Ministry of Education and Sports

Dita Ndërkombëtare e Romëve, arsim cilësor për të gjithë

Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, mori pjesë në një aktivitet të organizuar nga shkolla “Bajram Curri”, pikërisht për të festuar këtë ditë të shënuar për komunitetin rom.

Fëmijët e kësaj shkolle, 48% e të cilëve vinë prej këtij komuniteti, ishin kujdesur që në këtë ditë të veçantë, të organizonin një sërë aktivitetesh, duke filluar nga lojrat e ndryshme sportive, ekspozita me piktura nga fëmijët, koncert, dokumentar për komunitetin rom, deri në organizimin e një panairi ushqimor dhe atij për ekspozimin e veshjeve tradicionale, në përmbajtje të së cilave pasqyrohej kultura dhe tradita rome.

Duke uruar komunitetin rom për Ditën Ndërkombëtare Rome, ministrja Nikolla u shpreh: “Më lejoni të përshëndes sot gjithë këtë komunitet të nderuar të të gjithë shqiptarëve, siç është komuniteti rom, të shpreh angazhimin tim ndaj të gjithë këtyre fëmijëve, mësuesve dhe prindërve të tyre, se do të bëjmë ç’është e mundur që shkolla e tyre të jetë sa më miqësore, që ky komunitet të mirëarsimohet, që këta fëmijë të ndihen njësoj të barabartë si gjithë fëmijët e tjerë të Shqipërisë.

Shkolla “Bajram Curri” ,është një shkollë shembullore e integrimit të këtyre kulturave nëpërmjet punës së lëvdueshme që është bërë ndër vite për këtë komunitet. Por, në fakt ky komunitet meriton shumë e më shumë. Unë sot e pashë nëpër klasa se sa bukur punonin dhe komunikonin këta fëmijë me njëri-tjetrin, sesa talente kemi për ta kthyer shkollën në një mjedis realisht miqësor, jo vetëm gjatë orëve të mësimit, por për të mundësuar në këtë shkollë; shkollën model të qendrës komunitare. Sot jemi për të festuar, por çdo ditë tjetër për të punuar në mënyrë që çdo ditë e jetës së këtyre fëmijëve të jetë shumë e më shumë më e bukur”.

Më pas ministrja Nikolla mori pjesë në takimin e organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri- CRCA, Shoqatën Kristiane të Grave Shqiptare, Observatorin për të Drejtat e Fëmijëve dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, me mbështetjen e UNICEF, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Rome me temë: “Fëmijët bisedojnë me Politikanët”.

Qëllimi i këtij takimi ishte nxitja e bashkëbisedimit të qendrueshëm dhe pro-aktiv midis deputetëve, përfaqësuesve të Qeverisë, institucioneve të të drejtave të njeriut dhe fëmijëve e adoleshentëve të komunitetit rom.

Në këtë takim znj. Nikolla së bashku me Kryetarin e Kuvendit, z. Ilir Meta dhe një grup deputetësh bashkëbiseduan me fëmijët rom, duke dëgjuar dhe ndarë me ta shqetësimet mbi problematikat, si dhe rastet e suksesit të integrimit të komunitetit rom në shoqëri.

Këtij aktiviteti të veçantë, iu rezervua dhe një hapësirë speciale, dedikuar ekspozitës “Çdo fëmijë rom në kopsht”, në të cilën ishte pasqyruar puna e përditshme për regjistrimin e fëmijeve rom në kopshte, si dhe realiteti e sfidat me të cilat ky komunitet përballet çdo ditë.