Ministry of Education and Sports

Gjithmonë pranë futbollit, pranë federatës dhe pranë sportdashësve

Është kënaqësi e veçantë të marrësh pjesë në ngjarje të tilla, siç është edhe Asambleja e Përgjithshme e Sportit më të dashur dhe më popullor në botë, futbollit.

Futbolli është një sport, i cili ka dhuruar dhe u dhuron shqiptarëve çdo ditë, emocione të veçanta. Kombëtarja Shqiptare e Futbollit, tashmë është kthyer në një simbol përfaqësimi, jo vetëm brenda kufirit zyrtar, por kudo që shqiptarër  ndodhen në botë. 

Sporti, dhe sporti i futbollit në veçanti, është e qartë që nuk është vetëm çështje krenarie apo kënaqësie. Të paktën jo për ne njerëzit, që duhet dhe merren me menaxhimin e implementimin e strategjive dhe politikave që e prekin atë. 

Të gjithë jemi  të ndërgjegjshëm për rolin e madh që ka ky sport në jetën sociale, kulturore dhe edukative, si një mjet potencial për rritjen e imazhit sportiv të vëndit tonë. 

Nga ana jonë, si Qeveri dhe nga ana juaj, si organe drejtuese të këtij sporti, kërkohet një qasje konkrete në disa drejtime të detyrueshme me qëllim përmirësimin, zhvillimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në mënyrë që rezultate gjithnjë e më pozitive të arrihen në sportin e futbollit dhe në sportet në përgjithësi.

Mirëqeverisje në sport nëpërmjet implementimit të parimeve bazë për sportin, janë parime që vlejnë për të gjitha sportet. Përqasje me vizion e strategji të mirëfillta 

zhvillimore, procese demokratike në ndërtimin dhe administrimin e strukturave, trasparencë dhe llogaridhënie, profesionalizëm, integritet dhe etikë, solidaritet dhe përkujdesje ndaj sportistëve, gjithëpërfshirje dhe përfshirje e sportistëve në qeverisjen për sportin. 

Ne kemi përgjegjësinë si Qeveri dhe ju si organe drejtuese, të garantojmë pastërtinë dhe mbrojtjen e sportit nga praktikat që shkaktojnë rrënimin e tij. 
Ne do të ndërhyjmë me forcë me masa kundër praktikave korruptive të trukimit të rezultateve me qëllim forcimin dhe rikthimin e besimit në sport. 

Sporti është pasion,  i cili nuk mund të ndotet nga akte korruptive apo akte të dhunës. Dhuna nuk ka të bëjë me sportin, sepse sporti është dhe duhet të jetë gjithëpërfshirës.

Duke patur parasysh frymën e fair-play-it që duhet të ekzistojë, nuk mund të mos përmendim problemet që kanë ndodhur në aktivitetet kombëtare të Futbollit. Duhet të flasim dhe të përballemi me fenomene negative si  kontestimet  e shumta, aktet e dhunës dhe dyshimet per trukimin e ndeshjeve.

Të gjitha këto probleme kanë nxjerr në pah nevojën për rishikim, mirëmenaxhim dhe mirëfunksionim, në një mënyrë më efikase, të komisioneve të ndryshme të Federatës. Kjo do të bëjë që të rritet besimi tek njerëzit për Kampionatin kombëtar dhe aktivitetet e tjera të futbollit.

Vetëm duke ndërhyrë me strategji e masa efikase ne do të mund ta mbrojmë sportin dhe ta kthejmë atë në një ndërmarrje dhe aktivitet gjithpërfshirës.

Siç dhe mund të jeni njohur tashmë, programi i qeverisë për sportin bazohet mbi dy kolona me vlerë etike për të ardhmen e sportit shqiptar: 

Statusi i Sportistit Elitar, bazuar në kriteret e arritjes dhe rezultateve të larta.

Sporti në  Institucionet Arsimore, të  arsimit parauniversitar dhe universitar. 

Ne, gjithashtu, po rishikojmë këto prioritetet  si ministri në lidhje me sportin, skemën e financimit dhe kuadrin ligjor për sportin. Shumë shpejt do të njiheni me një draft, i cili do të diskutohet bashkarisht me ju, për të dalë më pas në një produkt final. 

Pikërisht për realizimi e këtij programi ambicioz, projektet dhe programet e bashkëpunimit midis MAS dhe Federatave do të intesifikohen akoma më shumë.

Në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollin dhe UEFA-n, ne po hartojmë një strategji të futjes së futbollit, si lëndë nëpër shkollat e Shqipërisë. Kjo do të rrisë më shumë masivitetin e tij dhe do ta bëjë atë edhe më të dashur, për fëmijët dhe rininë. 

Të nderuar zotërinj!

Duke ju uruar suksese në punimet e Asamblesë së Përgjitshme të futbollit shqiptar, që është njëkohësisht edhe organi më i lartë i këtij institucioni, më lejoni t’ju siguroj se sot dhe në të ardhmen, qeveria shqiptare do të jetë pranë futbollit, pranë federatës dhe pranë sportdashësve. Kjo qasje është konfirmuar edhe nga Kryeministri, Edi Rama, pas vizitës së fundit të Presidentit të UEFA-s, Michel Platini në Tiranë. 

Ne do të mbështesim çdo projekt për zhvillimin e futbollit, çdo projekt që nëpërmjet tij do të përgatisë fizikisht brezin e ri dhe do ta mbështesim në çdo hap të zhvillimit të tij.

Duke e mbyllur me urimin  e shpresën që të kemi sa më shumë fair-play dhe sa më shumë fitore për futbollin  shqiptar,

I uroj dhe një herë punë të mbarë kësaj Asambleje.