukative në kurrikulat shkollore. "Ne duhet të kujdesemi për një dimension të shëndetshëm në formimin e personalitetit të fëmijëve tanë. Ne jemi duke punuar për një kornizë të re kurrikulare për arsimin parauniversitar ku sigurisht, synohet edhe përfshirja e integrimit kurrikular dhe kroskurrikular të sjelljes ndaj mjedisit Kjo hyn tek vizioni ynë për strategjinë e zhvillimit të qëndrueshëm. Duke filluar nga ndryshimi i stilit të jetës, sjellja, konsumizmi, aktivizimi dhe sensibilizimi i shoqërisë civile për emancipimin e një mjedisi më të mirë ku jetojmë."
 
Në mbyllje të fjalës së saj ministrja Nikolla theksoi rolin e rëndësishëm që projekti "Shkollat si Qendra komunitare" do të mundësojnë në krijimin e epiqendrës së edukimit cilësor si pjesë e strategjisë kombëtare të zhvillimit, ku sigurisht edukimi mjedisor do të zërë vendin e tij për nga rëndësia.Pa dyshim bashkëpunimi nëpërmjet një komunikimi të ri prindër-mësues-nxënës-qeveri do të ketë një peshë të madhe në përqafimin dhe zhvillimin e vlerave dhe kulturës për një mjedis të shëndetshëm për të gjithë.