Ministry of Education and Sports

Interpelanca për Maturën Shtetërore

Fjala e ministres së Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla në interpelancën e kërkuar nga deputetja e LSI-së, znj. Kejdi Mehmetaj, në lidhje me Maturën Shtetërore:

 

I nderuar kryetar i kuvendit,

Të nderuar deputetë,

E nderuar zonjushë deputete,

përgëzime që solle nëpërmjet kësaj interpelance në  vëmendje të këtij parlamenti, në kohën e duhur gjithë interesin e madh të publikut për Maturën Shtetërore.

Doja t’ju informoj, ju të nderuar deputet, ashtu si dhe maturantët e prindërit e tyre, se kemi marrë masat e nevojshme që Matura Shtetërore 2014 të garantojë parimin e transparencës, barazisë dhe meritës. Qëmtuan me kujdes dhe përgjegjësi institucionale për të shënjuar një standard të ri, edhe në adresimin e zgjidhjes së shumë problematikave që deputetja me të drejtë i përmendi. Ndaj dhe komunikuam me mësues, maturantë dhe prindër në shumë gjimnaze në gjithë territorin e vendit. 

I pranishëm në takimin me maturantët më të mirë të Tiranës ishte edhe vetë kryeministri z. Edi Rama. Kemi ide të qarta, të cilat po i formalizojmë të integruara me gjithë reformën në arsimin parauniversitar dhe atë të lartë në veçanti, për të mundësuar që në një të ardhme të afërt Matura Shtetërore të marrë vlerën e provimeve certifikuese të gjimnazit, pra vetëm të provimeve dalëse, përkahas fillimit të kthesës me standard arsim e edukim cilësor. Nuk është se Matura Shtetërore është faktori i vetëm që ka bërë të humbas rëndësia dhe pesha e studimeve në gjimnaz. Është i tërë sistemi që lëngon për mungesën e standardeve të cilësisë. Edhe për këtë vendimmarrje, pra për gjithë reformën që ne po realizojmë në të gjithë sistemin si në atë parauniversitar dhe në sistemin e arsimit të lartë, falë dhe mënyrës së re të formëzimit të gjithë kësaj reforme duke testuar në komisione ekspertësh dhe me një komunikim të hapur e gjithëpërfshirës, ne do të bëjmë kujdesin maksimal që ndërhyrjet në sistem të jenë në kohën e duhur në masën e duhur, sepse e kemi të shtrenjtë gjeneratën e re të shqiptarëve. 

Po, i kemi të shtrenjtë 45 mijë maturantët e sivjetëm. Ndaj, edhe me fillimin e punës së Qeverisë sonë investiguam, dëgjuam, analizuam për të adresuar ndërhyrjet e nevojshme, edhe pse problemet janë të mbartura.

Mungesa e analizave të mirëfillta pas çdo mature, analiza e treguesve, apo dukurive të veçanta sigurisht që nuk na ligështoi, thjesht na ndihmoi për të treguar me gisht shkaktarët e gjendjes, por drejtuam gishtin edhe nga vetja për të zhvilluar përgjegjësi të reja dhe adresuar zgjidhje efiçente. Zgjeruam Komitetin e Maturës Shtetërore me ekspertë e mësues të talentuar. Gjej rastin t’i falënderoj për seriozitetin dhe punën profesionale që po realizojnë hap pas hapi, nën drejtimin e zëvendësministres znj. Nora Malaj.

Tashmë ka dëshmi të plota të keqadministrimit të ditës së provimit, korrupsionit dhe shitjes së testit, vlerësime të padrejta dhe fiktive, administratorë që nuk kanë kryer detyrën dhe që me vetëdije kanë lejuar fenomenin e provimeve të shitura më parë. Edhe pse provat nuk kanë munguar, asnjë administrator nuk është penalizuar në asnjë rast. Janë të shumta rastet kur në të njëjtën sallë ka teste të njëjta pikë për pikë, por administratorë të ndëshkuar jo. Ka edhe shumë raste të testeve të vlerësuara deri në 4 nota më shumë se vlersimi vjetor, por administratorë të ndëshkuar jo. Ka shumë raste, kur për shkak të gabimeve të sekretuesve një maturanti i janë komunikuar dy nota të ndryshme, madje dhe me një diferencë shumë të madhe, por penalizim të sekretuesve asnjë. As penalizime e as analiza, e jo bashkëpunim me universitetet për të parë se pse maturantët të dalë me shumë pikë nga matura shtetërore nuk arrijnë të kalojnë në provimin e parë në universitet. Asnjë analizë, zero -analizë.

