Ministry of Education and Sports

Nga Elbasani për të uruar 7 marsin, ditën e mësuesit

Në ditën e mësuesit, datën e shënuar të 7 marsit, ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla mori pjesë në ceremoninë jubilare, organizuar nga Drejtoria Arsimore Rajonale e Elbasanit. Veçantia tjetër e kësaj dite ,dedikuar  mësuesit është se kjo periudhë përkon edhe me 100 vjetorin e themelimit të Drejtorisë Arsimore të Elbasanit.

Në mëngjes, ministrja Nikolla zhvilloi një takim në Drejtorinë Arsimore të Qarkut Elbasan, ku u takua me punonjësit e kësaj drejtorie , me  mësues veteranë të qytetetit të Elbasanit, si dhe me ish drejtorë të këtij institucioni.

Më pas aktiviteti vazhdoi me nderimet e bëra në monumentin e mësuesit, ku në mënyrë simbolike u vendosën lule në shenjë respekti dhe përulësie ndaj punës së jashtëzakonshme ndër vite nga mësuesit e arsimit shqiptar.

Ky aktivitet jubilar në kuadër të festës së 7 Marsit, kulmoi me një aktivitet festiv në teatrin “Skampa”, ku ministrja Nikolla mbajti dhe fjalën e saj përshendetëse për 7 Marsin, me urimin drejtuar të gjithë mësuesve shqiptar të kudondodhur. Më pas orkestra e shkollës artistike “Onufri”, zhvilloi një koncert festiv në nderim të festës së mësuesit.

Në përfundim të këtij turi aktivitetesh, ministrja Nikolla, zhvilloi dhe një vizitë në muzeun e shkollës “Naim Frashëri”, shkolla e parë shqipe në qytetin e Elbasanit, themeluar më 2 Gusht 1908.

Fjala e plotë e ministres Nikolla në teatrin “Skampa” të qytetit të Elbasanit, drejtuar gjithë mësuesve shqiptarë në ditën e festës së mësuesit:

 

Të dashur mësuese dhe mësues, 

Ndihem e nderuar që gjendem këtu mes jush dhe e lumtur që urimin e festës së 7 marsit, festës që nderon punën tuaj kaq fisnike dhe të dashur për të gjithë, ta përcjellë sot nga qyteti i Elbasanit. Kryeministri Rama në vlerësimin e tij e quan qytetin e Elbasanit “djepin e arsimit kombëtar”, një vlerësim që vjen nga kontributet e jashtëzakonshme të tij në fushën e arsimit. 

Jam këtu sot edhe për një festë të posaçme, për të kujtuar fillesat e krijimit të Drejtorisë së sotme Arsimore të këtij qyteti dhe për t’u përcjellë brezave që vijnë traditën arsimdashëse të Elbasanit, duke qenë se ky vit përkon edhe me 100 vjetorin e themelimit të Zyrës Arsimore të Elbasanit.

Ishte pikërisht 100 vjet më parë, kur Qeveria e Vlorës, nisur nga nevoja imediate e shpërndarjes së dritës së diturisë përmes arsimit vendosi që të çeli në Elbasan, Inspektorinë e Arsimit pranë këtij qyteti. 

Në saj të funksionimit të këtij inspektorati. u shtua numri i shkollave fillore dhe fillesat e një tradite të shquar në fushën e arsimit kombëtar. Gjatë periudhave të ndryshme, pavarësisht situatave të kohës  arsimi në Elbasan ka mbijetuar. Gjatë këtyre viteve janë nderuar me titullin “Mësuesi i popullit” 36 mësues dhe 79 të tjerë me titullin “Mësues i merituar”, ndërkohë që vlen për t’u përmendur që ky qytet i ka dhënë kërkimit shkencor edhe plot shkencëtarë të talentuar. Gjithashtu vlen të theksohet që vetëm nga ky qytet kanë dalë tre drejtues të nderuar të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Por jo vetëm Elbasani,  edhe Shkodra, Korça, Gjirokastra, Vlora e me rradhë qytetet me traditë të lartë në përçimin e dijes dhe kulturës, kanë nxjerrë veprimtarë dhe arsimdashës të mëdhenj që me kontributin e tyre të vyer kanë mundur që të themelojnë sistemin arsimor shqiptar, duke i rritur vlerat ushtrimit të detyrës së dijes në vendin tonë edhe në  momente të errëta për vendin, kur dëshira dhe e drejta për dije ishte më shumë se kaq, ishte zëri i një populli të tërë  për liri.

