Ministry of Education and Sports

Shkollat: partnere të së ardhmes

Sot ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, së bashku me ambasadorin gjerman z. Hellmut Hoffmann, zhvilluan një vizitë në ambientet e shkollës “Sami Frashëri”, për të ndjekur nga afër zhvillimin e procesit mësimor në seksion dygjuhësh shqiptaro-gjerman, pranë këtij gjimnazi.

Seksioni shkollor dygjuhësh, shqiptaro-gjerman afirmon prej disa vitesh në funksionin e tij, përmes Maturës së përbashkët shqiptaro–gjermane, modelin e suksesshëm që u mundëson nxënësve studime universitare në Shqipëri dhe në Gjermani. Ky sistem shkollor vendos në qendër nxënësin,  jo vetëm për sa i përket organizimit të procesit mësimor, por edhe veprimtarive dhe projekteve që organizohen për ta në Gjermani. Gjithashtu, ky program mundëson mënyra bashkëkohore të metodologjisë së mësimdhënies dhe bashkëmësimdhënies, si dhe këshillim karriere për ata nxënës që synojnë të vazhdojnë studimet e larta në shtetin gjerman.

Në këtë kuadër, MAS së bashku me ambasadën gjermane shprehën angazhimin e tyre për shtrirjen e bashkëpunimit në projekt, duke mundësuar forcimin dhe konsolidimin e mësimdhënies, rritjen e hapsirave fizike të domosdoshme për sektorin dygjuhësh dhe sigurimin e pajisjeve të klasave, me qëllim që të kontribuohet drejt cilësisë në mësim, kualifikimin e vazhdueshëm të mësuesve të gjuhës gjermane, si dhe për sigurimin e kontingjenteve cilësore të nxënësve, duke krijuar një praktikë bashkëpunimi midis tri shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazit “Sami Frashëri”.
 
Duke falënderuar shtetin gjerman për mbështetjen ndaj këtij projekti, ministrja Nikolla u shpreh: “Ndjehem shumë mirë që sot kam mundësinë të jem e pranishme në shkollën “Sami Frashëri”, për të ndjekur nga afër zhvillimin e mësimit të gjuhës gjermane, në një nga shkollat më shembullore në Shqipëri, për sa i përket të gjitha arritjeve ndër vite të punës mësimore dhe edukative dhe suksesit që nxënësit e kësaj shkolle kanë bërë në shoqërinë shqiptare. Por sot, posaçërisht ndjehem e nderuar që në këtë projekt kjo shkollë ka arritur një nivel të ri, jo vetëm të cilësisë së mësimit të gjuhës gjermane, por dhe të mundësimit të një filozofie që mundëson një menaxhim të ri të shkollës dhe formim të të rinjve tanë. Vullneti i MAS është që modele të tilla t’i bëjmë të mundura edhe në shkolla të tjera të Shqipërisë, për të mundësuar këtë qasje të re të menaxhimit të jetës së shkollës dhe të formimit të këtyre të rinjve dhe të rejave për t’u përshtatur me nevojat e kërkesës së tregut dhe të zhvillimit të vendit. Me ndërhyrjet që ne kemi bërë për këtë në Maturën Shtetërore, sigurisht që kërkuam dhe mundësuam një aspekt ligjor, por vendosëm që t’a përafronim MSH me kompetencat e reja, ku integrimi ynë në Evropën shumëkulturore dhe shumëgjuhëshe kërkon,  duke futur gjuhën e huaj si një provim të detyruar, edhe pse në vit të parë me një impakt jo të drejtëpërdrejtë në mesatare apo në pikët e pranimit në universitet. Ndjehem shumë mirë që nga informacionet që kemi pas plotësimit të formularit elektronik tregojnë që maturantët tanë e shikojnë përvetësimin e gjuhës së huaj si një mjet të rëndësishëm për të vijuar më pas shkollimin e tyre në universitetet shqiptare ose të botës. Përfitoj nga ky takim që t’ju inkurajoj juve, të dashur nxënës që të mësoni sa më shumë gjuhë të huaja, të mësoni posaçërisht dhe gjuhën e kulturën gjermane dhe ta përdorni atë si një kompetencë të rëndësishme për të bërë sukses nesër. Kemi përfunduar në kohën e përshtatshme grafikun e datave të provimeve të Maturës Shtetërore, në mënyrë që t’ju japim juve që dëshironi të studioni në universitetet gjermane, mundësinë për të konkuruar brenda afateve kohore dhe brenda kuadrit ligjor, duke i dhënë fund atij momenti drithërues të atyre ditëve, teksa vlerësuesit kontrollonin provimet tuaja dhe ju donit me doemos rezultatet, në mënyrë që të aplikonit në kohë pranë këtyre universiteteve. Prandaj ne përafruam ditët që edhe vlerësimi të ketë kohën e duhur, por dhe ju të keni kohën e duhur për të marrë gjithë përgjigjet e nevojshme.”

Më pas takimi vazhdoi me një bashkëbisedim të hapur me nxënësit e këtij seksioni, si dhe me ndjekjen e një ore mësimi, në një nga klasat ku zhvillohet dhënia e gjuhës gjermane, sipas metodologjisë bashkëkohore të mësimdhënies,  ku një mësues gjerman dhe një mësues shqiptar japin një  nga lëndët në gjuhën gjermane (gjuhë gjermane, matematikë , gjeografi etj).