Ministry of Education and Sports

Matura Shtetërore 2014, progres në cilësi dhe siguri në administrim

Në kuadër të mbylljes së procesit të regjistrimit online të Maturës Shtetërore 2014, zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Nora Malaj zhvilloi sot, në ambientet e MAS, një konferencë për shtyp me mediat për të bërë një bilancë të deri tanishëm rreth procesit të administrimit të MSH, si dhe për të informuar maturantët rreth hapave të mëtejshëm që MAS do ndjek për të udhëhequr këtë proces.

 

Fjala e Zëvendësministres së Arsimit dhe Sportit znj.Nora Malaj:

Mirëdita të gjithëve,

Ju falënderoj shumë që jeni sot këtu edhe juve, për ndihmën e jashtëzakonshme që na keni dhënë në fazën e parë të aplikimit të Maturës Shtetërore. Falë edhe ndihmës suaj, sot deklaroj të mbyllur procesin e regjistrimit të Maturës Shtetërore. Aktualisht janë regjistruar 51.255 maturantë dhe për ne si Komitet i Maturës Shtetërore është një vlerësim shumë i madh, pasi të gjithë maturantët gjatë periudhës që dhe ju e keni monitoruar nuk kishin asnjë lloj problematike, duke u aplikuar në kohë, me cilësi dhe rezultat dhe kjo tregon që është një ogur i mirë, i cili tregon se Matura Shtetërore do të jetë një garanci e standardit për të cilin së bashku kemi diskutuar.

Aktualisht jemi pas përfundimit të fazës së parë të plotësimit të Formularit A1/A1Z, sot dhe për gjithë muajin në vazhdim po shpallim “Muajin e zhvillimit të karrierës” që lidhet pikërisht me fazën që ka të bëjë me mënyrën sesi maturantët do të realizojnë procesin e bashkëbisedimit me universitetet si publike dhe private në kuadër të përzgjedhjes që ata do të bëjnë duke njohur problematikat që kanë, duke u dhënë mundësi kështu në qasjen që ata do të bëjnë dhe mënyrën si ato do të jenë pjesë në procesin e përfundimit të Maturës Shtetërore për të vazhduar më pas universitetin. Ta kenë tashmë të qartë programin që ata kanë dhe mënyrën se si do të realizohet.

Nga inspektimi që Inspektoriati i Arsimit Shqiptar i bëri situatës dhe paralelisht me këtë Komiteti i Maturës Shtetërore kanë hartuar planin e aktiviteteve që do të ndjekin hap pas hapi zhvillimin e nevojshëm që duhet të ketë çdo maturant për procesin e Maturës Shtetërore. Njëkohësisht ka monitoruar njohjen e situatës jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Republikën e Shqipërisë për Maturën Shtetërore. Nga një anketim i pyetësorit të përmbledhjeve që është bërë ka rezultuar se njohja e Maturës Shtetërore në rang republike njihet nga rreth:

•      99% e maturantëve që janë në procesin e Maturës Shtetërore. 
 
•    75% e nxënësve janë informuar nga mësuesit kujdestar duke krijuar pikërisht dhe atë që quhet qendra,këndi, apo grupi i Maturës Shtetërore në çdo shkollë. 

•    55% janë njohur nëpërmjet drejtuesve të shkollës e medias dhe për këtë unë dua t’ju falënderoj shumë për informacionin e saktë që keni dhënë, për bashkëpunimin e vërtetë që keni bërë dhe për këtë informacion që shkon në interes të çdo nxënësi dhe çdo prindi. 

Nga orët e konsultimit që kemi vendosur 88% e nxënësve realizojnë orët e konsultimit të vendosura mbi planin e një grafiku të qartë ende nuk i kanë realizuar ato 22% e nxënësve. Natyrisht, ne kemi marrë masa që orët e konsultimit që janë të domosdoshme si për provimet me zgjedhje dhe për provimet e detyruara duhet të jenë pjesë detyrimisht e programit të Maturës Shtetërore.

Një lajm shumë i mirë është fakti që 97% e maturantëve kanë zgjedhur gjuhën e dytë si gjuhë alternative dhe kështu bie poshtë e gjithë problematika që u shfaq në momentin e parë nga debatet e ndryshme përsa i përket gjuhës së parë që ishte lëndë detyruese. Kjo tregon që tashmë nxënësit e mirëpresin dhe jam e bindur që ky rezultat do të jetë shumë i mirë në nivelin e pritshmërisë që ata kanë. Njëkohësisht rreth 90% e nxënësve kanë informacion për sistemin e kreditimeve dhe për mënyrën se si do të bëjnë përzgjedhjen e lëndëve në listën e Maturës Shtetërore. Vetëm 10% e tyre është ende e panjohur. Kjo tregon një shifër ku informacioni është dhënë i qartë dhe i plotë. 

Nga ana tjetër sot ne kemi nxjerrë dhe datat e provimeve të maturës shtetërore të nxjerra nga një udhëzim i ministres i cili në vijim të maturës shtetërore përcakton qartësisht cilat janë datat, mënyra si do të realizohet dhe koha e realizimit të provimeve. 

Aktualisht, sot duam të lancojmë dhe guidën e maturantit, një tjetër prioritet që i kemi dhënë si Komitet i Maturës Shtetërore. Guida është një material i përcaktuar për çdo maturant, ku aty mund të orientohet qartësisht problematika që ai ka në të gjitha fazat që maturanti do të ndjekë në procesin e Maturës Shtetërore për t’u orientuar drejt provimeve, për të parë se cilat janë të drejtat dhe detyrimet e tyre. Dhe kështu ne mbyllim fazën e dytë shumë të rëndësishme të njohjes së  çdo maturanti me detyrimin që ata kanë, njëkohësisht realizojmë një pritshmëri shumë të madhe, pasi kjo guidë nuk do të jetë vetëm për maturantin si individ por do të jetë edhe për prindërit, i cili do t’i ndihmojë në qasjen dhe rezultatin e pritshëm që ne kemi.

Dua të falenderojë të gjithë mësuesit e IT-së dhe qendrat që realizuan me shumë korrektesë dhe profesionalizëm aplikimin e maturantëve. Dua të falenderojë të gjithë DAR/ZA-të, të cilët e kanë patur si një prioritet dhe vendimarrje shumë të rëndësishme. Më vjen shumë mirë që tashmë maturantët e kanë të qartë dhe në përzgjedhjen e tyre presin pritshmëri të larta në provimet e shtetit dhe jam shumë e binduar që provimi i Maturës Shtetërore do të jetë një ogur i mirë për sistemin e arsimit, i cili tashmë në ndryshimet reale që po bën në drejtim të reformave për cilësi dhe standard do të standartizojë me sukses të garantuar për arsye se komuniteti i nxënësve dhe prindërve, mësuesve dhe komuniteti mediatik është një pjesë e përbashkët e gjithë kësaj kauze për të realizuar qëllimin final që lidhet me standardin e këtij procesi.

Pyetje: A mund të themi datat e provimeve ju lutem?
 
Datat e provimeve janë :

Gjuhë shqipe dhe letërsi më 30 Maj
Matematikë në 9 Qershor
Gjuha e huaj në 16 Maj (pra do të bëhet më parë)
Dhe provimet me zgjedhje më 18 Qershor 

Këto data janë përzgjedhur që të gjithë maturantët që do të garojnë dhe në universitetet e huaja, pra jo shqiptarë të mos penalizohen për nevojën që ata kanë për pritshmëri.