Ministry of Education and Sports

Arsimi dhe Shkenca, një kapitull i ri bashkëpunimi me Greqinë

Me ftesë të Ministrit të Arsimit të Republikës Greke z. Kostantinos Arvanitopoulos, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla zhvilloi një vizitë një ditore në kryeqytetin helen për të takuar homologun e saj grek.

Qëllimi i kësaj vizite ishte rritja dhe konsolidimi i marrëdhënieve dy palëshe në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor të dy vendeve.

Në këtë takim Ministrja Nikolla u shpreh mjaft e kënaqur dhe optimiste për nivelin e ri të bashkëpunimit të dy vendeve në fushën e arsimit dhe vlerësoi presidencën greke në mbështetjen që po i jepet vendit tonë drejt rrugës së integrimit për në Bashkimin Europian. Ajo u shpreh gjithashtu për ngritjen e grupeve të përbashkëta të ekspertëve për rishikimin e teksteve dhe për bashkëpunimin dhe shkembimet e ekspertizës profesionale në reformën e arsimit.

“Jam e kënaqur që sot me mikun tonë, ministrin Arvanitopoulos arritëm që të ecnim përpara në të gjithë diskutimin, për pika të rëndësishme të bashkëpunimit dypalësh në fushën e arsimit dhe shkencës. Sigurisht përcaktuam padyshim piketat e përbashkëta të punës në një plan afat shkurtër dhe afatgjatë në nënshkrimin e marrëveshjes, me ngritjen e grupit të përbashkët të ekspertëve për rishikimin e teksteve, po përtej këtyre, për mundësitë e përbashkëta të bashkëpunimit për ekspertizë profesionale edhe për gjithë reformën e arsimit të lartë dhe shkencës në Shqipëri. Ndamë vlerësimin e sinqertë për gjithçka që Shqipëria dhe Greqia bëjnë, posaçërisht Presidenca greke për integrimin europian të Shqipërisë. Do të vlerësoja gjithashtu bashkëpunimin midis dy qeverive në fusha të ndryshime, ku padyshim është edhe ajo e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe shkencës që do të shenojnë një rritje të re cilësore e një hap të ri me sytë gjithmonë nga një qasje e re, qasja integruese e Shqipërisë në Europë”. – u shpreh Ministrja Nikolla.

Nga ana e tij Ministri Arvanitopoulos e vlerësoi këtë takim si mjaft domethënës dhe konstruktiv në forcimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit të dy vendeve në fushën e arsimit. Z. Arvanitopoulos theksoi dhe njëherë vullnetin e Qeverisë greke në mbështetje të ecurisë europiane të shqipërisë dhe vlerësoi marrëdhëniet me komunitetin shqiptar ne Greqi dhe minoritetin grek në Shqipëri, si një investim i mëtejshëm në dobi të dy popujve tanë. 

“Mirëprita me shumë kënaqësi homologen time, të cilën e vlerësoj jashtë mase, si një politikane e re që vepron me hapa të sigurta në angazhimet e reja, për arritjen e reformave arsimore në Shqipëri. Ky ishte një takim konstruktiv për të dhënë një shtyrje në sa diskutuam në Tiranë, domethënë të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve tona, e veçanërisht në fushën e Arsimit, një fushë me një ndjeshmëri të lartë. Pata mundësi të rikthesoj vullnetin e qeverisë greke në mbështetjen e ecurisë europiane të Shqipërisë, vullnet i shprehur nga ana jonë në të gjitha nivelet. Kishim mundësinë të diskutonim tema të rëndësishme e të dobishme si nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit, rifillimi i takimeve në nivele ekspertesh për çështjen e hartimit të teksteve,  me një vizion drejt së ardhmes, të përbashkët. Shkëmbyem mendime rreth reformave që po zbatohen në dy vendet tona, duke i dhënë prioritet mundësisë së shkëmbimit të eksperiencave në qendrat akademike, studimore, kërkimore, në institucionet e larta dhe Universitete. Në kuadrin e axhendës së shkëmbyer gjatë takimit të sotëm, pata nderim të marr një ftesë për një vizitë të ardhshme dyditore në Tiranë, për të thelluar më tej bashkëpunimin dypalësh në të gjitha nivelet: në nivelin akademik, qendrat kërkimore e shkencore, akademitë e larta. Së fundi, kishim mundësinë të diskutojmë për çështjet e arsimit të minoritetit grek në Shqipëri dhe komunitetit e shqiptarëve në Greqi, duke i vlerësuar si një investim i mëtejshëm në dobi të dy popujve tanë. Jam i lumtur me këtë bashkëpunim dhe le të vazhdojmë me këtë frymë.” – u shpreh Ministri Arvanitopoulos.