Kopjet kanë qenë sheshit, edhe pse u shpenzuan plot 16 milion e 288 mijë lekë për zhurmues valësh e dedektorë celularësh. Një situatë e turpshme, shpreheshin mësuesit për farsën e dedektorëve të Maturës Shtetërore 2013.

Me ndërhyrjet që kemi bërë në rregullore dhe gjithë udhëzimet përkatëse për çdo shkelje të faktuar do të ketë penalizime deri në largime nga puna dhe pasqyrim të masës në librezën e punës. Po punojmë, po aq fort për trajnimin dhe përzgjedhjen e administratorëve. Administratorët e skretimit do të kalojnë në proces trajnimi dhe do të pajisen me certifikatë nga AKP-ja.

Lejomëni t’ju njoh edhe me disa masa të tjera që garantojnë administrimin e mirë të MSH 2014. Kemi vendosur bashkëpunim institucional me postën shqiptare për shpërndarjen e testeve në çdo vend provimi, duke përcaktuar edhe protokollin e sigurisë së këtij procesi. Aftësitë logjistike që posta shqiptare ka janë garanci për shpërndarjen në kohë të shkurtër të testeve dhe ruajtjen e sigurt të tyre. Nuk do të ndodhë më që kutitë të hapen rrugës dhe tezat të shumëfishohen dhe të jepen për kopjim. Kemi përcaktuar në rregulloren e MSH kalimin nga klasat e vogla në salla të mëdha si vendprovime, si një kriter për kqyrje më të mirë dhe administrim larg mundësisë së kopjes dhe testeve të njëjta për shumë maturantë apo kandidatë. Maturantët dhe prindërit e tyre gjithashtu, do të sqarohen dhe po sqarohen nga të gjithë kontaktet, që ne po realizojmë në të gjitha gjimnazet e Shqipërisë, se kushdo që në vendprovim konstatohet me celular padyshim do të përjashtohet nga provimi.

Vlerësuesit do të përzgjidhen dhe trajnohen me procedurë tepër strikte për të mundësuar një trupë vlerësuesish me mësuesit më të mirë. Ne do t’i japim fund modelit që për të kapur afatet kohore të shtohen në proces mësues të pa trajnuar dhe jo më të mirët. Do të rikthejmë gjithashtu vlerësuesin e tretë që u hoq në maturën 2013 dhe preku rëndë cilësinë e vlerësimit.

Nisur nga Matura 2014, testi për herë të parë do të përmbajë të tri nivelet e vështirësisë; të ulët, të mesëm dhe të lartë, të përcaktuara me pikë që përpara se maturanti, apo kandidati të hyjë në provim. Hartuesit e testeve e kanë pjesë të detyrës së tyre këtë referencë.

Problematike gjithashtu, siç edhe zonjusha deputete e tha, ka qenë edhe alterteksti. Prania e shumë teksteve alternative ka vështirësuar procesin e hartimit të testeve. Më parë udhëzimi përkatës i Ministrisë së Arsimit i detyronte hartuesit që të kishin parasysh vetëm prerjen midis testeve për të realizuar testet e provimit. Realisht, kjo ka rezultuar e pamundur  dhe ka çuar në reduktimin e objektivave që do të vlerësoheshin. Vetë tekstet mbartin mënyra të ndryshme të trajtimit të njohurive, ndryshime të dukshme në përkufizimin dhe shpjegimin e koncepteve, shpesh me shumë pasaktësi veçanërisht në lëndë si historia, gjeografia, sociologjia, gjuha shqipe dhe letërsia. Me udhëzimet e reja dhe ndërhyrjet e reja që bëmë si pikë referimi për hartuesit e tezave nuk do të jenë më pikëprerjet e teksteve, por programi. Grupet lëndore do të trajnohen dhe angazhohen për hartimin e fondit të pyetjeve të teksteve, bazuar vetëm mbi program. Përzgjedhja e  testeve përfundimtare të provimeve të maturës shtetërore do të bëhet përmes teknologjisë dixhitale.

