Ministry of Education and Sports

Pranvera frankofone, një bashkëpunim afatgjatë dhe i konsoliduar midis   dy vendeve

Në kuadrin e Pranverës së Frankofonisë, ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së punimeve të Kongresit të I "Drejt një të ardhmeje më të mirë për frankofoninë: praktika dhe përpjekje për të siguruar cilësinë e mësimdhënies/mësimnxënies së frëngjishtes si gjuhë e huaj". 

Të pranishëm në këtë ceremoni të organizuar nga Departamenti i Frëngjishtes i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, në ambientet e Sallës së konferencave të godinës Iliria, Qyteti Studenti, ishin edhe ministrja e Kulturës znj. Mirela Kumbaro, Ambasadorja e Republikës Franceze në Tiranë znj. Christine Moro, zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, 

znj. Nora Malaj, Rektori i Universitetit të Tiranës, z. Dhori Kule, Drejtoresha e Qendrës Rajonale të Frankofonisë për Evropën Qendrore dhe Lindore, znj. Rennie Yotova, drejtues të departamenteve të gjuhës së huaj, pedagogë dhe student të gjuhës frënge.

Duke përshëndetur hapjen e punimeve të këtij Kongresi të parë, ministrja Nikolla u shpreh se: "Frankofonia, gjuha frënge është ndër gjuhët e huaja që vijnë në fillesat e këtij mijëvjeçari të ri, të shekullit të ri të shqiptarëve, me një bagazh e një trashëgimi nga më të pasurat dhe të vyerat në kulturën shqiptare. Dashuria për gjuhën frënge dhe për artin që flet frëngjisht ka çuar shtrirjen e kësaj gjuhe në të gjithë sistemin parauniversitar si gjuhë e huaj e parë e detyruar dhe gjuhë e huaj e dytë (fakultative) nga klasa e 3-të e ciklit të ulët deri në klasën e 12-të të gjimnazit dhe arsimit profesional".

Ministrja Nikolla shtoi se: "Gjuha frënge zë një vënd të rëndësishëm në të gjitha politikat e MAS,  në thelb të të cilës qëndron shumëgjuhësia dhe plurikultura. Këto politika, të cilat do të realizohen në bashkëpunim të ngushtë me  Ministrinë e Punëve të jashtme dhe  Universitetet Shtetërore, si institucionet bazë të cilët hartojnë, promovojnë dhe mbështesin politikat në kuadër të frankofonisë. Bashkëpunimi dypalësh midis MAS dhe Ambasadës Franceze në fushën e arsimit parauniversitar është një bashkëpunim afatgjatë dhe i konsoliduar, i cili ka synuar një mbarëvajtje të proceseve të gjuhës frënge dhe kualifikimit të mësuesve të gjuhës frënge, si dhe politikave arsimore në tërësi".

Teksa theksoi vullentin e MAS për përafrimin e standarteve arsimore shqiptare me ato evropiane, ministrja Nikolla u ndal tek reforma për arsimin e lartë, ajo e paketës kurrikulare, alterteksti dhe matura shtetërore duke vënë në pah objektivat dhe punën e MAS në këtë drejtim: "Si partnerë  të  interesuar për të pasur një qëndrueshmëri në numrin e nxënësve që mësojnë gjuhën frënge, por edhe për të pasur një mësimdhënie cilësore, fokusi i bashkëpunimit është vënë në përafrimin e standardeve arsimore shqiptare me ato evropiane,  kualifikimin e mësuesve dhe konsolidimin e grupit të mësuesve trajnues. Reformimi i arsimit të lartë dhe përmirësimi i akteve ligjore do të sjellë dhe ndryshimin e shumëkërkuar nga komuniteti frankofon për rolin e rëndësishëm të gjuhës frënge në të tri ciklet e arsimit universitar. Gjuha frënge  përbën një fokus të rëndësishëm të të gjitha aspekteve të shkollimit parauniversitar duke filluar me Reformën e paketës së re kurrikulare, Maturën Shtetërore, Altertekstin  dhe zhvillimin profesional të mësuesve. Gjithashtu, Gjuha frënge eshtë një pjesë e rëndësishme e Maturës Shtetërore dhe për rëndësinë e saj sot po ndërgjegjësohen edhe universitetet. Është fakt që Fakulteti i Mjekësisë i jep gjuhës frënge në Maturën Shtetërore 2014 koeficientin 1.3 dhe kjo flet për ndërgjegjësim në rëndësinë e kësaj gjuhe. MAS po shikon të gjitha mundësitë që të  përmirësojë boshllëkun e krijuar në vite lidhur me altertekstin. Dhënia e mundësisë nxënësve që të mësojnë gjuhën frënge me tekste të shtëpive botuese franceze do të ndikojë në përmirësimin e cilësinë së mësimnxënies dhe nëpërmjet elementit konkurues nxënësit dhe mësuesit kanë në duar alternativa të ndryshme mësimdhënieje dhe mësimnxënieje."