Ministry of Education and Sports

Sot ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla mori pjesë në Konkursin e Tretë Kombëtar Studentor “Imagine Club Albania”që, në thelbin e tij, ka promovimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve universitare dhe industrisë në një fushën e teknologjisë së informacionit.

Në fjalën e saj ministrja Nikolla theksoi se mbështetja e studentëve dhe stafeve akademike për të promovuar inovacionin është mënyra më e mirë për të përmirësuar qasjen e përgjithshme ndaj së ardhmes dhe progresit, për përmirësimin e inputeve, teknologjisë, tregjeve, kapitalit dhe ekspertizës.

“Pjesë e punës sonë  është zhvillimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të ndryshme arsimore, për forcimin e partneritetit publik privat, dhe në këtë kuadër jemi të angazhuar të bashkëpunojmë me biznesin, dhe, së bashku, të bëhemi iniciatorë të një procesi gjithëpërfshirës në të mirë të zhvillimit dhe progresit të vendit”, – u shpreh Nikolla.

Ministrja Nikolla, shprehu gjithashtu dhe mbështjen e veçantë të Kryeministrit Rama, në procesin e dixhitalizimit të sistemit arsimor si dhe në prezantimin e  paisjeve të reja dixhitale në çdo klasë e në çdo shkollë të mesme të vendit, deri në vitin 2017.  Ndërkohë, që në një fazë të dytë do të punohet edhe për përmirësimin e nivelit të përdorimit të teknologjisë në shkollat 9-vjeçare.

Pjesë nga fjala e Ministres së Arsimit dhe Sportit znj.Lindita Nikolla:

Në emër të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit kam sot kënaqësinë, t’ju përshendes në këtë aktivitet të rëndësishëm, i cili mbahet për të tretin vit rradhazi, dhe që, në thelbin e tij, ka promovimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve universitare dhe industrisë në një fushë specifike siç është ajo e teknologjisë së informacionit, bashkëpunim i cili përbën një hap mjaft të rëndësishëm drejt lidhjes graduale të studentit me vendin e ardhshëm të punës.

Në bazë të analizave të bëra, mbështetja e studentëve dhe stafeve akademike për të promovuar inovacionin është mënyra më e mirë për të përmirësuar qasjen e përgjithshme ndaj të ardhmes, për përmirësimin e inputeve, teknologjisë, tregjeve, kapitalit dhe ekspertizës. Pjesë e punës sonë  është edhe zhvillimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të ndryshme arsimore, për forcimin e partneritetit publik privat, dhe në këtë kuadër jemi të angazhuar të bashkëpunojmë me biznesin, dhe, së bashku, të bëhemi iniciatorë të një procesi gjithëpërfshirës në të mirë të zhvillimit dhe progresit të vendit.

Eshtë kënaqesi për mua dhe stafin që unë drejtoj, të ofrojmë kontributin tonë, i cili  shpresojmë të finalizohet edhe këtë vit me më shumë studentë të punësuar menjëherë pas këtij aktiviteti, me projekte të reja dhe me produkte që do të mund të kapërcejnë kufinjtë shqiptarë.

Me mbështjen e Kryeministrit Rama, po bëjmë përgatitjet për të dixhitalizuar sistemin arsimor dhe për të prezantuar paisje të reja dixhitale në shkollat e mesme të vendit, duke synuar që t’i kemi ato në çdo klasë e në çdo shkollë të mesme deri në vitin 2017.  Ndërkohë, po punojmë edhe për sa i përket përmirësimit  të nivelit të përdorimit të teknologjisë në shkollat nëntëvjeçare, me objektivin që të prezantojmë përmbajtje dhe paisje dixhitale edhe aty në një fazë të dytë.  Reforma në përdorimin e teknologjisë së informacionit do të ofrojë një siguri më të madhe në  aftësimin e nxënësit dhe mësuesit drejt sfidave të reja, jo vetëm brenda vendit, por dhe në raport me rajonin dhe tregun global.  Në kuadrin e projektit tonë kombëtar ‘Shkolla si Qendër Komunitare’, ç’ka do të hapë shkollën përballë komunitetit, prindërit, vëllezërit e motrat më të rritur, do të kenë mundësi të përmirësojnë aftësitë e tyre teknologjike nëpërmjet kurseve që do të mund të ofrohen në laboratorët kompjuterike të shkollës, por edhe të shkëmbejnë mendime mbi sigurinë e fëmijëve të tyre në internet, të ofrojnë ide mbi temat e trajnimit të fëmijëve të tyre, etj.

Ne shpresojmë që të kemi edhe përkrahjen e gjerë të biznesit të industrisë së teknologjisë informatike, disa prejt të cilëve vijnë dhe nga komuniteti i prindërve, që të ofrohen të jenë pjesë e këtyre projekteve ambicioze me ndarjen e dijeve të tyre me komunitetin.

Nga ana tjetër ftoj dhe studentët e degëve të teknologjisë së informacionit që praktikën e tyre ta bëjnë, pikërisht në këto shkolla duke dhënë jo vetëm kontributin e tyre për nxënësit, por duke përvetësuar dhe eksperincën reale të tregut të punës. Gjithashtu, do të kemi nevojë për mësuesë të lëndës së Teknologjisë së informacionit, dhe për këtë, ju, studentët e këtyre degëve, do të keni prioritet.

Për të mbyllur fjalën time, do të dëshiroja të theksoja se në ditët e sotme kanë rëndësi:
– Së pari, idetë, sepse janë idetë që bëjnë të mundur që bota të ecë përpara;
– Së dyti, pasioni dhe këmbëngulja e studentit
– Së treti këmbëngulja e institucioneve publike (siç është MAS) dhe e biznesit për t’i orientuar të rinjtë dhe të rejat të mos bien në kurthin e rutinës (kafeneve), por të nxjerrin në pah anët e tyre më të mira profesionale, dhe, pas çdo gabimi apo rënieje të kenë kurajon dhe mundësinë të ngrihen më të fortë.

Të dashur studentë – Për aq kohë sa vini në universitet cdo ditë, me mendimin dhe dëshirën për të përmirësuar vehten dhe për t’i bërë ballë çdo sfide, dyert e të ardhmes ju hapen vetë.

Faleminderit!

{:}