Kemi nje ndryshim në këtë maturë shtetërore në respekt jo vetëm të ligjit, por në respekt edhe të trendit, duke futur provimin e gjuhës së huaj si një ndër tetë kompetencat bazë të formëzimit të maturës. Këti vit provimi i gjuhës së huaj nuk do të ketë efekte mbi mesataren vjetore të maturantëve, si dhe në formulën për përllogaritjen e pikëve për renditjen përfundimtare. Kjo pasi ne studiuam situatën për të mos penalizuar maturantët e këtij viti dhe për të mundësuar parapërgatitjen e nxënsve, mësuesve dhe shkollave për t’i dhënë rëndësinë e duhur mësimit të gjuhës së huaj. Nuk ndërhymë menjëherë në sistem duke e futur gjuhën e huaj me të njëjtat kushte si provimet e tjera të detyruara, sepse na rezulton që në një masë të madhe rreth 10% e maturantëve në rang republike, nuk u është garantuar në këto vite cilësi në mësimdhënien e gjuhës së huaj. Kjo për mungesë mësuesish, apo sepse lënda është dhënë nga mësues jashtë profilit.

Një ndryshim tjetër që ka pësuar në të gjithë udhëzimet dhe besoj do të kemi një situatë krejtësisht të re përsa i përket edhe standardit të meritë –preferencës, lidhet me peshën specifike që do të ketë mesatarja. Në vitet e kaluara nga viti 2006-2013 mesataret e katër provimeve të maturës kishin të njëjtën peshë. Secila zinte 20% të sasisë së pikëve të grumbulluara nga maturanti. Këtë vit mesatarja do të ketë peshën e 26%, dy provimet e detyruara nga 20% dhe dy provimet me zgjdhje nga 17%. Edhe ky hap po bëhet mjaft i kujdesshëm me qëllim që gradualisht ti jepet punës së shkollës rëndësia që kërkon, por pa u ngutur për të garantuar që ky ndryshim raporti midis mesatares dhe provimeve të maturës, të bëhet paralelisht me përmirësimin e cilësisë së shkollës. Dilema që lidhet me këtë çështje ka qenë e madhe dhe prezente në të gjitha takimet që unë kam patur me maturantët. Sigurisht jemi treguar të kujdesshëm për të sqaruar dhe qartësuar situatën. Sa kohë që mesataren e rritur të rezultatit të vërtetë dhe mesatarja e notave fiktive nuk ndahen qartazi, çdo rritje e peshës specifike të mesatares do të cnonte para së gjithash meritën e atij maturanti që ka një meritë të vërtetë.

Përcaktimi i kufirit minimal të kalueshmërisë së maturës është vendosur të bëhet transparent që tre muaj përpara fillimit të provimeve të MSH. Pra tre muaj para fillimit të provimeve maturantët, prindërit, mësuesit kanë të qartë se cili do të jetë kufiri i kalueshmris. Secili maturant do të ketë të qartë gjithashtu edhe përcaktimin e notës sipas pikëve përkatëse. Maturat që kanë kaluar kufirin minimal të pikëve për t’u cilësuar si kalues përcaktoheshin pasi bëhej vlerësimi i të gjitha testeve dhe pasi shihej kurba e famshme e pikëve të fituara. Maturantët nuk e dinin sa pikë duhej për të marrë notë kaluese, qëllimshëm, por edhe ky kufi ndryshonte madje edhe nga provimi në provim. 

Dhe a e dini pse? 