Sot, sfida jonë është garantimi i cilësisë në arsim, si një domosdoshmëri në kuadrin e integrimit dhe arritjeve të standarteve europiane.

Ne jemi vullnetplotë dhe të angazhuar që mësuesit t’i rikthehet roli dhe figura e tij, habitati i tij natyral që këtij profesioni fisnik i ka hije, duke u trajtuar me autoritet, respekt, dashuri dhe duke e lartësuar detyrën e tij. Për ne, vlerësimi dhe trajtimi i mësuesit është një prioritet qeveritar, pasi vetë mësuesi është zemra e përçimit të dijes brenda institucionit arsimor. Në këto pesë-gjashtë muaj qeverisje jemi angazhuar që të fillojmë ndryshimin e madh, duke punuar fort për t’i rikthyer dinjitetin mësuesit. Tanimë, hapat e parë drejt transformimit të sistemit arsimor shqiptar janë hedhur. Në këtë kuadër, qeveria i ka dhënë një rëndësi të veçantë bashkëpunimit me mësuesin, jo vetëm duke zhvilluar një dialog të hapur e duke u bërë dëgjues dhe bashkëpunues në zgjidhjen e shqetësimeve të tyre, por dhe duke krijuar mekanizmat e nevojshëm që kanë prodhuar një bashkëpunim ndryshe, nëpërmjet komunikimit dhe partneritetit të ngushtë mësues-prind-qeveri. Kjo është materializuar nëpërmjet takimeve të shpeshta, aktiviteteve e tryezave të zhvilluara, por sigurisht edhe nëpërmjet projekteve dhe objektivave qeverisëse, siç është “Shkolla si Qendër komunitare”, përzgjedhja e drejtueseve dhe mësuesve të shkollave nëpërmjet transparencës dhe gjithpërfshirjes, krijimit të kartës së performancës së shkollës, kodit të etikës së mësuesit etj.

Qeveria shqiptare, gjithashtu ka arritur të përcaktojë një rritje prej 4% të rrogave për afro 40 mijë punonjës në arsim për këtë vit, por sigurisht një zotim tjetër i mbajtur është dhe hyrja në fuqi e zbatimit të taksës së ndershme që ka bërë të mundur që mësuesi të fitojë më shumë. 

Nevoja për një reformim tërësor në sistemin arsimor, që synon cilësi dhe zhvillim për arsimin shqiptar, pa dyshim që ka nevojë për ndihmën dhe kontributin tuaj të vyer në kantieret e hapura të reformës arsimore, siç është ajo e maturës shtetërore, altertekstit dhe kurrikulës, por dhe ajo e arsimit të lartë. 

Ndaj, më lejoni që në këtë 7 Mars, një ditë e shenjtë për të gjithë mësuesit e pedagogët të të gjitha niveleve, t’ju bëj një thirrje publike të gjithë arsimtarëve dhe arsimdashëse shqiptar të kudogjendur, që njohuritë e tyre t’i vendosin në shërbim të zhvillimit të dijes e dialogut gjithëpërfshirës për të kontribuar së bashku në një vendimmarrje sa më cilësore, pasi për zhvillimin e vendit politika më e mirë ekonomike është arsimi. Politikë e cila do të shpjerë e do të konsolidojë të ardhmen e suksesshme të gjeneratës së re të shqiptarëve, një gjeneratë që me formimin e saj do të projektojë një qytetari me vlera demokratike të standarteve evropiane.

Mësues të dashur të të gjithë Shqipërisë, kudo që ndodheni, brenda dhe jashtë vendit, ju përkulem sot, këtu, përpara jush në shenjë respekti dhe mirënjohje për gjithë punën tuaj, sakrificat e mundin në profesionin tuaj kaq fisnik dhe dinjitoz, siç është profesioni i mësimdhënies , duke ju uruar “Gëzuar festën tuaj, 7 Marsin”.

Lejomëni ta mbyll fjalën time me thënien proverbiale do ta quaja unë, të Naimit: “Dhe drita e diturisë përpara do të na shpjerë”. E pra të dashur miq, së bashku ta ndriçojmë sa më shumë atë dritë, pasi ky është detyrimi ynë njerëzor e patriotik ndaj popullit tonë, atdheut dhe brezave tanë të rinj.

Faleminderit dhe gëzuar!