Ministry of Education and Sports

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla mori pjesë sot në ceremoninë e  prezantimit të projekteve më të mira në Konkursin e pestë kombëtar të “Mësuesit novator”, organizuar nga Programi Akademik i Microsoft në Shqipëri në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Në këtë aktivitet u shpallën  tre projekte fituese, të cilat do të konkurojnë edhe në nivel ndërkombëtar.

Fjala e Ministres së Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla në Konkursin e pestë  kombëtar të “Mësuesit novator” :

Është kënaqësi të jem sot këtu, në këtë ditë të ndarjes së çmimeve për mësuesit inovatorë që me përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre, por sigurisht edhe me idetë dhe eksperiencën ndër vite, spikasin në fushën e inovacionit dhe teknologjisë, duke na sjell sot punime te mrekullueshme të materializuara nëpërmjet teknologjisë. Përveç punës dhe qëllimit të këtyre punimeve, unë ndihem entuziaste dhe mjaft optimiste, pasi ky lloj kompeticioni projektesh të sjella këtu mundësojnë që ju mësues dhe të tjerët në të gjithë vendin, jo vetem ta bëni punën tuaj më atraktive për nxënësit , por t’i jepni një dimension dhe kontribut shumë më tepër cilësor procesit të mësimdhënies dhe të ardhmes së gjeneratës së re, fëmijëve tanë, që nëpërmjet teknologjisë të mund të hapim një kapitull të ri të zhvillimit të arsimit shqiptar, sipas parametrave europian.

Teknologjia në shërbim të së ardhmes, pasi e ardhmja do të na sjellë përpara sfida që do të kërkojnë aftësi dhe më të madhe të njohurive dhe kreativitetit tuaj teknologjik. Të gjithë ne sot mbajmë në duar produktet e zhvillimit teknologjik, të cilët përpara njëzet-tridhjetë vitesh ishin të paperceptueshëm, ndërsa sot janë të paevitueshem në aktivitetet tona profesionale dhe personale. Përtej dimensionit argëtues, teknologjia ka dhe një dimension tjetër. Atë të sfidës! Sfida e teknologjise dhe inovacionit është sfida e brezave tanë të rinj. Microsoft është shembulli sesi mund të përballohet kjo sfidë.

Është shumë e rëndësishme që ne të fokusohemi në nevojat reale që ka sot tregu i punësimit. Prandaj, do të kemi në fokus zbulimin e talenteve të reja, qysh në arsimin e mesëm, duke fuqizuar aftësitë e tyre nëpermjet incentivimit dhe trajnimit të kapaciteteve të tyre intelektuale. Por për ktëë ne na duhen mësues kreativ dhe cilesorë. Ndaj nuk është e mjaftueshme që ne të zbulojmë dhe të trajnojmë vetem nxënësit, por duhet të trajnojmë dhe mesuesit me instrumentat dhe mekanizmat e duhur për t’ju ardhur në ndihmë potencialeve të vendit tonë.

Shqipëria e gjeneratës tjetër, kërkon një brez i cili do të korri suksese dhe më të mëdha, nisur nga merita dhe kapacitet e zhvilluara nëpermjet implementimit të këtyre programeve. Nuk ka gjë me të bukur ne jetë sesa të bësh diçka për të cilën je i prirur. Nuk ka gjë me të bukur ne jetë, sesa të kesh dikë që të ndihmon dhe të mundëson ta bësh këtë. Edukimi ka të bëjë pikërisht me këtë.

Ministria që unë drejtoj, ka ambicie dhe qëllime serioze në fushën e inovacionit.

Me mbështjen edhe të Kryeministrit Rama, po bëjmë përgatitjet për të mundësuar futjen e tabletave në mësimdhënie përmes pilotimit, si dhe programet të cilat ata mund t’i përdorin për të realizuar mësimin  dhe për të bërë demostrime.

Është e pamundur të mos përmendet në këtë drejtim edhe aftësimi në përdorimin e teknologjisë së arsimtarëve.  Fatkeqësisht, sot kemi një cilësi mjaft të ulët njohurish teknologjike – pa frikë pranojmë se nxënësi ka aftësi shumë më të mira informatike dhe përpunuese, sesa një pjesë e madhe e jona.  Po punojmë që komponentin e trajnimit të mësuesve ta bëjmë real, dhe çertifikimi i tyre të mos jetë vetëm për efekte page, por konkret dhe domosdoshmëri për zhvillimin e tyre profesional dhe për suksesin e projektit tonë.

Së bashku me donatorë vendas dhe të huaj kemi rënë dakord që të bëjmë edhe përmirësimet e nevojshme në kurrikulën parauniversitare për ta përfshirë gjerësisht këtë temë të rëndësishme, si edhe të gjenerojmë trajnime për mësuesit përkatës.

Në kuadrin e projektit tonë kombëtar ‘Shkollës si Qendër Komunitare’, ç’ka do të hapë shkollën për komunitetin, prindërit dhe vëllezërit e motrat më të rritur, do të kenë mundësi të përmirësojnë aftësitë e tyre teknologjike nëpërmjet kurseve që do të mund të ofrohen në laboratorët kompjuterike të shkollës, por edhe të shkëmbejnë mendime mbi sigurinë e fëmijëve të tyre në internet, të ofrojnë mendime mbi temat e trajnimit të fëmijëve të tyre, etj.

E sigurisht ne shpresojmë shumë, që të kemi edhe përkrahjen e gjerë të punonjësve të industrisë së teknologjisë informatike, që janë pjesë e komunitetit të prindërve, të ofrohen të jenë pjesë e këtij projekti ambicioz me ndarjen e dijeve të tyre me komunitetin.

Ndaj, pikërisht nga ky program dhe vizion yni, unë si Ministre e Arsimit dhe Sportit, shpreh mbështetjen dhe impenjimin tim maksimal që kontributi për projekte të tilla të jetë edhe më i madh.

Në mbyllje të fjalës sime do doja të falënderoja drejtuesit e këtij programi, Microsoft Albania, për impenjimin që nëpërmjet këtyre projekteve ata kontribojnë në rritjen e cilësisë së të rinjve dhe mësuesve tanë, duke i dhënë shoqerisë sonë një kontribut vlerash. Përfitoj, gjithashtu nga rasti të ftoj të gjithë aktorët dhe bizneset që të rrisin gamën e këtyre programeve, duke garantuar dhe njëherë mbështetjen e ministrisë që drejtoj dhe të qeverisë që përfaqësoj, se do të gjendemi gjithmonë pranë iniciativave të kesaj natyre.

Përgëzoj mësuesit që morën pjesë në këtë projekt, uroj fituesit për suksesin e tyre. Ky është sukses për të gjithë ju. Ju jeni prova qe ne nuk i druhemi sfidave të së ardhmes. Dhe për këtë unë ju jam shumë mirënjohëse. Shpresoj që ky sukses mos të mbetet thjesht në nivel lokal por të kalojë dhe kufijtë e Shqipërisë duke shpresuar që mësuesit tanë të jenë dhe pjesë e kompeticionit ndërkombëtarë në Forumin Botëror të Mësuesit Inovator.

Faleminderit!

{:}