Sepse duhej mbajtur premtimi elektoral që 90% e maturantëve duhet të shkonin në universitet me çdo kusht, ndaj dhe kufiri është ulur sipas situatës. Merrje notë kaluese, edhe në ato vite kur zonjusha deputete ka përfunduar MSH, në lëndët me zgjedhje, edhe me vetëm 5 përgjigje të sakta, pra me një kufi që shënonte vetëm më 10% të përgjigjeve të sakta. Në cilën shkollë të rajonit ndodh kjo?! Pa folur më pas për shkollat e vendeve të zhvilluara të Europës, ku ne duam të integrohemi. Gjithashtu vërehet se kufiri ka ardhur në ulje gjë që tregon se është synuar të rritet artificialisht kalueshmëria në provimet e maturës. Përcaktimi paraprakisht prej 20% i përgjigjeve të sakta, përkon edhe me realizimin e një detyrimi ligjor si garantimi i transparencës dhe standardit, dy nga parimet thelbësore në të cilët mbështetet arsimi parauniversitar.

Do të bëhet publike gjithashtu para zhvillimit të provimeve, nota e shkallëzuar sipas pikëve duke mundësuar kështu vetëvlersimin e çdo maturanti, menjëherë mbasi mbaron provimin. Gjithashtu vendosja dhe bërja transparente e kufirit dhe sasisë e cilësisë së pikëve për të garantuar gjithë përshkallëzimin e notave, garanton përmbushjen e një detyrimi moral që kemi ne si administratorë dhe qeverisës ndaj qytetarëve dhe fëmijëve tanë, atë të nxjerrjes së MSH nga një gënjeshtër e madhe dhe nga një presion i madh që bëhet nga një arsye që nuk lidhen drejpërdrejt me të. Presion për arsye ngushtësisht politike, për mbushje të premtimeve elektorale dritëshkurtra, masivizim pa cilësi i arsimit të lartë, pa asnjë strategji afatgjatë, bazuar mbi nevojat e tregut të punës.

Kuotat e pranimit në universitet janë rritur nga viti në vit, pasi universitetet më parë kanë kërkuar hapjen e  programeve të reja studimi. Nga viti 2008-2013 kemi kaluar nga 200 programe në 334 programe studimi universitare, gati mesatarisht mbi 30 programe të reja në vit. Programe vetëm për të tërhequr studentë, madje ata studentë që vinin nga inflacioni i cut-off, apo kufirit të kalimit. Nëse do të konsideronim kopjen dhe keqadministrimin, çdo kush nga ju të nderuar deputetë do të kuptonte se sa i madh është ky inflacion. Degët më të kërkuara kanë qenë administrim biznes, financë -kontabilitet, informatikë. Këto degë kanë pasur edhe kuotat më të larta, ndaj janë dhe më të kërkuarat. Degë si mjeksia, stomatologj, farmaci kanë kërkesa të larta, por duke qenë se për këto degë konkurrenca është shumë e lartë dhe fitojnë vetëm  kandidatë me pikët më të larta ka sjellë që këtu të konkurrojnë vetëm nxënësit më të mirë me mesatare shumë më të lartë. Për degët më të kërkuara me kuota të larta, mesatarja e nxënësve që i kanë kërkuar shkon deri në notën 8-të. Ky është treguesi që nxënësit nuk janë orientuar sipas tregut të punës dhe ka munguar informacioni dhe ca më shumë këshillimi i karierës.

Në përfundim duke e falënderuar deputeten Mehmeti, do të doja të garantoja edhe njëherë çdo maturant se do të vijojmë të bëjmë gjithçka për të garantuar një MSH të ndershme dhe të drejtë, ndaj, lejomëni t’ju drejtohem maturantëve, mësuesve dhe familjeve të maturantëve, mos hezitoni të kontaktoni me komisionin e MSH në çdo shkollë. Ndiqni me vëmendje konsultimet e programuara në lëndë e provimeve, si dhe këshillimin e karrierës në plotësimin e formularëve A1 dhe A-1Z. Zgjidhni, ju maturantët e rezultateve të larta dhe studioni për t’u brë mësues edhe të shkencave të natyrës, është profesion fisnik dhe i bukur, kur të përfundoni studimet do të jetë edhe më i vlerësuar.

Faleminderit!